Vendimi i qeverisë, rikthehet koncesioni i autostradës Thumanë Kashar me kompaninë Gener2

Vendimi i qeverisë, rikthehet koncesioni i autostradës Thumanë Kashar me kompaninë Gener2

182
0
Shares

Kryeministri Edi Rama ka rikthyer sërish koncesionin e shumëpërfolur të autostradës Thumanë-Kashar, i thirrur ndryshe dhe nje nga tri rrugët e arta për shkak të shumës së koncesionit.

Për shkak të kontratave që ka bërë ARRSH më herët dhe që favorizonin kompanitë, Gener2 ia ka dalë që në gjykatën e Apelit administrativ të detyrojë qeverinë të rijapë sërish koncesionin.

Rruga është me një gjatësi prej 21 kilometrash dhe me fond limit prej 245.7 milionë eurosh dhe konsiderohej si një ndër koncesionet më të shtrenjta të infrastrukturës. Në një raport të Ministrisë së Financave për Parlamentin parashikohej se kostot koncesionare mund të shkonin deri në 54.4 miliardë lekësh (435 milionë eurosh), raportonte Birn në shtator.

Pas përfundimit të tenderit në 2018, qeveria dhe Gener 2 hynë në një fazë negociatash, për të mbyllur kontratën.

Por në dhjetor 2018 u zbulua se një kompani fantazmë me emrin DH Albania rezultoi fituese e dy tenderëve me vlerë 30 milionë euro në Shqipëri, pasi kishte përdorur më parë dokumente të falsifikuara. Disa media publikuan dokumenta ku dyshohej se DH kishte lidhje me Gener. Një gjyq është zhvilluar dhe nuk ka ndëshkuar kompaninë por vetëm administratorin e DH Albania.

Urdhri për ndërprerjen e koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar ishte një ndër vendimet e para të ministres Belinda Balluku, pas marrjes së detyrës nga paraardhësi i saj Damian Gjiknuri.

Balluku deklaroi asokohe se fondi i koncesionit do të shkonte në dobi të së ashtuquajturit ‘pakti për universitetin”, raportonte Birn.

Gjykata Administrative e Apelit i dha gjyqin Generit në fund të korrikut kur vëmëndja ishte zbehur për shkak të pushimeve.

Më 29 korrik, trupa gjyqësore e drejtuar nga Rilinda Selimi dhe me anëtare Altina Nasufin dhe Blerona Hasën vendosi që të shfuqizojë urdhrin e datës 25 janar 2019 të Ministrisë së Infrastrukturës “Për ndërprerjen e dhënies së koncesionit”. Trupa gjykuese ka vendosur gjithashtu t’a detyrojë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës që t’ia përcjellë për miratim Këshillit të Ministrave draft-kontratën koncesionare për projektin Thumanë- Fushë Krujë –Vorë –Kashar.

Vendimi i sotëm i qeverisl:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26, pika 9, dhe 41, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.50/2019, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat””, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Autorizimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të vijojë procedurën e negociimit të kontratës të koncesionit/partneritetit publik privat me shoqëritë “Gener 2”, sh.p.k. dhe “G2 Infra”, sh.p.k., me qëllim ekzekutimin e vendimit nr.424 (86-2021-523), datë 29.7.2021, të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë dhe, në rast se është e nevojshme, negociimin e angazhimeve detyruese në emër të shtetit, për realizimin e projektit infrastrukturor të aksit “Thumanë-Fushë-Krujë-Vorë-Kashar”, sipas marrëveshjes së zgjidhjes, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vijon procedurat për dërgimin e studimit të ri të fizibilitetit për mendim dhe shqyrtim pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

3. Kontrata e re e koncesionit/partneritetit publik privat, si dhe çdo angazhim detyrues në emër të shtetit, pas nënshkrimit nga palët, dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave.

4. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY