Akademiku dhe profesori Artan Fuga ka komentuar dorëheqjen e Mark Markut nga mandati i deputetit të PD-së në qarkun e Lezhës gjatë një interviste për News24, Fuga thotë se intelektualët si Marku nuk mund të gjejnë vend në politikë.
Ai thotë se ndihet i gëzuar pasi bota universitare nuk humbi një profesor, por ka ngritur shqetësimin se partitë politike nuk pranojnë mendime ndryshe nga linja e tyre duke renditur dhe disa çështje që sipas tij detyruan Mark Markun të tërhiqej.
“Profesor Markun e kam koleg e mik. Jam pak në konflikt interesi. Unë dua të them që ndihem edhe i kënaqur edhe i mërzitur. E para se bota universitare nuk humbi një profesor si Mark Marku, por nga ana tjetër kam një trishtim, sepse është një rast kur një intelektual që kërkon të japë angazhim në politikë, brenda pak muajsh e sheh që atje është e pamundur. Kam lexuar letrën e Profesor Markut. Në atë letër ai ishte dhe logjik. Unë s’mund të gjykoj vendimin e tij.
Ajo që ndjeva unë ndjeva trishtimin e tij për moskuptimin. Ai jep argumentet e një studiuesi, intelektuali dhe sheh që është i penguar. Ai ndodhet para një kongresi, që më parë merren vendime e prapa thonë diskutoni. Ai është ndodhur përpara një muri që përball shkencën e politikën. Të gjitha vendet e humanizuara bëjnë përpjekje që në pika të caktuara t’i ndërlidhin. Marku ka pasur një projekt të tillë dhe ai ka parë që logjika e universitarit në partinë ku ai do të integrohet nuk shkon.
E shikoj me trishtim këtë gjë. Si nuk ka një ekspertizë shkencore për këto ligje që merren. Politika shqiptare është piramidalizuar. Është bërë me një kulm pa institucionet përkatëse, e nga ana tjetër është e rrethuar nga një kështjellë që nuk lejon futjen e intelektualit dhe e mendimit ndryshe. Kjo që ndodhi me profesor Mark Markun, më tregon këtë lloj moskomunikimi të politikës me intelektualët.
Jam dakord me ato që ka thënë zoti Marku. Unë jam duke shprehur këtë gjë, që opozita është nisur nga një mendësi që do të shkojë në parlament dhe politikën do e barazojë me retorikën edhe kaq. Kjo lloj opozite, është një opozitë që bën sikur është opozitë. Problemi im është që PD ka tre muaj që është me pushime dhe nuk diskuton për asnjë çështje thelbësore, vetëm hedh shashka andej këndej.
Më vjen keq, ndoshta në mënyrë egoiste, sepse kur partia opozitare nuk bën opozitën. Bashkëqeverisje do të thotë që do të bëj opozitën. Nëse nuk e bën, na bie ne intelektualëve të bëjmë opozitën intelektuale, në logjikën e kësaj që do të gjykojmë politikat e jashtme. Nga kjo pikëpamje shikoj që opozita, vazhdon prej të paktën 2 vitesh që anashkalon, agjendën politike të ditës. Ky është problemi”, u shpreh Fuga.
Akademiku sakaq dha dhe mendimin e tij për ndërtimin e qeverisë së re, i paralajmëruar ky hap nga kryeministri Edi Rama për javën e ardhshme.
“Qeverinë e re e pres me padurim sepse duhet të kemi një qeveri legjitime. Sot ne kemi një qeveri që është mandatuar nga një Kuvend që nuk ka ekzistuar. Që më datën 25 prill, Kuvendi duhet të fillonte punën. Ne kemi që nga 25 prilli pa pushtet legjislativ. Pushteti legjislativ ka mbaruar dhe ai ekzekutiv ka vijuar të ekzistojë. Kjo për mua ka qenë fazë e frikshme dhe unë kam ëndërruar që mbase nuk ka ngjarje të rënda që detyrojnë shtetin shqiptar të përballet.
Të paktën po bien data që një qeveri e mandatuar nga një parlament, kjo të realizohet. E dyta kam bindjen time dhe qëndrimin tim dhe kam punimet e mia shkencore. Kam thënë që shoqëria shqiptare dhe politika janë të piramidalizuara. Kryetari i partisë është dhe kryetari i qeverisë. Është e mbledhur e gjitha në 2 a tre duar. Për mua nuk ka rëndësi kush është ministër. Le të jenë ata, ministrat shqiptarë deri më sot s’kanë bërë politikë. Qarkullon një mendim në mediat dhe propagandistët e qeverisë, që thonë se do të jetë qeveria me intelektualë.
Një ministër nuk është atje për shkakun se është ekspert, që është intelektual. Nuk po them që merr një budalla dhe vëre, duhet të ketë një diplomë, disa kompetenca, por ministri është ai që përçon një politikë, duhet të jetë ekspert, të ketë besueshmëri, të ketë identitet politik dhe më pas të jetë një shef kantieri”, tha Fuga.m.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/