Gjykata e Tiranës zbardhi sot vendimin sipas të cilit njohet Komisioni i Rithemelimit si drejtues të Partisë Demokratike, duke legjitimuar Kuvendin e datës 11 Dhjetor.
Në vendim thuhet se gjyqtari Agron Zhukri, ka kryer një seri verifikimesh, mbi legjitimitetin e kërkesës së Rithemelimit, cilësisë së anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe përputhshmërinë e Statutit të miratuar nga anëtarësia në 11 Dhjetor 2021.
Në rastin e kërkesës së Komitetit të Rithemelimit, gjykata ka konstatuar se mbledhja e Kuvendit Kombëtar i 11 Dhjetorit 2021 është kryer në përputhje me Statutin e Partisë Demokratike që ishte në fuqi në atë kohë.
Gjykata ka kryer verifikime të thelluara mbi regjistrimin e delegatëve të Kuvendit Kombëtar.
Në bazë të dokumentacionit të konsultuar, ka arritur në përfundimin se numri i tyre tejkalonte minimumin e kërkuar nga Statuti për të thirrur Mbledhjen e Jashtëzakonshme të Kuvendit.
Pasi ka konstatuar legjitimitetin e Mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, gjykata më pas ka analizuar vendimet e tjera të marrë në 11 Dhjetor 2021, duke nisur nga ndryshimet statutore të Partisë Demokratike.
Ndryshimet e Statutit të miratuara nga Kuvendi Kombëtar i 11 Dhjetorit janë konstatuar gjithashtu të rregullta dhe, në këtë mënyrë, edhe të gjitha ndryshimet pasuese të mbështetur në Statutin e ndryshuar, janë vlerësuar konform ligjit.
Në 11 Dhjetor të vitit të kaluar, anëtarësia e Partisë Demokratike thirri Kuvendin Kombëtar. Sipas statutit, mbledhja thirrej nga së paku një e katërta e delegatëve ose rreth 1912 të tillë.
Thirrja e mbledhjes u nënshkrua nga një numër shumë më i lartë, rreth 4200 delegatë, ndërkohë që në punimet e Kuvendit Kombëtar rezulton se kanë marrë pjesë 4935, siç konstatoi edhe gjykata.
Të gjithë vendimet e Kuvendit Kombëtar, të cilat sipas ligjit për Partitë Politike hyjnë në fuqi menjëherë pas miratimit, tashmë kanë marrë fuqi ligjore me vendim gjyqësor.
Vendimi i dhënë nga gjyqtari Zhukri, është çuar në Gjykatën e Apelit nga Enkelejd Alibeaj, i cili u emëruar kryetar i komanduar pas dorëheqjes së Lulzim Bashës. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/