Ish kryeministri Sali Berisha tha në fjalën e tij sot në kuvendin e PD-se, se në rast se DASH do të japë prova ndaj tij, ai do të merrte vendimet e duhura personale.
Sipas Berishës në rast se kjo nuk ndodh ai do të vijojë përpara me planin e tij për ta risjellë PD-në në pushtet, dhe për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.
Në vijim ish kryeministri Sali Berisha ka përshkruar ambasadoren amerikane Yuri Kim, për të cilën thotë se sillet si një guvernatore, dhe nuk denoncon krimin dhe korrupsionin që është ulur këmbëkryq nën qeverisjen e Edi Ramës.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Dua t’iu them këtyre zyrtarëve, se ne jemi një komb i lashtë. SHBA kanë bërë për liritë e shqiptarëve më shumë se kushdo tjetër në botë, është e trishtuar, e dhimbshme që të shohësh ambasadoren e SHBA që të sillet si guvernatore në vendin tonë, njësoj si ambasadori i Jugosllavisë vite më parë.
Miqtë e mi perandoritë e harrojnë këtë, presidenti i SHBA ka dekretuar në vendin tonë, një përfaqësuese të kombit të tij, por çfarë ndodhi në këto vite. E paimagjinueshme, në kulmin e mbulimit me drogë të Shqipërisë, përfaqësuesi i vendit të madh përgëzon Shqipërinë, në kulmin e korrupsionit, dhe kthimin e shqipërisë në protektorat të krimit të organizuar, përfaqësuesi i shtetit të madh sulmon opozitën për qëndrimet e saj.
Në një kohë kur, me shumë të drejtë, propozohen dhe ndëshkohen nga drejtësia trafikantë të ndryshëm, një trafikantë tjetër dërgohet në shtëpinë e bardhë. A nuk janë këto standardet më të dyfishta?
Miqtë e mi, dhe më keq akoma, një ditë në Maj të këtij viti, DASH shpall non grata SalI Berishën që kishte hequr dorë nga çdo rol, që ishte lavdëruar më shumë se kushdo tjetër për luftën ndaj korrupsionit.
Shpalli non grata njeriun që nuk kishte pasur kurrë një akuzë të ngritur ndaj tij apo familjarëve të tij për korrupsionin, shpall non grata njeriun që kishte bërë gjithçka për luftën ndaj korrupsionit.
Shpall non grata një njeri që kishte përmbysur nën drejtimin e kësaj partie, njeriun që kishte rrëzuar diktaturën më të egër komuniste.
Në qeverisjen e tij kishte realizuar marrëdhëniet më miqësore me shtetin e lirive të mëdha, kishte bërë projektet e shekullit në energji dhe fusha të tjera, kishte anëtarësuar Shqipërinë në NATO, dhe kishte mbështetur çdo vendim të SHBA për sigurinë dhe paqen.
Kam muaj e muaj që pres, dhe nuk kanë paraqitur asnjë provë. Edhe njëherë iu bëj thirrje përfaqësuesve të DASH që të çojnë qoftë edhe një provë në gjykatën e Parisit, dhe unë marr çdo vendim për personin tim.
Kushdo që ka një provë ta paraqesë atë publikisht, në të kundërt, duke qëndruar i përulur ndaj të vërtetës, do të vazhdoj misionin tim, si besimtar i zotit dhe dinjitetit të njeriut, nuk do të ndalem kurrë.
Ftoj zyrtarët e DASH që të rishikojnë vendimin e tyre, sepse arroganca nuk është virtyt i njerëzve të lirë. Unë do të vazhdoj i palëkundur misionin tim bashkë me ju, për të përmbysur narkoshtetin, për të sjellë PD në pushtet, si parti e vlerave të lirisë, si parti që do të integrojë Shqipërinë në BE, aleate besnike të NATO, që sdo të lejojë kurrë që Shqipëria të bjerë në zona të tjera influence përveç tyre. Të rithemelojë PD, që do ta shndërrojnë Shqipërinë në vendin e bekuar për qytetarët, ku të ndërtojnë të ardhmen për veten dhe fëmijët e tyre.
PD ngrihet fuqishëm si parti e interesit kombëtar, e cila do ti japë fund hegjemonisë së kriminelëve të Beogradit në Ballkan. Grupi kriminal që udhëheq sot Beobradin, është iniciator i gjenocidit serb në Bosnje në Kosovë. Asnjëherë Tirana, nuk ka qenë si sot epiqendër e luftës së ftohtë kundër Prishtinës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/