Kreu i PD, Lulzim Basha tha sot se është i vetmi drejtues i PD qe ka fituar drejtëpërdrejtë ndaj Edi Ramës. Sipas tij çelësi i fitores për bashkinë e Tiranës më 2011 ishte se përjashtoi Berishën nga fushata e tij. Në vijim Basha refuzoi të komentonte non gratan e Berishës.
Pyetje: Z.Berisha dhe mbështetësit e tij në foltore ngrenë dy shqetësime kryesore për PD përtej aktit tuaj të pezullimit. Së pari, me ju kryetar PD njeh vetëm humbje, pra ju nuk jeni nja kandidat fitues përballë Ramës dhe së dyti ju i merrni vendimet vetë, pa pyetur forumet e PD. Cila është e vërteta e disa prej vendimeve tuaja të mëdha në opozitë, si djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale të 2019, marrëveshja e 5 qershorit 2020. A ka pasur një dualizëm me Berishën në drejtimin e PD dhe sa ka ndikuar ai në keto vendime nëse ka ekzistuar? Pse Berisha i konteston tani këto vendime dhe ju akuzon ju, ndërsa ju ka mbështetur kur këto vendime janë marrë?
Lulzim Basha: Pikë së pari dua ta them qartë sepse është një fakt i ditur publikisht që unë jam i pari dhe i vetmi kandidat që ka mundur Edi Ramën në garë të drejtpërdrejtë për bashkinë e Tiranës. Nuk e kam thënë çelësin e fitores deri më sot, por tani është momenti ta them. K qenë vendimi për të përjashtuar Sali Berishën nga fushata për Tiranën. Gjatee këtyre viteve ekspertë dhe kompani të specializuara të fushatave elektorale në bazë të studimeve të tyre kanë rekomanduar vazhdimisht moskandidimin e Sali Berishës në raport me interesat elektorale me Partinë Demokratike. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se gjerësisht perceptohej një dualizëm në Partinë Demokratike. Protagonizmi i Sali Berishës merrte trajtat nga ana e perceptimit publik të një dualizmi në vendimmarrjen e Partisë Demokratike. Sigurisht kam edhe unë përgjegjësitë e mia. Ai duhet të ishte larguar vetë, duhet të kishte lënë Partinë Demokratike, kryetarin e zgjedhur të hapnin rrugën e re që hap çdo parti e re në opozitë, por edhe unë kam përgjegjësitë e mia në lejimin e këtij dualizmi. Për vendimet që janë marrë mund t’ju them fare qartë dhe këto janë të arkivuara dhe mund të nxirren nga çdo arkivë mediatike që janë vendime të konsultuara me të gjitha forumet e Partisë Demokratike dhe në rastin e vendimeve që ju përmendët vendime të kërkuara me ngulm nga Sali Berisha.
Pyetje: Z.Basha, pozita ku u gjendet ju në 9 shtator është pa të ngjarë, pasi nga njëra anë ju në këto 8 vite në opozitë keni pasur si kartë morale dekriminalizimin e politikës dhe keni kërkuar largimin nga politika të të shpallurve non-grata nga SHBA, ndërsa u përballët vetë me një kërkesë nga SHBA me liderin historik të PD si i shpallur non-grata për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë. Pse e ndërmorët vetë këtë akt dhe nuk e shtruat në forumet e PD për ta bërë më legjitim vendimin?
Basha: Jam një kryetar i zgjedhur sipas statusit me parimin një anëtar një votë. Ky nuk është privilegj, por përgjegjësi. Përgjegjësia që merret nga anëtarësia, është që lidershipi të marrë vendime të tilla, te bazuara në statut dhe rregullorja, të miratuara kur Berisha ka qenë anëtar i PD. S’mundet kurrsesi që të ishte një akt lidershipi që të vendosja cilindo forum, kryesi, para zgjedhjeve që nuk është zgjedhje mes SHBA dhe Sali Berishës. Është barra e lidershipit, arsyeja se pse demokratet e zgjedhin kryetarin me këtë parim. Kjo rregullore është miratuar në 2018-ën.
Pyetje: Në vazhdim të ketij perceptimi dhe të pretendimeve të zotit Berisha, ky vendim sipas tij dhe nje pjesë te opinionit publik që e mbështesin është marrë nga Departamenti i Shtetit i lobuar nga multimiliarderi George Soros dhe kryeministri Rama për të fragmentizuar opozitën në Shqipëri dhe për ta dobësuar atë. Në planin afatshkurtër kjo po duket PD-ja sot është e përçarë. Ju si do t’i përgjigjeshit këtij perceptimi.
