Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot krejt rastësore përkimin e vizitës se Presidentit Erdogan me përvjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Skënderbeut. Ai e bëri këtë koment teksa u është përgjigjur me një status në rrjetet sociale kritikëve të vizitës së Erdogan në përvjetorin e Skënderbeut.
“Kjo e rreshtimit të djeshëm të shumëkujt (që inatin në fakt e ka me qeverinë e me mua), në ushtrinë imagjinare të mbrojtësve të kështjellës sonë nga pushtuesit turq, ishte një ilustrim i radhës për rrugën pa krye ku të shpie “inati ndaj vjehrrës“.
Natyrisht këto spazma urrejtjeje sportive, të cilat burojnë nga tifozllëku i sëmurë partiak, mllefi i pangushëllueshëm “intelektual” dhe fatkeqësisht, ndonjëherë edhe nga budallallëku islamofobik, nuk e ndryshojnë as përmbajtjen e miqësisë tradicionale me popullin turk, as kursin e partneritetit strategjik me Republikën e Turqisë”.
Rama e gjen të pavend të krijosh lidhje mes Turqisë së sotme dhe Portës se Lartë turke që e mbajti Shqipërinë të pushtuar për 500 vjet.
“Si mund të lidhen me luftën e pesë e kusur shekujve më parë, punëtorët e palodhur turq dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, të cilët vitin e fundit ndërtuan një lagje të re me 522 shtëpi për familjet e prekura nga tërmeti apo një spital të ri ultramodern për njerëzit e këtij vendi?”, shkruan Rama. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/