Deputetja e PD, Jorida Tabaku në një intervistë për news24 ka komentuar situatën në PD, kuvendin e 11 dhjetorit dhe atë që pritet të mbahet këtë të shtunë
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Mund t’ju pyes në lidhje me takimin në PD mbi 75 minutësh që ju, z. Basha dhe lidershipi i PD me ambasadorët e akredituar në vendin tonë. Së pari dua të di, kush e kërkoi këtë takim? Ka aludime se këtë takim e kërkoi z. Basha? Është kështu?
Jorida Tabaku: Ky ishte një takim i përbashkët i cili erdhi në vazhdën e zhvillimeve në PD. Ambasadorët erdhën këtu për të bërë një takim me PD zyrtare, për të diskutuar për situatën në të cilën ndodhemi. Ambasadorët sigurisht që mbajnë qëndrimet e tyre mbi zhvillimet në vend. Ndonjëherë në politikë vlejnë më shumë aktet dhe veprimet dhe besoj që takimi i sotëm këtë tregoi. Unë nuk e kam bërë kurrë për kaq vite sa jam në politikë dhe s’kam për ta bërë sot se çfarë është diskutuar në takime me ambasadorët e as për të thënë që ambasadorët mbështetën njërën palë apo palën tjetër, ishte një takim me PD-në zyrtare me Kryetarin e PD-së për të diskutuar mbi situatën. Kaq mund të të them.
Pyetje: Ju pyeta sepse ka patur komente në atë se kush e kërkoi këtë takim. Mund t’ju citoj ish-ministrin Tritan Shehu në një reagim publik që ka bërë në rrjetet sociale.
Jorida Tabaku: Në fakt nuk jam marrë ndonjëherë me kolegët e mi, e vërteta është se ata erdhën për një takim zyrtar me Partinë Demokratike. Kam dëgjuar shumë kolegë këdo ditë që rrinë e mburren, ambasadorët mbështesin këtë apo atë, nuk kam për të diskutuar kurrë ato që themi. Besoj se ndodhemi në një situatë që nuk ka rëndësi të përfshijmë asnjë palë të tretë por ndodhemi në një situatë ku kishte nevojë për informacion se çfarë po ndodh.
Pyetje: Edhe z. Bash kur u pyet nga gazetarët në lidhje me përmbajtjen e takimit me mbasadorët deklaroi qartazi se ky ishte një takim që i shërbeu të dhjeshmes, të sotmes dhe të ardhmes. Çfarë nënkuptohet me të djeshme, të sotme, të ardhme në këtë pikë që ndodhet PD?
Jorida Tabaku: Unë nuk e dëgjova dot deklaratën sepse isha duke u përgatitur për intervistën me ju, por besoj që i referoht faktit që diskutuam zhvillimet e ditëve të fundit të PD, por ajo që është më e rëndësishmja, të ardhmen e PD. Besoj që interesi i të gjithëve është për një opozitë të fortë në Parlament, për një opozitë me fakte siç kemi bërë me inceneratorët, për një opozitë me prova, argumenta, qoftë kjo e shoqëruar me rrugë ligjore, për një opozitë në parlament edhe me Komisionin Hetimor, siç kam bërë me çështjen e inceneratorëve, siç po bëhet me çështjen e masakrës zgjedhore. Besoj se në fund të ditës të gjithë janë të interesuar që fokusi të jetë tek kundërshtari ynë politik që është Edi Rama.
Pyetje: PD është përfshirë nga një kaos, komentohet si i tillë nga shumëkush që ndjek zhvillimet në PD. Dje në selinë blu mbërriti z. Berisha dhe anëtarët e të ashtuquajturit Komision i Rithemelimit të PD dhe zhvilluan atje mbledhjen e tyre. Ju pyes ju si një person që ka kohë në politikë dhe dikur e ka vlerësuar figurën e z. Berisha. Si e gjykoni aktin e djeshëm të tij?
Jorida Tabaku: Nuk mund të them që PD është duke kaluar ditë të qeta. Nuk mund të sillemi sikur asgjë nuk ka ndodhur. Unë isha në zyrën time duke punuar edhe dje dhe më pas kishim edhe një mbledhje. U ndjeva e trishtuar nga pamjet që pash në televizione. U ndjeva e trishtuar që PD ndodhet në një moment të vështirë. Nuk e gjykoj që është rasti që ne sot të fillojmë ë diskutojmë për legjitimitetin e organeve të PD-së sepse ka struktura. PD nuk është një bandë, ka një Statut. Ka struktura të zgjedhura, ka procedura të zgjedhura, ka standarde se si ka funksionuar në 31 vite dhe unë besoj që ashtu siç u tregua me vendimin e kryesisë, Këshillit Kombëtar, me transparencë, me qetësi, mendoj se duhet të jetë rruga përpara për të treguar me qetësi dhe transparencë në çdo forum vendimmarrës të PD që shumica është këtu.
