Nga Nikou Asgari
Në vitin 2017, Vinod Balashandran botoi një studim në revistën shkencore “Nature”, duke shpjeguar një fenomen interesant që ai kishte zbuluar mbi një numër të vogël të mbijetuarish nga kanceri pankreatik.
Qelizat T që qarkullonin në gjakun e tyre, kishin zhvilluar aftësinë për të identifikuar, kujtuar dhe luftuar kundër proteinave që gjenden në tumoret vdekjeprurëse. Kirurgu i Qendrës së Kancerit ”Memorial Sloan Kettering” në Nju Jork, e krahasoi atë proces me “auto-vaksinën”. Balashandran përshkroi në studim mënyrën se si duke përdorur molekulat e ARN-së mesazheve, vaksinat aktuale mund të përdoren për të përsëritur reagimin imunitar, dhe për të forcuar aftësinë e shumë pacientëve për të mbrojtur veten kundër tumoreve që kanë shpesh pasoja fatale.
Hulumtimi i tij i bëri përshtypje një shkencëtari pak të njohur në atë kohë, Ugur Shahin, kreu ekzekutiv i kompanisë gjermane të bioteknologjisë “BioNTech”. Ai u intrigua aq shumë nga ky zbulim saqë e ftoi ekipin e Balashandran në selinë e kompanisë së tij në Mainc.
Gjatë darkës në Heiligeist, një kishë gati 800-vjeçare e shndërruar në restorant buzë brigjeve të lumit Rin, bashku me shkencëtarët e kompania farmaceutike zvicerane “Genentech”, ata diskutuan mbi potencialin e vaksinave mRNA për të trajtuar kancerin e pankreasit.
Shkalla e mbijetesës tek pacientët me kancerin e pankreasit është e ulët. Sipas Shoqërisë Amerikane të Kancerit, vetëm 10 për qind mbijetojnë më shumë se sa 5 vjet, duke e bërë atë një nga format më vdekjeprurëse të sëmundjes. Sa për krahasim, 90 për qind e pacientëve me kancerin e gjirit, mbijetojnë gjatë së njëjtës periudhë kohore.
Dy vite kërkime pasuan darkën e asaj mbrëmjeje, dhe në dhjetorin e vitit 2019, 20 pacientë u regjistruan në testin e parë klinik që vlerësonte ndikimin e vaksinave mARN tek pacientët me kancer pankreatik. Por kur u shfaq koronavirusi, “BioNTech” dhe shumë kompani të tjera e drejtuan punën e tyre me mRNA tek zhvillimi i një vaksine kundër Covid-19 .
Ndërsa vaksinat mRNA të kompanive “BioNTech/Pfizer” dhe “Moderna” janë bërë të famshme, pasi e kanë reduktuar në mënyrë dramatike numrin e vdekjeve nga Covid-19, Balashandran është një nga shkencëtarët që po vazhdojnë ta përdorin këtë teknologji mjekësore për të eksploruar trajtimet për sëmundje të tjera.
Përkrahësit e teknologjisë mRNA, thonë se lufta ndaj Covid-19 është vetëm fillimi, dhe se përdorimi i saj më i gjerë paralajmëron një revolucion të vërtetë në mjekësinë moderne. Kurat për disa forma të kancerit, janë ndër disa nga fushat që po eksplorohen.
Tani kompanitë farmaceutike po i kushtojnë vëmendje fuqisë së mRNA, për të trajtuar një sërë sëmundjesh, nga gripi tek sëmundjet e zemrës dhe HIV. Ndërkohë, po zhvillohen testet e para të vaksinave mRNA kundër virusit Zika, etheve të verdha dhe sëmundjeve të rralla si acidemia metilmalonike, kur trupi nuk është në gjendje të zbërthejë proteinat.
“Pesë vjet më parë kompanitë më të mëdha hezitonin të investonin në këtë fushë. Por fakti që kaq shumë njerëz po vaksinohen me vaksinat mRNA anti-Covid, ka sjellë një ndryshim të madh”- thotë Majkëll Çoi, kreu i shkencave të jetës në “Boston Consulting Group”.
Suksesi i vaksinave ndaj Covid-19, e ka transformuar pikëpamjen shkencore dhe tregtare mbi këtë teknologji. Asnjë produkt me bazë mRNA, nuk ishte miratuar më parë entet rregullatore, deri në shfaqjen e pandemisë aktuale.
“Kjo është shpesh një kombinim midis nevojës mjekësore dhe realizueshmërisë”- thotë Shahin mbi mënyrën sesi kompania e tij ka zgjedhur sëmundjet që synon të shërojë. Fokusi i “BioNTech” ka qenë gjithmonë zhvillimi i vaksinave të individualizuara, të përshtatura enkas për të sulmuar kanceret specifike, një qasje për të cilën Shahin, një onkolog në profesion, beson se do të shënojë një revolucion në trajtimin e këtyre sëmundjeve.
Kompania e tij ka nisur ndërkohë testet me ilaçet për trajtimin e kancerit të zorrëve, gjirit, lëkurës etj. Edhe prodhuesit e tjerë të ilaçeve, përfshirë kompaninë “Moderna” po studiojnë gjithashtu zhvillimin e vaksinave të personalizuara të kancerit duke përdorur mRNA.
Ata shpresojnë të trajtojnë sëmundjet që janë ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në të gjithë botën, dhe njëherazi të futen në tregun e onkologjisë që vlen qindra miliarda dollarë. Sipas kompanisë “McKinsey”, volumi i shitjeve të terapive të kancerit parashikohet të arrijnë në 250 miliardë dollarë deri në vitin 2024, nga 143 miliardë dollarë në vitin 2019.
Vaksinat terapeutike kundër kancerit, synojnë të stimulojnë një përgjigje imune kundër tumoreve ekzistues, në vend se të parandalojnë sëmundjet, siç bën për shembull vaksina e gripit. Ato janë të përshtatura për mutacionet specifike në tumorin që ka pacienti.
Shkencëtarët heqin indet nga tumori përmes një biopsie, dhe më pas sekuencojnë mutacionet e gjetura në qelizat e kancerit. Gjetjet krahasohen me ADN-në në gjakun e pacientit, dhe më pas përdoren algoritmet për të parashikuar se cilat proteina specifike do të nxisin një përgjigje më të fortë imunitare.
Më pas këto proteina kodohen në një molekulë mRNA, e cila formon bërthamën e vaksinës së kancerit. Pasi të injektohet në trup, udhëzimet e bartura në vaksinën mRNA u thonë qelizave të trupit që të zbërthejnë proteina të caktuara, të cilat e trajnojnë sistemin imunitar të njohë mutacionet në qelizat e kancerit si agjentë të huaj, dhe më pas t’i sulmojë dhe shkatërrojë ato qeliza.
“Ne e nisëm këtë punë në vitin 2014, dhe koha nga mostrës së tumorit deri tek zhvillimi i vaksinës ishte rreth tre muaj, por tani me procesin e automatizimit më duhen më pak se 6 javë”-thotë Shahin. Vaksinat ekzistuese kundër kancerit synojnë kryesisht virusin që shkakton kancerin, sesa vetë tumorin.
Në SHBA, vaksina ndaj HPV jo-mRNA u jepet vajzave që në moshën 9-vjeçare për t’i mbrojtur kundër kancerit të qafës së mitrës, që mund të shkaktohet nga papillomavirusi njerëzor. Por përtej kancerit, testet me mRNA janë duke u zhvilluar edhe për sëmundje të ndryshme infektive.
Studimet mbi vaksinat e gripit, pritet të prodhojnë rezultate më të shpejta. Një sëmundje infektive siç është Covid-19 ose gripi, ndryshon me kalimin e kohës, ndaj vaksinat duhet të përditësohen çdo vit për llojet e reja.
Vaksinat ekzistuese të gripit përdorin versione të çaktivizuara të virusit, dhe sigurojnë 40-60 për qind mbrojtje, pasi që nga koha kur është prodhuar vaksina dhe deri sa administrohet ajo, ndodh shpesh që virusi të ketë pësuar mutacione.
Shpresohet që mRNA, e cila mund të përshtatet më shpejt, do të rrisë në mënyrë dramatike efikasitetin e vaksinave kundër gripit sezonal. Megjithatë, pavarësisht optimizmit dhe përparimeve me këtë teknologji gjatë pandemisë së Covid-19, do të duhen vite para se testet në disa fusha të nisin të prodhojnë rezultate, dhe ilaçet të miratohen nga entet rregullatore. Këto të fundit në të gjithë botën i përshpejtuan proceset e miratimit të tyre gjatë pandemisë për shkak të nevojës urgjente për një vaksinë, por kjo është një shpejtësi që nuk ka gjasa të përsëritet për ilaçet e tjera.
Marrë me shkurtime nga “Financial Times” – Bota.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/