Mediat online kritike ndaj qeverisë shqiptare pretendojnë se sulmet kibernetike që i shënjestruan kohët e fundit ka të ngjarë të jenë të koordinuara dhe ndoshta të lidhura me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Ata i thanë BIRN se dyshonin se sulmet kishin ndodhur sepse publikuan një audiopërgjim të regjistruar në të cilën Veliaj dëgjohej duke përdorur sharje, gjuhë të vrazhdë dhe kërcënime kur fliste me zyrtarët rajonalë të futbollit.
Ata thanë se sulmet e bënë të vështirë për publikun aksesin në faqet e tyre të internetit dhe se sulmet dukeshin të koordinuara.
Brahim Shima, drejtor në Ora News, një transmetues me qendër në Tiranë, tha për BIRN se ai besonte se sulmi kishte qenë i qëllimshëm.
“Sulmi ishte tërësisht i qëllimshëm, për ta bërë sa më të vështirë aksesin e lajmeve në Ora News. Ka pasur përpjekje të mëparshme për të hakuar faqen, por sulmi i nisur në janar kishte për qëllim reduktimin e tij, ose maksimizimin e vështirësisë sonë në shpërndarjen e lajmeve,” tha Shima për BIRN.
Ai shtoi se sulmin e lidhën me betejën mes Federatës Shqiptare të Futbollit, FSHF-së dhe kryebashkiakut të Tiranës për zgjedhjet për kreun e ri të organit drejtues të futbollit.
“Nuk kemi fakte konkrete, por gjithçka ka të bëjë me presionin e kryebashkiakut Veliaj ndaj FSHF-së”, shtoi ai.
Enton Abilekaj, i cili drejton një media lokale të quajtur Dosja.al, tha se sulmet kibernetike synuan gjithashtu median e tij, duke e bërë të vështirë aksesin në faqen e saj të internetit.
“Kompania që na ofron aktivitet online na informoi për një sulm të veçantë, i cili nuk është bërë nga hakerët, por duke blerë IP jashtë vendit, duke rritur në mënyrë artificiale trafikun, në mënyrë që serveri të mos përballonte dhe të mos aksesohej faqja”, tha Abilekaj për BIRN.
“Nga hetimi që bëmë me kolegët që kishin të njëjtin problem, kuptuam se faqet e sulmuara ishin të njëjtat që publikuan regjistrimin audio të kryebashkiakut në një takim me anëtarët e Asamblesë Rajonale të Futbollit të Tiranës”, shtoi ai.
Ai tha se sulmi kishte përfunduar, por kishte lënë shumë paqartësi në media.
Andi Bushati, i cili drejton Lapsi.al, i tha BIRN se sulmet i sheh si të lidhura edhe me publikimin e kasetës në të cilën kryebashkiaku Veliaj dukej se po i bënte presion komunitetit të futbollit të kryeqytetit për të ndërhyrë në zgjedhjet e FSHF-së.
“Nuk kemi prova 100 për qind të verifikueshme që sulmi kibernetik erdhi nga kryetari i bashkisë, por fakti që u sulmuan ato media që i dhanë shikueshmëri të madhe këtij lajmi dhe mbi të gjitha uebsajti i FSHF-së që e publikoi këtë. Përgjimi u sulmua, i çon të gjitha supozimet tek Veliaj,” tha Bushati për BIRN.
Gerti Progni, një ekspert kibernetik shqiptar, i tha BIRN se portalet që janë kritike ndaj autoriteteve dhe qeverisë i janë nënshtruar sulmeve kibernetike “prej disa kohësh”.
“Por nuk ka ndodhur kurrë që sulmi të ishte kaq i madh dhe me një kosto kaq të lartë, sepse lloji i sulmit ishte një DDOS [mohim i shpërndarjes së shërbimit],” tha Progni.
“Është i vetmi sulm që është pothuajse i pamundur të zbulohet dhe është shumë e vështirë dhe e kushtueshme të mbrohesh prej tij,” shtoi ai. reporter.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/