Jorida Tabaku ishte në takim me Reeker, por e quan të padrejtë...

Jorida Tabaku ishte në takim me Reeker, por e quan të padrejtë vendimin e SHBA për Berishën

286
0
Shares

N/kryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e konsideroi një vendim të vështirë atë të Lulzim Bashës për përjashtimin nga Grupi Parlamentar i PD-së të Sali Berishës ndërsa e konsideron vendim të padrejtë atë që mori DASH për Berishën, në një intervistë në rubrikën “Opinion” në “News 24”.

Po ashtu nënkryetarja shton se vendimi i Bashës nuk i heq asgjë trashëgimisë së Berishës në PD.

PJESË NGA INTERVISTA

Përjashtimi i Berishës, ishte i duhuri?

Jorida Tabaku: Nuk kishte një mënyrë të lehtë për ta marrë këtë vendim. Këtë e them me të gjithë emocionet që ka ngjallur, sepse bëhet fjalë për Sali Berishën, individin që ka patur ndikimin më të madh në politikën shqiptare dhe në çështjen kombëtare, me arritjet më të mëdha, jo që i njeh PD, por që i njohin të gjithë shqiptarët të cilët i përjetojnë çdo ditë. Përveç infrastrukturës, arsimit, rritjes së pagave, dua të përmend liberalizimin e vizave, NATO-n.  Vendimi i z. Basha megjithëse i vështirë nuk i heq asgjë trashëgimisë që z.Berisha kishte dhe ka në PD, ndikimit që ai kishte dhe ka në politikën shqiptare. Nuk i heq asgjë respektit që kemi për të dhe shumë shqiptarë që kanë për të.

A mund të vepronte ndryshe zoti Basha, a do të ishte dorëheqja e tij një zgjidhje?

Jorida Tabaku: Nuk kishte mënyrë të lehtë se si të merrej një vendim i tillë i vështirë. Një vendim që në fakt ka qenë i imponuar, një fakt i kryer, një vendim i cili nuk ishte marrë as nga z.Basha dhe as nga PD. Ishte një vendim i cili erdhi nga një aleat, një partner, një vendim i cili ka qenë… kushdo që e kujton edhe karrierën e z.Basha, por edhe vendimet e tij në PD, besoj ka memorie të dijë se z.Basha nuk ka marrë asnjëherë një vendim kundër Sali Berishës. Ky vendim ishte një fakt i kryer. Ky vendim ishte i detyruar, i imponuar, ishte për të ardhmen e PD dhe ajo që është më e rëndësishmja, për të mos cënuar marrëdhënien e PD me aleatin tonë me SHBA-në dhe ç’ishte më e rëndësishme, për të qenë edhe në krah të z.Berisha në procesin që ai po ndjek për të kthyer dinjitetin e tij.

Më datë 30 qershor të këtij viti z. Basha ka zhvilluar një takim me z.Reeker, znj Kim, di që edhe ju keni qenë pjesë e atij takimi, dëshmitare okulare e gjithçkaje që është thënë në atë takim, është folur për këtë? Është thënë qartazi që z.Basha duhet të mbërrinte në këtë vendim për të mos prishur marrëdhëniet mes PD dhe SHBA?

Tabaku: Nuk jam e autorizuar të flas dhe nuk kam folur asnjëherë për takime dhe çfarë ndodh në diskutime me diplomatët. Ambasada amerikane ka nxjerrë një njoftim për atë takim dhe unë i qëndroj njoftimeve që ka nxjerrë ambasada amerikane për atë takim. Komenti im i vetëm është që ky vendim i padrejtë për z. Berisha nga ana e SHBA-së besoj që do të ketë mbështetjen e PD-së për ta ndjekur në çdo rrugë ligjore dhe përtej rrugës ligjore, për të mos e cënuar dinjitetin e z. Berisha.

Berisha e konsideron nul këtë vendim. Ai thotë se ai ishte një vendim i marrë jo siç duhet sepse u thye Statuti i PD-së, nuk u respektua ai, nuk u hodh në votë, ai thotë se “Nuk jam i përjashtuar nga PD. Jam aty dhe do të bëj ç’është e mundur për ta ngritur PD-në në piedestalin që meriton. Ai ka lajmëruar betejën e vetë për të mbrojtur Statuin nisur me takimet me demokratët që ai do të zhvillojë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. A duhej të hidhej në votë ky vendim?

Tabaku: Z. Basha mori një vendim të tillë për të mos krijuar konflikte të deputetëve me militantët, për të mbajtur ai përgjegjësinë dhe peshën e këtij vendimi. Për aq sa e njoh unë z. Berisha ai gjithmonë ka pasur në çdo vendim dhe veprim të tij interes primar çështjen e shqiptarëve, të Kombit shqiptar dhe se si të përmirësohet puna në PD. Jam e sigurt që çdo inisiativë që ai do të marrë dhe pavarësisht mendimeve të kundërta që mund të ndajmë, do të jetë në këtë kuadër, për të forcuar PD, për ta çuar atë në fitore. E keqja e Shqipërisë sot është Edi Rama. Me z. Berisha na bashkon lufta kundër Edi Ramës, asgjë tjetër, asgjë nuk na ndal në ktë drejtim.

A e cënon PD-në lufta që do të bëjë z.Berisha për mbrojtjen e Statutit? A e dobëson atë?

Tabaku: Z. Berisha është duke bërë një aktivitet të tij politik brenda strukturave të PD-së, për sa kohë që ai e zhvillon këtë dhe për sa kohë që ai e bën këtë brenda strukturave të PD-së mendoj se vetëm të fortë mund të dalim në fund të këtij debati. Ai nuk po përdor asnjë forum tjetër përvec PD-së.

Nuk i ka hapur luftë të hapur z.Basha me këtë betejë të vetën?

Tabaku: Unë mendoj se strukturat e PD-së do të kenë kohë të flasin por unë mendoj se kushdo nga ne që është në PD ka në interes vetëm forcimin e PD-së.

Përse z. Berisha foli për mundësinë e pazareve mes Bashës dhe Ramës deri në arritjen e marrjes së këtij vendimi  për ta përjashtuar atë.

Tabaku: Nuk i komentoj dot, ndajmë mendime të ndryshme. Nuk i komentoj dot deklaratat e tij. Unë e respektoj jashtëzakonisht shumë dhe zgjedh të mos komentoj ato që thotë ai. Nuk më vjen mirë asnjëherë kur dëgjoj deklarata të tilla. Besoj që do të kemi kohë që të gjithë të shikojmë tek fokusi tek e ardhmja dhe tek forcimi i PD-së.

E nesërmja, ju thatë se po punoni fort që nesër të jeni në pushtet. Do ta keni më të lehtë tani që nuk është z. Berisha apo më të vështirë, PD në raport me kundërshtarin dhe me të gjithë politkibërjen në vend?

Tabaku: Nuk besoj se më ke dëgjuar ndonjëherë në jetën time politike që të flas keq për një personazh, aq më tepër që të flas keq për Sali Berishën. Unë besoj që PD është e madhe, ka vend për të gjithë, PD do të dalë më e fortë pas këtij diskutimi dhe PD do të shohë nga e ardhmja, jo vetëm e saj, por nga e ardhmja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Sepse këtu bëhet fjalë për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. news24

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY