Euro u forcua përsëri me ritme të shpejta në kursin e këmbimit me lekun ditën e sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 127.08 lekë, në rritje me 2.5 pikë krahasuar me ditën e hënë. Në harkun e një javë, euro është mbiçmuar me 4.7% ndaj lekut dhe ka shënuar një rekord të ri për dy vitet e fundit.
Tendenca e forcimit të euros është e ngjashme me atë që u shënua në fund të marsit 2020. Në atë rast faktori që nxiti zhvlerësimin e monedhës vendase kishte qenë pandemia, ndërsa në këtë rast shtysa ka qenë lufta në Ukrainë dhe pasojat e rënda që ajo po sjell në tregjet e lëndëve të para.
Një mbiçmim i shpejtë i euros përfaqëson një faktor shtesë rreziku në raport me inflacionin në rritje që po godet ekonominë. Duke qenë se Shqipëria i importon shumicën e mallrave të konsumit dhe duke qenë se euro është monedha kryesore në të cilën blihen këto mallra, një nënçmim i lekut kundrejt saj do të prodhojë një efekt inflacionist shtesë në ekonomi. Deri para dy javësh, Banka e Shqipërisë i qëndronte projeksionit bazë për një inflacion kalimtar që do të fillohej të zbehej në gjysmën e dytë të këtij viti. Lufta në Europën Lindore e ka bërë tashmë shumë më të madh rrezikun inflacionist dhe pasigurinë për të ardhmen.
Implikimet e luhatjeve të forta të kursit të këmbimit në inflacion dhe në stabilitetin financiar janë situata që mund të justifikojnë një ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor. Ndërhyrja e fundit e këtij lloji ndodhi dy vjet më parë, në fund të marsit 2020, kur një panik i ngjashëm pati sjellë zhvlerësim të shpejtë të lekut në kursin e këmbimit me euron, me rreth 6.5% në harkun e 10 ditëve. Revista Monitor
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/