Fjala e ministrit të Brendshëm Çuçi në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, të Shqipërisë e Kosovës:
Të nderuar kryeministra,
Të nderuar kolegë,
Kam kënaqësinë që të nënshkruaj sot 3 marrëveshje shumë të rëndësishme. Nuk dua të zgjatem sepse kolegu i përshkroi shumë mirë dhe imtësisht, por dua të them se kush është ‘bereqeti’ i ditës së sotme në këto marrëveshje.
Dua ta filloj me lejet e qëndrimit. Kemi bërë një kapërcim shumë të rëndësishëm për të lehtësuar lejet për të jetuar në të dy anët e kufirit të shqiptarisë, duke bërë të mundur që çdo shtetas shqiptar në Kosovë, apo çdo shtetas i Kosovës në Shqipëri, mjafton të plotësojë një formular, të ketë një dokument identifikimi sigurisht, dhe të deklarojë një adresë të përshtatshme, dhe menjëherë pa asnjë procedurë shtesë ai merr lejen 5-vjeçare, dhe pastaj pa diskutim që menjëherë do i takojë leja e përhershme, pa pasur nevojë për të bërë aplikim tjetër. Por më e rëndësishmja në këtë pikë është fakti që tashmë kjo leje qëndrimi unifikohet dhe është e njësuar me lejen e punës. Një kalvar që shtetasit tanë në të dy anët e kufirit, në fakt e kanë hequr në kurriz deri më sot. Do të thotë që pa asnjë dokument, as edhe një dokument, vetëm kjo leje qëndrimi që merret me kaq lehtësi saç e përshkrova unë, çdo shtetas ka të drejtë të punojë në të dy anët e kufirit. Pra, nuk ka nevojë për asnjë aplikim, për asnjë dokument për të marrë leje pune, për të punuar një shtetas i Kosovës në Shqipëri, apo një shtetas i Shqipërisë në Kosovë. Besoj se ky është një lehtësim shumë i madh dhe do ta lehtësojë shumë qarkullimin e kapitalit njerëzor, dhe do ta bëjë një treg të përbashkët në këtë pikëpamje, tregun e madh të shqiptarisë.
Marrëveshja e dytë ka të bëjë me hapjen, apo kalimin në një status tjetër të kufirit midis Shishtavecit dhe Krushevës, duke bërë të mundur që tashmë këtë pikë kufitare mos ta përdorin vetëm vendasit që jetonin në Shishtavec apo Krushevë, ashtu siç ka qenë regjimi deri tani, por të gjithë shtetasit, qoftë të Kosovës, qoftë të Shqipërisë, por edhe shtetasit e huaj, që duan të vizitojnë këtë trevë kaq të mrekullueshme. Kjo krijon një arterie tjetër po kaq të rëndësishme për lëvizjen e kapitalit njerëzor, e biznesit, e turizmit, e shërbimeve dhe besoj se përfitimi do jetë i drejtpërdrejtë qoftë nga pikëpamja ekonomike, qoftë nga pikëpamja e shkëmbimit kulturor, dhe qoftë nga pikëpamja e përfitimeve që vijnë si rezultat i turizmit.
Marrëveshja e tretë, jo pak e rëndësishme është marrëveshja që do të mundësojë lehtësimin, apo lejet e posaçme që do të marrin banorët e zonave kufitare të të dyja vendeve, për të lëvizur lirisht jo vetëm në pikat kufitare. Pra do të krijohet një etnitet territorial-administrativ, i njëjtë 30 km në brendësi të Shqipërisë dhe 30 km në brendësi të Kosovës ku shtetasit në të dy anët do të përfitojnë shërbime të njëjta në Kosovë dhe në Shqipëri, sikur të jenë shtetas përkatësisht të të dy shteteve. Këtu përfitimi nuk është i vogël, janë rreth 300 mijë banorë, që do të përfitojnë drejtpërdrejt nga ky lehtësim. Do të thotë që mund të ndjekë lirisht shkollën që nga fillorja e deri në të mesmen, në varësi të vendndodhjes së institucioneve arsimore në të dy anët e kufirit. Mund të shkojë të punojë në të dy anët e kufirit, pa pasur nevojë për asnjë dokument, për asnjë leje, pra me një qarkullim krejtësisht të lirshëm.
Mendoj se kemi sjellë një paketë që ka krijuar një mjedis krejt tjetër, për sa i takon lirisë dhe trajtimit të të dy vendeve, si një vend unik, pa pasur nevojë për burokracira shtesë, që krijohen nga fakti që jemi dy shtete të ndryshme.
Nga ana tjetër, nuk është pjesë e marrëveshjes, por me kërkesën e Kryeministrit të Shqipërisë dhe Kryeministrit të Kosovës në mbledhjen e fundit; – z. Kryeministër, – kemi marrë masat dhe ne nuk do të presim sezonin e verës për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve, sidomos në pikën kryesore të kalimit të dy vendeve tona. Kemi rënë dakord me Ministrin e Brendshëm të Kosovës që do të vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim. Kamerat do të regjistrojnë vetë çdo gjë, për sa i takon identitetit të makinës që kalon nëpërmjet leximit të targës me kamera dhe çdo gjë do të jetë automatike, pa pasur nevojë që të ndalojë fare në kufi. Kjo është një përpjekje që të dy bashkë e kemi ndërmarrë tashmë. Kemi bërë edhe planin e punës për këtë shkak dhe mendoj që do jetë shumë shpejt se sa fillimi i sezonit.
Ndërsa për sa i takon flukseve të tjera që do të jenë, sigurisht të mëdha dhe jo të zakonshme, përpara sezonit, duke përfshirë këtu edhe festën kombëtare të datës 28 nëntor, ku lëvizja në të dy anët e kufirit do të jetë sigurisht me një fluks të shtuar, kemi dhënë porosi, në të dy anët e kufirit që të mos ketë kontrolle dhe asnjë pengesë për qarkullimin e shtetasve në periudhën e fundjavës së gjatë që krijon festa kombëtare, 28 nëntori! Kështu që besoj se jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar tashmë një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar që ne jemi dy shtete të ndryshme.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/