Arrestohet në flagrancë nga policia e Durrësit, administratori i firmës ku do mbërrinte kontenieri, Denis Doda ndërsa kapet një sasi rreth 7 kg lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale, kanë ushtruar kontroll të detajuar në një kontenier të ngarkuar me prodhime deti që ishte nisur nga Ekuadori për llogari të firmës “Fish Co Tirana”, me qendër në Tiranë, njofton policia.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në pjesën e kapakëve të ventilimit u gjetën pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë me peshë rreth 7 kg dhe një GPS, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin D. D., 35 vjeç, banues në Tiranë (administratori i firmës ku do mbërrinte kontenieri).
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/