Elisabeta Imeraj, ‘malokja’ që po përballet edhe me komplekset e Tiranës, edhe...

Elisabeta Imeraj, ‘malokja’ që po përballet edhe me komplekset e Tiranës, edhe me politikën

60
0
Shares

Nga Edmond Hoxhaj/BIRN

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj u paraqit të mërkurën në seancën publike të caktuar për shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik kundër konfirmimit të saj, së bashku me një përfaqësues ligjor të huaj, avokatin e Dhomës së Avokatisë së Strasburgut, Gregory Thuan Dit Dieudonne. Imeraj i kundërshtoi të gjitha shkaqet e ngritura në ankim nga Komisioneri Florian Ballhysa i cili kërkoi shkarkimin e saj, pasi ajo pretendoi se gjetjet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) që rekomandoi apelimin, ishte ndërtuar mbi ‘copa letre anonime e dashakeqase’, si dhe shtoi se gjithçka vinte si pasojë e çështjeve që kishte hetuar kundër krimit të organizuar dhe politikës. Megjithëse seanca e të mërkurës zgjati për afro 7 orë, nuk ishte e mjaftueshme për paraqitjen e parashtrimeve nga të dyja palët dhe Kolegji vendosi ta shtyjë për të enjten në orën 12:30.

Trupa gjykuese e KPA që po shqyrton çështjen e Elizabeta Imerajt kryesohet nga Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Mimoza Tasi, Albana Shtylla dhe Sokol Çomo. Në cilësinë e vzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic.

Në fillim të seancës, prokurorja Imeraj prezantoi përfaqësuesin ligjor dhe pasi dorëzoi si provë një marrëveshje bashkëpunimi të tij me një studio ligjore në Shqipëri, kërkoi që të legjitomohej për ta përfaqësuar në process. Kërkesa e Imerajt që u pranua nga trupa. Avokati Gregory Thuan foli shumë pak gjatë seancës së të mërkurës. Duke iu referuar gjetjeve të ONM-së, pas vendimmarrjes së Komisionit, ai argumentoi se në këndvështrimin e tij është e vështirë për Komisionerin Publik që të ankimojë diçka që nuk bënë pjesë në vendimin e shkallës së parë. Thuan u shpreh se kishte shumë pyetje për Komisionerin për aspektin ligjor dhe e cilësoi ankimin të kryer jashtë afatit ligjor. Po ashtu shtoi se i dukej e çuditshme përse nuk ishte i pranishëm në seancë përfaqësuesi i ONM-së Theo Jacobs.

E pyetur nga BIRN, prokurorja Elizabeta Imeraj nuk preferoi të jepte sqarim lidhur me burimet financiare për mbulimin e shpenzimeve të përfaqësuesit të saj ligjor, si dhe për udhëtimin dhe akomodimin. “Avokati është vetë i pranishëm në fakt dhe mund t’iu thotë vetë në raport me një gjë të tillë”, tha Imeraj. Pasi u njoh me pyetjen prej Imerajt, avokati Gregory Thuan shpjegoi se nuk paguhej për përfaqësimin e kësaj çështje. “Punoj me pro bono, pasi është një çështje ligjore me interes. Procesi i vetingut është duke shkuar përtej kuadrit të përgjithsëm në rastin çështjen e Imerajt. Ky është një shembull i papajtueshmërisë së Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Procesi i vetingut është problematik në përgjithësi, prandaj dhe futen gjithë interesat ligjorë”, tha Thuan.

I pyetur se si e zgjodhi këtë çështje për përfaqësim, Thuan deklaroi se tashmë procesi i vetingut është i njohur dhe disa çështje janë në pritje për tu trajtuar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

“Atje janë tetë çështje në pritje dhe janë çështje të njohura publikisht,” pohoi Thuan.

Elizabeta Imeraj u konfirmua në detyrë më 1 prill të vitit 2021 nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Olsi Komici, me relator Roland Ilian dhe anëtare Suela Zhegun pasi konkludoi se ajo kishte arritur nivel të mjaftueshëm në të tre kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Konfirmimi i Imerajt u pasua nga shqetësime të mëdha mes ndërkombëtarëve, të cilët argumentuan se rasti i saj vë në rrezik “integritetin, pavarësinë dhe tërësinë e procesit të vetingut”.