Lulzim Basha: Edhe njëherë vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një vendim që nuk e komentoj ndërsa qëndrimet e zyrtarëve të dy partive kryesore kanë qenë në unison. Për Shqipërinë në fokusin e tyre është dhënia fund e pandëshkueshmërisë dhe nuk ka patur asnjë qëndrim ndryshe nga ata zyrtarë të lartë, senatorë, kongresmenë republikanë në raport edhe me shpalljen e zotit Berisha non grata. Nuk e di se cilit qëndrim i referohet zoti Berisha ku shprehet se ka qëndrime të ndryshme. Sepse qëndrimet zyratare të përfaqësuesve zyrtarë të Kongresit të Senatit dhe të administratës amerikanë kanë qenë në unison.
Pyetje: Në librin tuaj Misioni im ju e keni kundërshtuar konceptin e vrasjes së babait. Madje keni shtjelluar më tej se kjo nuk është në traditën partive të djathta vrasja e babait, por është një akt i partive të majta. Në fakt akti që ju morët me zotin Berisha me pezullimin nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike a nuk është një vrasje e babait tuaj politik? Dhe si do t’i përgjigjeshit akuzave të zotit Berisha në planin personal që ju jeni besëprerë me këtë akt?
Lulzim Basha: Nëse ka një njeri në pozitat e një drejtuesi partie që nderon trashëgimi politike dhe respekton parardhësin në gjirin e Partive Popullore Europiane apo kudo në planet ky jam unë. E kam treguar këtë duke treguar vlerat më të mira konservatore dhe traditën më të mirë të konservatorizmit shqiptar dhe konservatorizmit politik. E kam bërë në nderim të gjërave pozitive që Sali Berisha dhe ekipi i tij pjesë e të cilit kam qenë edhe unë ka bërë për Shqipërinë. Sigurisht duke tejkaluar edhe pjesët negative për të cilën kemi paguar koston tonë sa herë që jemi votuar nga shqiptarët për të dalur në opozitë. Kam vazhduar ta bëj këtë edhe kur kishte thirrje publike për linçimin e tij. Dhe e kam bërë edhe në momentin kur Shtetet e Bshkuara të Amerikës kanë bërë presionin maksimal për largimin e tij nga Partia Demokratike dhe largimin e tij nga parlamenti duke vendosur pezullimin e tij nga Grupi Parlamentar pa e larguar as nga Partia Demokratike, as nga parlamenti deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Shtete e Bashkuara të Amerikës, me partnerin strategjik të Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë. Kjo besoj se e shpjegon fare qartë qëndrimin tim, qëndrim që më mirë se kushdo e ka patur të qartë Sali Berisha qëndrimet e të cilit ndryshojnë si nata me ditën, si e bardha me të zezën. Deri para 9 shtatorit isha lideri më i mirë i Partisë Demokratike. Ndonjëherë ka tejkaluar edhe vetën e tij në atë moment. Isha kandidati më i mirë për kryeministër, isha njeriu që në jetën time kisha realizuar gjëra që Edi Ramës do i duheshin 3 jetë për t’i realizuar. Çfarë ndryshoi pas 9 shtatorit? Qëndrimi im si kryetar i Partisë Demokratike në interesin më të mirë të demokratëve dhe në interes të të nesërmes së Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë për të pezulluar Sali Berishën. Duke respektuar kështu dhe duke konkretizuar kështu angazhimin e tij që nuk do të përfshinte Partinë Demokratike dhe Grupin Parlamentar në betejën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një vendim që duhet ta merrte vetë siç kam kërkuar që ta merrte vetë. Në momentin që Sali Berisha nuk i qëndroi premtimit të bërë publik që nuk do ta përfshinte Partinë Demokratike dhe as Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike në Betejën me Shtete e Bashkuara të Amerikës përkundrazi nis një betejë ku përfshiu tërësisht Partinë Demokratike. Pa pikë diskutimi që ka qenë minimumi i vendimit që duhej të merrja me përgjegjësitë e mia si kryetar i zgjedhur me një anëtar një votë, me votë plebishitare në respekt të sakrificës së demokratëve. Sa i përket besë prerjes që është një nga sulmet më të ulëta që është bërë nga Sali Berisha këto 2 muaj. Nuk ka patur kurrë një besë midis meje dhe Sali Berishës për t’i rënë me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cënohej interesi i njërit apo i tjetrit, për të mbrojtur shpinën e njërit apo të tjetrit. Jo! Me Sali Berishën na ka lidhur një tjetër besë nëse mund ta them këtë. Që ai ka ditur ta vlerësojë edhe publikisht. Besa e vlerave euroatlantike që na çoi dhe e çoi Shqipërinë në NATO, besa e interesit kombëtar për pavarësinë e Kosovës de njohjes së saj ndërkombëtare. Besa për interesat më të mira të shqiptarëve që nga heqja e vizave, tek ndërtimi i infrastrukturës moderne. Kjo ka qenë besa nëse mund ta quajmë besën që kemi lidhur me njëri-tjetrin dhe jo t’i binim me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cënoheshin interesat personale të tij apo të miat. Kjo është e vërteta dhe gjithçka tjetër është një spekulim i pastër për të mbrojtur hallet personale të Sali Berishës. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/