Pyetje: Më thatë se teksa patë këto pamje në ekranet e televizioneve atë që ndodhte në PD teksa ishit në zyrë duke punuar, ju ndjetë një farë trishtimi.
Jorida Tabaku: E vërtetë është. U ndjeva e trishtuar me thënë të drejtën sepse gjykoj dhe mendoj që PD ka betejën e saj me Edi Ramën. U ndjeva e trishtuar kur pash atë ndarjen e ekraneve se çfarë po ndodhte në dy ambiente të ndryshme të PD.
Pyetje: Ajo qetësi u prish, apo jo. Ajo qetësi që flitet, por në fakt po ti referohemi Kuvendit të 11 dhjetorit, ata thonë se z. Basha, ju gjithashtu, jeni të shkarkuar nga detyra.
Jorida Tabaku: Nga ana tjetër na nisën edhe një mesazh dhe na u drejtuan si anëtarë të Këshillit Kombëtar. Unë nuk kisha asnjë dyshim që në datën 11 z. Berisha do të mblidhte mbështetës dhe e kam thënë edhe në televizione të tjera. Nuk kisha asnjë dyshim që do kishte pjesmarrje. Por diskutimin që jemi duke bërë këtu është së pari, nuki ishte një Kuvend ligjor dhe statutor i PD-së dhe së dyti, nuk pati asnjë proçedurë statutore të ndjekur për verifikimin e mandateve të delegatëve dhe çfarëdo lloj gjëje që ndodhi atje. Unë do të kisha dashur që kjo të zhvillohej brenda kornizës së Partisë Demokratike, siç është bërë 31 vite me rradhë.
Pyetje: A besoni se aty ishin vërtetë 4900 delegatë?
Jorida Tabaku: Nuk di të të them, sepse nuk kishte transparencë. Di të të them se si u verifikua për anëtarët e Këshillit Kombëtar në PD me kamera, votim të hapur, transparenc, me numërim votash, me lexim emrash nominativ, një nga një. Për diçka që nuk kam informacion dhe nuk ka transparencë e kam të pamundur që të flas.
Pyetje: A është Berisha minues demokracisë siç deklaroi z. Basha dje?
Jorida Tabaku: Unë do të preferoja të flasim për situatën në PD dhe se si ta kalojmë këtë situatë në PD.
Pyetje: Ju personalisht jeni e zhgënjyer nga z. Berisha?
Jorida Tabaku: Po të them edhe një herë se preferoj të diskutojmë më situatën në PD dhe të fokusohemi tek 18 dhjetori.
Pyetje: Si mund të tejkalohet kjo situatë?
Jorida Tabaku: 18 dhjetori, duke treguar me qetësi, me matyri dhe qëndrueshmëri që PD në shumicë pavarësisht se nuk bën zhurmë, nuk është shumë televizive, nëpër ekrane që sulmojnë njëri-tjetrin, PD në shumicë më 18 dhjetor do të jetë atje. Deputetët, strukturat me të gjitha vështirësitë se e thash që nuk e mohojmë dot që ka ditë të vështira, me të gjitha vështirësitë, janë në terren duke punuar për Kuvendin e vetëm zyrtar dhe ligjor të PD më datën 18 dhjetor.
Pyetje: Si zgjidhet kjo situatë me maturi?
Jorida Tabaku: Kjo situatë me maturi zgjidhet duke njohur strukturat që ti i ke votuar vetë, duke vazhduar procesin ligjor e statutor që PD ka ndjekur në këto 31 vite dhe duke vazhduar me institucionet zyrtare të PD-së. Unë besoj që ia kemi borxh demokratëve, shqiptarëve, që të fokusohemi tek beteja jonë me kundërshtarin tonë politik.
Pyetje: A mund të ekzistojë mundësia e një marrëveshje mes z. Basha dhe z. Berisha në këtë situatë që ndodhet PD dhe për ta shpëtuar PD-në nga përçarja e mëtejshme?
Jorida Tabaku: Nuk të flas dot për diçka që është jashtë kompetencës sime dhe jashtë vullnetit të dy individëve të tjerë. Unë besoj që dëshira e të gjithë demokratëve sot dhe kujtdo që ndjek zhvillimet në PD është që kjo situatë të kalojë sa më shpejt që edhe ne të kthehemi në punët e rëndësishme si ajo e inceneratorëve me të cilën nisëm edhe bisedën bashkë.
Pyetje: Çfarë do të ndodhë të shtunën më datë 18, cili është rendi i ditës?
Jorida Tabaku: Do të jetë Kuvendi zyrtar i PD-së. Është propozuar që në rendin e ditës të jenë strategjia dhe vizioni përsa i përket kampit opozitar në 4 vitet në vijim. Është një Kuvend reflektimi që besoj se duhet të bëjë shumë gjëra ndryshe sepse ne patëm një Kuvend në Korrik me të cilën nuk arritëm dot që ta tejkalojmë veten tonë. Ndoshta të njohim dhe të pranojmë situatën në të cilën jemi dhe besoj se do të jetë jë Kuvend shumë ndryshe i PD-së.
Pyetje: Z. Berisha deklaroi dje se që në këtë datë do të mblidhen edhe firmat për referendumin që do të çertifikonte shkarkimin nga detyra të z. Basha, ju dhe të gjithë lidershipin e PD pikërisht në këtë datë.
Jorida Tabaku: Nuk e kam ndjekur dot këtë deklaratë. Ne ishim paralelisht në një mbledhje tjetër por di të të them që PD ka struktura të zgjedhura, ka kryetarë të zgjedhur nëpër degë të cilët janë të fokusuar tek pjesëmarrja me datë 18 në Kuvendin Kombëtar të PD.
Pyetje: A po minohet demokracia në këto akte që po shohim në selinë e partisë më të madhe opozitare në vend, PD-së?
Jorida Tabaku: Po më përsërit të njëjtën pyetje dhe po të kthej po të njëjtën përgjigje. Askush nuk ndihet mirë për ditët të cilat po kalojmë në PD dhe shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt.
Pyetje: Ndërsa ju jeni duke u përgatitur për Kuvendin e ligjshëm siç e konsideroni ju zonja tabaku, të datës 18, nga ana tjetër ndodh kjo që ndodh brenda selisë së PD. Ju thoni se punohet, ndoshta nga të dy palët, por ju flisni për pjesën tuaj që e gjithë kjo situatë të zgjidhet me maturi. Të arrihet një zgjidhje me maturi. Duket pak e vështirë për t’u besuar kjo kur shohim këto akte në selinë blu. Pra, ata ju kanë shkarkuar, po vijnë dhe po ju marrin zyrat zonja Tabaku.
Jorida Tabaku: Nuk e konsideroj si marrje zyrash. Vijnë bëjnë një mbledhje dhe largohen. Zyra ishte lënë qëllimisht hapur. Të mos merremi me gjëra të vogla. Diskutimi nuk diskutim zyrash dhe vulash, për mua është diskutim institucionesh, statuti, fryme partie,. Është diskutim historie e kësaj partie se çfarë ka ndodhur gjithmonë në këtë parti dhe çfarë do të ndodhë. Nuk po bëjmë asnjë gjë ndryshe nga ajo që është bërë më parë.
Pyetje: Nëse mund të flasim për një zgjidhje konkrete për ata që na dëgjojnë, ta kuptojnë. Cila do të ishte zgjidhja konkrete në këtë situatë që ndodhemi?
Jorida Tabaku: më konkretisht se sa të themi që ne jemi duke punuar për Kuvendin e datës 18 për të parë se çfarë ndodh aty dhe çfarë propozimesh të tjera mund të ketë përveç rendit të propozuar të ditës, unë nuk e di se çfarë mund të them. Zgjidhje konkrete këtë shoh.
Pyetje: Po, por pala tjetër nuk e njohin si të ligjshëm si Kuvend, prandaj po ju pyes.
Jorida Tabaku: kolegët e mi që sot fatkeqësisht nuk ndodhen në të njëjtën anë me mua, votuan në Kryesi, ishin pjesë e vendimit të kryesisë, ngritën dorën, abstenuan, votuan kundër, pork y është vendimi, kjo është shumica.
Pyetje: Po e mbyll me një pyetje që e bëra pak më parë dhe nuk e mora në fakt përgjigjen. Zonja Tabaku, ju keni qenë ndër ata persona që e keni vlerësuar zotin Berisha, si e gjykoni sot aktin e tij?
Jorida Tabaku: Unë e kuptoj që sot ti do të marrësh shumë përgjigje nga unë që nuk I ke marrë. Po të them edhe një herë, kundërshtari im i vetëm është Edi Rama dhe PS. Dua që t’i kalojmë këto ditë në PD për t’u fokusuar tek lufta e vërtetë dhe për të punuar për qytetarët shqiptarë dhe përpata që na kanë votuar.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/