GENC POLLO/ Foltorja e Beratit dhe kuvendi i partisë: përshtypje e refleksione

GENC POLLO/ Foltorja e Beratit dhe kuvendi i partisë: përshtypje e refleksione

97
0
Shares

Nga Genc Pollo

1- Beratin siç e pashë

Të premten në Berat mora pjesë në Foltoren e Partisë Demokratike, nismë prej disa javësh e zotit Berisha, ish kryetar i PD. Në këtë qytet e qark kam shërbyer dy legjislatura si deputet. Pjesëmarrësit në sallë i njihja pothuajse të tërë. Po të mos ishte situata e veçantë do të më dukej si mbledhja e radhës e kuvendit të degës së partisë. Tematika e diskutuar kapte një gamë të gjerë: nga problemet energjitike tek shkarkimi i kryetarit të partisë. Nuk munguan pasionantët panegjirikë, ndonjë me dolli rakie, për zotin Berisha; as kritikët e disa qendrimeve të diplomacisë amerikane si tolerimi, në mos justifikimi, i narko-aktivitetit të Saimir Tahirit e i dopiostandarteve në përcaktimet e personave “u ndalohet hyrja”. Dikush mallkoi mbështetjen për “qeverinë satanike Rama”. (ky formulim më befasoi paksa se nuk prisja t’a dëgjoja në këtë tubim). Kishte edhe të tjerë që shqetësoheshin se mos drejtuesit e ardhshëm të PD mbartnin tek partia një konflikt të panevojshëm me ShBA. Por të gjithë pa përjashtim e shprehën qartë se status quo në PD ishte e papranueshme dhe shihnin tek thirrja e kuvendit të jashtëzakonshëm një hap të parë për të rikthyer normalitetin e besimin në parti. Javën e shkuar takova në Berat edhe demokratë të cilët për arsye të ndryshme nuk mundën të ishin të pranishëm. Disa syresh kishin edhe ndonjë rezervë ndaj Lëvizjes së Foltores (“pse nuk foli Doktori në 26 prill?”). Por asnjë prej tyre nuk besonte se me drejtuesit aktualë Partia Demokratike mund të arrinte ndonjë sukses e aq më pak ndonjë fitore.
Ndërkohë mbi 70% e delegatëve të Kuvendit Kombëtar të partisë (po ata që u mblodhën në Tiranë më 12 qershor për të zgjedhur Këshillin e Kryesinë si dhe për të dëgjuar fjalimin e fundit të deputetit Marku) kanë nënshkruar mocionin për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm. Më thanë se në Përmet e kanë firmosur 90% e delegatëve (pjesa tjetër ndodhet në emigracion). Sondazhet tregojnë se përkrahja e anëtarësisë është edhe më lartë.

2-Bukuroshja u zgjua e po vrapon

Në përallën e vëllezërve Grimm “Bukuroshja e fjetur në pyll” vajza e mallkuar me një gjumë shekullor çlirohet nga magjia nga puthja e princit që guxoi e luftoi për të arritur tek ajo. Partia Demokratike e pas 25 prillit ishte e prekur nga mallkimi i letargjisë dhe i inercisë. Debatet gjatë zgjedhjeve partiake në maj e më pas ndikuan por nuk mjaftuan për t’a zgjuar. Shumë figura të saj asokohe injektonin ilaç gjumi me parulla si “përpara me këtë që kemi” (interesant janë disa syresh që qortojnë Doktorin që nuk foli në kohë por u mungon sensi autokritik për çka bënë apo nuk bënë ata vetë).
Sot debati e aktivizmi brenda partisë është në kulmin e vet dhe ky është një zhvillim pozitiv demokratik. Është përgjegjësi e madhe e delegatëve të kuvendit që të orientojnë një vendimmarrje të pjekur e të matur e cila e fut partinë në shinën e një opozite të fortë, serioze e të besueshme. Përgjegjësi konkretisht ka Lëvizja e Foltores e cila, ndonëse ka përkrahje masive, ka dobësinë e të qenit e personalizuar dhe jo e institucionalizuar. Përgjegjësi kanë edhe organet drejtuese aktuale të cilëve statuti u delegon disa komptenca administrative. Prezantimi i këtyre kompetencave si tagër për të refuzuar mbledhjen e Kuvendit (të iniciuar nga delegatët; sipas statutit mjafton 1/4 e tyre) është një kulm i mendësisë antidemokratike! Këshilli është organ i zgjedhur në 12 qershor nga delegatët e kuvendit; kryesia u zgjodh më pas nga këshilli. Nëse ato refuzojnë kuvendin atëhere duhet t’i përgjigjen pyetjes kë përfaqsojnë ato dhe në emër
të kujt flasin ata. Po kështu edhe teza groteske se nuk lejojmë “kongres anti-irlandez” ( këtë e them për të prishur syrin e keq; jo për origjinën e presidentit të atij shtetit). Zoti Berisha e ka bërë të qartë se problemin me përcaktimin “u ndalohet hyrja” do t’a zgjidhë personalisht pa involvuar partinë. Këtë duhet t’a demonstrojë edhe në kuvendin e partisë. Por t’a zemë një çast se delegatët janë inatosur me “irlandezët”. Pa të drejtë kuptohet!! A nuk do të ishte e udhës për organet udhëheqëse që të sqaronin anëtarët e delegatët e partisë së tyre se e kanë gabim. Duke e bërë këtë në kuvendin e jashtzakonshëm. Apo edhe në mbledhjet e degëve në çdo qark. Sepse nëse nuk janë të aftë për këtë duhet të shpjegojnë pse qenkan të aftë për të mbajtur vulën e partisë.

Genc Pollo
Anëtar I Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY