Si i perjeton Basha protestat e demokratëve tek çdo takim jashtë selisë

Si i perjeton Basha protestat e demokratëve tek çdo takim jashtë selisë

64
0
Shares

Lulzim Basha ka treguar sot në një intervistë në tv Ora se si ndjehet nga protestat e demokratëve në çdo takim që ka zhvilluar para selive. Ai ka përmendur edhe votën si zgjidhje por pa e shtjelluar më tej, ndërkohë që në të njëjtën përgjigje thote se është shumicë në PD.

Pyetje: Në ditët e fundit të kemi parë aktiv për sa i përket takimit me bazën por nga ana tjetër kemi parë edhe përballë disa prej protestuesve të cilët janë në kundërshtim me ju. Si e keni përjetuar këtë situatë dhe si po e gjeni realisht terrenin?

Lulzim Basha: Realisht e kam përjetuar shumë mirë takimin me demokratët sepse prej kohësh zhvillimet e imponuara nga Sali Berisha kanë penguar edhe punën normale, edhe kontaktin me njerëzit, edhe kontaktin me demokratët sikundër kanë penguar betejën tonë me regjimin e Edi Ramës. Ne megjithatë siç e keni parë nuk kemi rreshtuar asnjë ditë, asnjë natë këto 4 muaj e gjysmë që nga konstituimi i parlamentit me 9 shtator me ato që u kemi premtuar dhe jemi zotuar para shqiptarëve, opozitën e përditshme, ballore, pa kompromis kundër Edi Ramës dhe  arbitraritetit dhe dhunës së tij ndaj qytetarëve. E patë sot edhe me ngjarjet e Tiranës tek ‘5 Maji’ ku deputetët tanë ishin në krah të banorëve që po dhunohen në banesat e tyre. Në Komisionin e Inceneratorëve që ka rinisur nga puna për të hetuar aferën më të madhe, megaskandalin e korrupsionit të kësaj qeveria ku tashmë një nga anëtarët e kabinetit të Ramës është arrestuar, por siç e kam thënë është bishti dhe jo koka. Por po kështu po shtyjmë përpara agjendën që jep një zgjidhje afatgjatë problemeve të Shqipërisë, atë të një reforme që përfshin edhe Kushtetutën dhe padiskutim ka në fokus Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore. Për të gjitha këto dhe padiskutim për të gjitha zhvillimet brenda shtëpisë tonë, ky angazhim, ky bashkëbisedim me demokratët është shumë i dobishëm. Ndërsa ana tjetër që ju përmendët një grup njerëzish që lëviz sa në një takim në takimin tjetër për fat të keq u kujton shqiptarëve fillimin e pluralizmit të ashtuquajturit vullnetarë të një tjetër individi që kishte ngritur kultin vetes dhe është përgënjeshtrimi më i mirë që i bën vetvetes. Sepse normalisht nëse e vërteta do të ishte ashtu siç pretendon Sali Berisha atëherë ç’nevojë ka t’i nxjerrësh vullnetarë një deputeti të shkarkuar nga posti i kryetarit dhe që është në kontakt me demokratët për t’i takuar. E vërteta është krejt ndryshe. Shumica dërrmuese e demokratëve e kanë refuzuar gënjeshtrën e Sali Berishës që u pompua për hallin e tij personal gjoja sikur ishte në interes të demokratëve. 8 janari ishe vija ndarëse, ishte vija e kuqe sepse demokratët nuk e pranojnë dhunën. Në shtëpinë tonë kurrë dhuna nuk do të ketë vend si mekanizëm për t’ju imponuar tjetrit. Argumente po, debat po, kundërshtime po, garë po. Kemi pasur, i inkurajoj dhe do t’i kemi. Ndaj  shumica e demokratëve sot janë më të qartë se kurrë dhe janë në këto takime që unë po zhvilloj dhe në takime të tjera që do të zhvilloj. Dhe shumica e atyre 10 apo 15 vullnetarëve shëtitës shumë shpejt do të sqarohen se po përdoren siç u përdorën më 8 janar si një fasadë, si mish për top për një gënjeshtër, për gënjeshtrën që demokratët janë të përçarë. Jo! Demokratët janë të bashkuar me qëllimin për të larguar regjimin e Edi Ramës dhe për t’ju kthyer shqiptarëve shpresën. Dhe unë jam me demokratët dhe do të jem me demokratët deri në fund të kësaj beteje me fitore jo thjesht për PD-në, por për Shqipërinë.

Pyetja: Zoti Basha, ju thatë që do i vazhdoni këto takime. Realisht ka një diskutim për sa i përket kush është shumica, kush është pakica… ?

Lulzim Basha: Nuk është më ky diskutim, nuk ekziston më, sepse po të ishte kështu atëherë ku është frika e atyre apo e atij që e organizon këta vullnetar dhe i nxjerr në anti-mitingje. Në qoftë se ka shumicën, çfarë frike ka? E pra, ky është siç e thashë, përgënjeshtrimi më i madh që i bën vetvetes që i bën Sali Berisha. Nuk e ka pasur dhe nuk e ka shumicën as në institucionet e zgjedhura të Partisë Demokratike, nga Kuvendi Kombëtar, tek Kryesia, as tek demokratët. Shumica e demokratëve kanë zgjedhur të ardhmen, e shkuara është pas. Kjo mund të jetë e dhimbshme për Sali Berishën, por ishte rruga që ai vet zgjodhi kur i doli fjala demokratëve dhe bëj të kundërtën e asaj që premtoi. U përpoq ta merrte Partinë Demokratike dhe ta përdorte si bunker pasi u shpall “non grata”, kur premtoi në fakt se nuk do ta përfshinte Partinë Demokratike dhe demokratët në betejën që vendosi të zhvillonte kundër SHBA-ve, pasi u shpall “non grata” dhe këto janë pasojat.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY