Finalizohet operacioni policor i koduar “Zadrima”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 40 kilogramë cannabis sativa, 2 automjete dhe 3 celularë.
Pasi disa shtetas po transportonin lëndë narkotike, me 2 automjete, në rrugën nacionale Shkoder – Lezhë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Zadrima”.
Si rezultat, u bë lokalizimi dhe ndalimi i dy automjeteve. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin I. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5 thasë plastmasi të mbushur me material bimor të dyshuar lëndë narkotike kanabis, e cila pas peshimit rezultoi 40 kilogramë. Në automjetin tjetër tip “Seat” ndodheshin shtetasit D. M. dhe E. A., të cilët shoqëronin automjetin ku u gjet lënda narkotike.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: I. D., 31 vjeç, E. A., 28 vjeç dhe D. M., 37 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/