Bazuar në rekomandimin e ONM-së, Komisioneri Ballhysa vendosi ankimimin duke argumentuar se provat në dëm të këtij subjekti rivlerësimi duhej të kishin sjellë shkarkimin e saj.

Parashtrimet për pasurinë

Ballhysa vërejti se përfundimet e Komisionit për pasurinë duke mos e ngarkuar subjektin me përgjegjësi, bazohen në regjimin pasuror të Imerajt dhe ish-bashkëshortit të saj, të pretenduar gjatë hetimit administrativ.

Ajo ka dorëzuar dhe një kontratë të muajit mars 2007, ku është sanksionuar se një njësi me dy banesa, njëra prej të cilave në Durrës, tokë arë me sipërfaqe 1464 m2 dhe e drejtë reale mbi një pronë tjetër të paluajtshme, janë pasuri apo të drejta të krijuara përpara lidhjes së martesës dhe si të tilla qëndrojnë individualisht ish-bashkëshortit.

Ballhysa konstatoi se subjekti nuk e ka deklaruar asnjëherë këtë regjim pasuror gjatë periudhës 2004-2016. Ai theksoi se hetimi administrativ ndaj Imerajt ka filluar në tetor të vitit 2018, por ajo e ka deklaruar regjimin martesor vetëm në shtator të 2020-ës.

Po ashtu, Ballhysa vërejti se subjekti ka shënuar në deklaratën veting pasuri të paluajtshme në bashkëpronësi, por pa e paraqitur rrethanën e regjimit pasuror martesor të pasurive të ndara. Komisioneri solli në vëmendje se bazuar në jurispudencën e Kolegjit, deklarimet vjetore të subjektit konsiderohen si provë në këtë proces.

Në vijim ai u ndal në deklarimin e disa pasurive, mes tyre dhe disa prej të cilave rezultonin të ishin krijuar gjatë martesës dhe në një rast është lëshuar kartela e pasurisë dhe në emër të subjektit të rivlerësimit.

Prokurorja Elizabeta Imeraj theksoi se e kishte bërë me dije se nuk ka pasur ndonjëherë pasuri apo bashkëpronësi në emrin e saj. Ajo sqaroi se kishte siguruar dokumentet origjinale me vulat e arkivës së noterit të vitit 2007, lidhur me kontratën e regjimit martesor. Gjithashtu, renditi një sërë kërkesash drejtuar Kadastrës, Gjendjes Civile e Tatimeve, ku me përgjigjet e këtyre institucioneve pohoi se provon se nuk ka zotëruar asnjëherë asnjë pronë, si dhe nuk ka rezultuar bashkëpronare në asnjë pasuri. Imeraj kërkoi që këto dokumente të administrohen si prova.

Ajo pohoi se pasuritë e bashkëshortit ishin krijuar para martesës dhe me burime të ligjshme. Ndërkohë, vërejti se zgjidhja e martesës nuk kishte sjellë pasoja për procesin e vetingut.

Në vijim Imeraj theksoi se kartela e pasurisë ku ajo figuron si bashkëpronare e një pasurie, që gjendet në aktet e dosjes së Komisionit, është e falsifikuar. Ajo sqaroi se i kishte kërkuar Kadastrës vendosjen në dispozicion të kartelës dhe ajo nuk figuron të jetë bashkëpronare. “Pra nuk kam asnjë lloj lidhje. Provohet që është një kartelë e falsifikuar dhe është futur në aktet e KPK-së. Përse futet një dokument i falsifikuar në dosje dhe bëhet një nga shkaqet e ankimit”, ngriti pikëpyetje Imeraj dhe shtoi se kishte kryer kallëzim penal.

Imeraj shtoi se nëse Komisioneri do të kishte verifikuar gjithë dokumentet për atë pronë, do të kishte konstatuar se kartela ishte e falisfikuar.

Duke pretenduar se të ardhurat ishin në përputhje me shpenzimet e jetesës ajo theksoi se nuk kishte asnjë shkak në kriterin e pasurisë që ta bënte të cënueshëm vendimin e KPK.

Gjetjet për figurën  

Ashtu si në ankim, Ballhysa evidentoi gjetjet e ONM-së për ish-bashkëshortin dhe vëllain e këtij të fundit për dënimin e tyre në vitin 2002 nga Gjykata e Romës me nga 8 vjet burgim dhe gjobë prej 55 mijë euro, për përfshirjen e tyre në trafikimin e qenieve njerëzore dhe prostitucion. Ballhysa solli në vëmendje rekomandimin e ONM-së, sipas të cilit bazuar në këtë gjetje Imeraj ka kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar.

Sipas Ballhysës, Komisioni nuk ka arsyetuar lidhur me arsyet e refuzimit të gjetjeve, duke mos kryer ai vetë asnjë veprim hetimor për verifikimin e rrethanave. Ai kërkoi që këto gjetje të merren në shqyrtim nga Kolegji dhe të ballafaqohen me pretendimet e Imerajt.

Subjekti tha se kishte kryer verifikime dhe për pretendimet lidhur me bashkëshortin e saj. Imeraj sqaroi se u kishte bërë kërkesa Policisë së Shtetit, gjithë komisariateve, pikave kufitare, Interpol-it, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera verifikuese, për të pyetur nëse kishte donjë të dhënë për ish-bashkëshortin e saj dhe vëllain e tij për përfshirje në ndonjë vepër penale, apo nëse janë dënuar, por sipas saj përgjigjet ishin negative. Ajo kërkoi që përgjigjet e këtyre institucioneve të administrohen si prova.

Duke u bazuar në gjetjet e ONM-së, ajo evidentoi se personat që janë dënuar nga Gjykata e Romës në Shkallën e Parë janë shpallur të pafajshëm në apel dhe për rrjedhojë nuk ka një dënim ndaj tyre. Sipas Imerajt, bazuar në vendimin e apelit, tashmë nuk është e nevojshme të diskutohet nëse personat e dënuar janë ose jo ish-bashkëshorti dhe vëllai i tij.

Në vijim ajo deklaroi se kishte siguruar dokumentacion nga autoritetet italiane të pajisur me vulë apostile ku përcaktohej se ish-bashkëshorti dhe ish-kunati nuk kanë qenë ndonjëherë të dënuar.

Sipas Imerajt, legjislacioni përjashton nga përfshirja në krimin e organizuar individët për të cilët ka vendim pafajësie të formës së prerë.

Çështjet profesionale

Për kriterin profesional Ballhysa evidentoi dy çështje në të cilat subjekti ka qenë në cilësinë e prokurorit të çështjes dhe janë transferuar për moskompetencë. Duke iu referuar gjetjeve të ONM-së, Komisioneri konstatoi se në një procedim penal, shtyrjet e afateve të hetimit dhe transferimi i çështjes ka sjellë pamundësinë për t’iu drejtuar gjykatës me kërkesë për gjykim duke favorizuar pozitën e personit të hetuar. Për çështjen tjetër, ONM vlerëson se mbetet e pashpjegueshme se çfarë hetimesh janë kryer dhe cilat prova janë gjetur nga subjekti i rivlerësimit dhe prokurorët e tjerë që ka çuar në vendimin e tyre për shpalljen e moskompetencës së ish-Prokurorisë për Krime të Rënda.

Ballhysa evidentoi dhe një gjetje në shtesën e rekomandimit të ONM, lidhur me një procedim ndaj një shtetasi kolumbian dhe u shpreh se vendimi i ish-Gjykatës së Krimeve të Rënda mbetet për t’u marrë në cilësinë e provës nga Kolegji.

Duke iu referuar vendimit për dënimin e shtetasit kolumbian, Imeraj shpjegoi se e kishte ndarë çështjen për personat e tjerë që mund të ishin përfshirë dhe se hetimi vijonte ende. Ndërkohë, këmbënguli se vlerësimi saj nuk mund të bazohej vetëm në një vendim, pasi kishte përfaqësuar në ish-Gjykatën e Krimeve të Rënda më shumë se 100 çështje me rreth 160 të pandehur, ku vetëm në tre raste ishte dhënë pafajësi. Ajo kërkoi që të vlerësohen të gjitha vendimet dhe jo vetëm një.

