Lulzim Basha e ka marrë vendimin në lidhje me votimin që bëhet nesër për ndryshimet kushtetuese për vetingun por po e mban sekret për grupin parlamentar të selisë.
Basha ka njoftuar deputetët për mbledhjen e grupit parlamentar të enjten në orën 09:00, pak para nisjes së seancës në Parlament.
Vetëm në atë moment deputetët demokratë do të njihen me qëndrimin që PD do të mbajë në lidhje me propozimin e PS për të zgjatur këtë afat deri në vitin 2024.
KPK dhe KPA u mbaron mandati në qershor të 2022. Dy anëtarë të KPA po hetohen ose janë hetuar nga SPAK për mashtrim ndërsa një anëtare e KPK po ashtu është në prag të shkarkimit. Kushtetuta parashikon që pas vetingut, kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve të bëhet nga KLGJ dhe KLP.
Edhe deputetët e përjashtuar nga grupi i PD nuk kanë bërë publik qëndrimin e tyre, përveç Palokës dhe Berishës. Neser në orarin e seancës Berisha është në një miting në Vorë ndërsa nuk dihet si do të votojnë edhe Vokshi, Spaho, Shehu, Baçi, Këlliçi si dhe ata që janë me ‘mundësi reflektimi’ si Paloka, Bylykbashi, Leskaj, Shehaj, Boçi, Luka e ndonjë tjetër.
Deputeti i PD, Edi Paloka shprehu qëndrimin e tij kundër ndonëse nesër nuk do të jetë në Kuvend për të votuar. “Në pamundësi për të qenë nesër prezent në seancën parlamentare ku do të diskutohet dhe votohet për zgjatjen e afatit të komisionit të Vetingut, po bëj publik qëndrimin tim “KUNDËR “!
Kush voton për t’i zgjatur jetën një komisioni të përbërë nga familjarë të afërt të qeveritarëve, i cili në të gjithë aktivitetin e tij ka marrë vendime politike, duke kthyer në farsë reformën në drejtësi, është thjeshtë shërbëtor i Ramës ne kapjen e plotë të drejtësisë! Deputetët që janë në atë Parlament me votën e demokratëve, nuk mund të bëhen pjesë e një procesi të tillë”,shkruan mes të tjerash Paloka.
Berisha pak ditë më parë i ftuar në emisionin “Log.” në ABC doli kundër maxhorancës. “Vetingu, mekanizmi më shkatërrimtar i sistemit të drejtësisë. Unë nuk bëhem më bashkë-fatjor të një sistemi që la Shqipërinë 100% të kapur nga narko-ekzekutivi që privoi shqiptarët nga e drejta themelore e një procesi të drejtë gjyqësor që i kushtoi këtij vendi miliarda euro për çështje civile që ka bllokuar investimet e huaja në Shqipëri”, tha Berisha.
m.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/