Panairi i parë i librit akademik që kërkon të rikthejë vëmendjen te...

Panairi i parë i librit akademik që kërkon të rikthejë vëmendjen te shkenca

92
0
Shares

Drejtorja e QKL, Alda Bardhyli

Për herë të parë, në kryeqytet do të mbahet Panairi i librit akademik ku do të promovohen librat shkencorë dhe do të marrin një vëmendje të veçantë profesorët dhe studiuesit që merren me botime shkencore.

Panairi i parë i librit akademik do të organizohet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në bashkëpunim me dy akademitë e shkencave, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave të Kosovës nga data 22 prill deri më 24 prill.
Drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit, Alda Bardhyli thotë për Gazetën “Si” se ky është një panair i munguar në botën e librit shqip.
“Për herë të parë ky muaj kremtohet duke i dhënë më shumë rëndësi librit studimor, edhe për vështirësitë që ky libër ka për t’u afruar lexuesit. Ky panair kërkon të rikthejë vëmendjen te shkenca dhe mendimi. Mbështetja te shkenca dhe te studimet ka rëndësi jo vetëm për shoqërinë, por edhe për kombin”, shprehet Bardhyli për Gazetën “Si”.
Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor zhvillohet edhe si një festë në këtë 50-vjetor të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Për Bardhylin, Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor është një mundësi unike për të bërë bashkë autorët, botimet dhe institucionet që merren me kërkime shkencore dhe për t’u dhënë rëndësinë e duhur këtyre botimeve e për të çmuar rëndësinë që kanë studiuesit.
“Në vitet e fundit, studiuesit dhe profesorët shqiptarë kanë sjellë botime me vlera të mëdha për shoqërinë dhe është shumë e rëndësishme që t’u japim hapësirë këtyre botimeve, por edhe t’i ‘afrojmë’ këto botime me lexuesin. Ky panair shënjon hapin e parë të një kthimi më të madh të vëmendjes ndaj botimeve akademike dhe studimore, të cilat janë një vlerë e shtuar në bibliotekën e madhe të librit shqip”, shprehet ndër të tjera Alda Bardhyli, drejtoresha e QKLL.

Ky nuk do të jetë i vetmi event që do të bëjë bashkë gjatë këtij muaji dy akademitë.
“Më datë 23 prill në Qendrën Kombëtare të Librit dhe të Leximit do të promovojmë veprën e plotë të poetit Ali Podrimja të botuar nga Akademia e Shkencave e Kosovës. Podrimja është ndër ata poetë që modernizoi vargjet shqipe pas viteve ’80”, shton Bardhyli.
Akademia e Kosovës tanimë ka sjellë në Qendrën e Librit, kolanën e Ali Podrimjes, autorit veprën e të cilit e gjenim të publikuar vetëm përtej kufirit.
Më 23 mars të këtij viti, Qendra Kombëtare e Librit dhe Biblioteka Kombëtare shpallën vitin e Ali Podrimjes, me rastin e 80-vjetorit të lindjes dhe 10-vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit të njohur nga Kosova, duke përcaktuar një sërë veprimtarish për poezinë dhe gjuhën shqipe jashtë kufijve.
Bardhyli do të shprehej gjatë ceremonisë së shpalljes së Vitit të Ali Podrimjes se janë përgatitur një sërë aktivitetesh që do të bëjë bashkë një kulturë të vetme që ndahet në dy anët e kufirit për të folur për vlerat e përbashkëta dhe për poezinë e Ali Podrimjes.
Gjatë ditëve të Panairit Kombëtar të Librit Akademik do të promovohet edhe libri “Enigma e poezisë” nga akademiku Sabri Hamiti, botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Gazeta Si

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY