Nga Alfred Lela
Lulzim Basha është në Vatikan, me sa duket falë një lobimi të deputetit katolik Agron Gjekmarkaj. Në Tiranë vazhdon ndërkohë hetimi parlamentar për aferën e inceneratorëve, kryesuar nga deputetja Jorida Tabaku. Paralelisht ecën fushata për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, të cilat sipas sondazheve të të gjithë krahëve, do të fitohen nga Rama. Këtë radhë, po sipas anketimeve, Basha do ta nxjerrë Partinë Demokratike, shef de jurei së cilës është, forcë të tretë. Ai do të thyejë edhe rekordin e vetes, duke humbur dy herë në të njëjtën palë zgjedhje: ndaj kundërshtarit klasik dhe një grupimi skizmatik në parti.
Sondazhet, sigurisht, fotografojnë një rezultat të mundshëm të 6 marsit, por ato nuk na thonë pse, z. Basha është mungues në këtë fushatë. Pse ia ka dorëzuar drejtimin e opozitës vartëses Jorida Tabaku dhe ambasadores Kim, të cilën shumë komentatorë e shohin si shefe të tij?
Për këtë duhet analiza dhe jo anketimet e publikut. Analiza na kthen pas në kohë dhe na çon sërish te sondazhet. Gjatë gjithë kohës dhe sondimit të elektoratit para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, sondazhet jepnin një fotografi të zymtë të popullaritetit të shefit të opozitës. Ai ishte gjithmonë nën siglën (dmth partinë) dhe ky shihej si problem i madh. Ky ishte shkaku që firmës izraelito-amerikane, e pajtuar për të drejtuar komunikimin politik të fushatës së Partisë Demokratike, iu kërkua që komunikimi të përqendrohej ekskluzivisht te kryetari.
Ashtu u bë.
Strategjia, për të cilën Basha vetë dhe njerëzit e tij të afërt ngulmuan, dështoi. Zgjdhjet e prillit u humbën dhe pikët e Bashës në sondazhe tani janë nën siglën, nën Berishën dhe po u afrohen atyre të Monika Kryemadhit. Në këtë purgator politik, as në majë dhe as në fund, duket se do të pluskojë fati politik i tij.
Kjo e ka shtyrë të ndërrojë strategji, duke nxjerrë para vetes Jorida Tabakun, duke bërë nënkryetar Agron Gjekmarkajn dhe duke u mbështetur te disa figura të PD, të cilëve para 25 prillit u shmangej për të mos i takuar korridoreve të selisë. Tashmë Bashës i duhet të ndajë mospushtetin, ndërkohë që dikur nuk pranonte të ndante as shpresën drejt tij. Me përllogaritjet, jo të një lideri, por të një skematiku, ai u ka dhënë ‘pushtet’ njerëzve rreth vetes, ndërkohë që në ‘qeverinë hije’, të ndërtuar në imagjinatë dhe me ‘të tijtë’ deri më 25 prill, nuk figuronte asnjë prej tyre. Basha po dhuron territorin e një iluzioni, në këtë rast po ndan diçka që nuk ka.
Kjo është njëra arsye e tërheqjes. Tjetra ka të bëjë me sondazhet e së shkuarës, ku figura e tij shënonte më pak pikë në koshin elektoral se sigla e partisë. Sigurisht, një kryetar që mbështetet te sondazhet e së shkuarës për të strukturuar të tashmen, nuk e çon kund grigjën e vet, por ky është argument jashtë temës. Arsyeja e tretë ka të bëjë sërish me një hile. Duke e ditur se gara me Berishën është një konkurs burrërie në Bjeshkët e Namuna të cilin do ta humbë, ai e nxjerr veten jashtë gare, duke u hequr si mospjesëmarrës, si jokonkurent. Kjo i jep mundësinë që pas 6 marsit të thotë se gara ishte e papërfillshme. Ndoshta të shpallë për të n-tën herë: beteja fillon sot.
Për ta mbyllur ku filloi, te zonja Tabaku, duhet thënë se ajo po bën një punë shumë të mirë. Është në një rol të cilin duket se e ka merituar prej kohësh. Por, në një parti ku kryetari është më i vogël se sigla, të gjitha joridat, agronët, e me radhë, nuk lejohen të rriten. Tani që Basha i ka hapur ca shtigje nuk do të thotë se ai ka ndryshuar. Thjesht është bërë bir i nevojës. E cila, shpeh, të shtyn birave të pamundësisë. Politico
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/