Për një prej çështjeve të transferuara, ajo tha se ishte kryer me qëllim që mos kuptohej nga të dyshuarit “goditja e madhe” që do të kryente Prokuroria, prandaj ishte vlerësuar të hetoheshin veçmas. Ndërsa për procedimin tjetër të transferuar për moskopetencë vërtejti se ishte nënshkruar dhe nga një koleg që ishte konfirmuar në detyrë me formë të prerë. Imeraj vërejti se për prokurorin tjetër Komisioneri nuk e kishte gjetur këtë çështje.

Në fjalën e saj, prokurorja Imeraj theksoi se kishte hetuar çështje të rëndësishme të krimit të organizuar dhe politikës. Ajo deklaroi se kur prokurorët e tjerë nuk pranonin të përfaqësonin një çështje për shkak të të hetuarve, ajo ishte vetëofruar.

Konstatimet për etikën 

Për etikën dhe vlerësimin tërësor, Ballhysa solli në vëmendje çështjen që ka të bëjë me ndikimin tek ish-vëzhguesi ndërkombëtar; lidhur me dorëheqjen e një prej anëtareve të trupës së KPK-së; procedurat gjyqësore të zgjidhjes së martesës dhe sjellja gjatë seancës dëgjimore .

Sipas rekomandimit të ONM-së, sjellja e subjektit gjatë seancës dëgjimore konsiderohet e mjaftueshme për minimin e besimit në sistemin e drejtësisë. Ballhysa kërkoi që edhe këto gjetje të shqyrtohen nga Kolegji në cilësinë e provës. Në përfundim ai kërkoi ndryshimin e vendimit dhe shkarkimin e prokurores Elizabeta Imeraj.

Imeraj i kundërshtoi edhe këto shkaqe të ankimit, kur në hyrje të parashtrimeve u ndal gjatë në gjetjet e ONM-së që sipas saj ishin bazuar në denoncime anonime. Subjekti ngriti dyshime mbi shëndetin mendor të një denoncueseje të cilën e identifikoi si E.P (emri është anonimizuar nga BIRN), që sipas saj kishte kërkuar tek Komisioneri shkarkimin e subjektit. Imeraj e cilësoi të çuditshëm faktin se si kjo denoncuese dinte gjithë gjetjet që parashtroi Komisioneri, ndërkohë që nuk ishte zbardhur ende vendimi KPK. Në vijim ajo sqaroi se kishte kryer verifikime dhe kishte konstatuar se denoncuesja shfaqej me qëndrime që sipas saj nuk tregonin aftësinë për të hartuar atë denoncim. Për të ilustruar këtë qëndrim, subjekti citoi disa statuse të denoncueses të postuara në platformën sociale Facebook.

Po ashtu, ajo evidentoi dhe një denoncuese, duke pretenduar se bazuar në informacionet e saj ONM kishte kërkuar hetimin disiplinor të tre anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP për konflikt interesi në votimin e saj si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës. Imeraj sqaroi se Inspektori i Lartë i Drejtësisë e kishte pushuar çështjen pasi nuk ka konflikt interesi.

Imeraj sqaroi se nuk kishte pasur asnjë qëllim gjatë komunikimit në seancën dëgjimore në KPK dhe sqaroi se nuk mund të ndryshojë zërin e saj. “Di të them se që nga dita e emërimit në detyrë jam sjellë dhe e kam ndjerë veten si prokurore”, deklaroi subjekti.

Ajo hodhi poshtë dyshimet e ngritura nga ONM se mund të kishte përgjuar një vëzhgues ndërkombëtar.

“Është jo vetëm për mua e turpshme, por për gjithë shqiptarët që kemi virtyt mikëpritjen”, pohoi Imeraj dhe sqaroi se kishte kryer vetë kallëzim penal që të vërtetohej nëse dikush kishte përgjuar vëzhguesin ndërkombëtar. Po ashtu, ajo sqaroi se u ishte drejtuar gjithë institucioneve ligjzbatuese kërkesë nëse kishin ndonjë informacion të tillë, por përgjigjet sipas saj ishin negative.

Imeraj kërkoi që të gjitha provat e siguruara prej saj për të kundërshtuar gjetjet e ONM-së dhe shkaqet e Komisonerit të administrohen, si dhe kërkoi një hetim të thellë e të gjithënashëm, për të zbuluar të vërtetën faktike

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY