Hotel Harbour
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi nën sekuestro një numër pasurish të dy personave të dënuar për pjesëmarrjë në aktivitet kriminal nga Gjykata e Firences.
Bëhet fjalë për pasuritë e Armand dhe Gerti Markut si dhe familjarëve të tyre. Gjykata e Firences ka lëshuar një urdhër arrest ndërkombëtar për të dy nën akuzën e pjesëmarrjes në një grup kriminal.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka perfunduar verifikimet ne lidhje me procedimin pasuror nr.1/2021, në kuadër të zbatimit të ligjit Nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, (ligji antimafia).
Nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë është kryer hetim pasuror në lidhje me pasuritë e zotëruara nga shtetasit Armand Marku dhe Gerti Marku, si dhe familjarët e afërt të tyre. Nga hetimet e kryera është provuar se :
Shtetasi Armand Marku, rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Tiranë, pasi gjykata e Milanos me vendim nr. 1731, viti 2017 e ka dënuar me gjashtë vjet e dy muaj heqje lirie për veprat penale “Trafikim narkotikësh” dhe “bashkëpunim në krim”, parashikuar nga Kodi Penal Italian.
Po ashtu shtetasit Armand Marku dhe Gerti Marku, (Ledio Hallkokondi) janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali, me datë 09.10.2020, pasi autoritetet Gjyqësore të Firences, Itali me vendimin penal nr.9065/15 RGNR-5609/19 RG GIP, datë 25.11.2019, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Pjesmarrje në Organizatë Kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal Italian.
Pas verifikimeve të kryera, sipas kërkesës së prokurorisë fillimisht me vendimin nr.1, datë 09.01.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Tiranë, është vendosur sekuestrimi i disa pasurive në zotërim nga familjarë të afërm të shtetasve Gerti Marku dhe Armand Marku. Në përfundim të hetimeve pasurore të zhvilluara është arritur të provohet se plotësohen kushtet e parashikuara në ligj për konfiskimin e pasurive të sekuestruara sepse:
- a) ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në indicie, për pjesëmarrje të personit në veprimtari kriminale, të parashikuara në nenin 3, pika 1, të ligjit nr.10192/2009;
- b) rezulton se pasuria është, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në zotërim të plotë ose të pjesshëm të personave të përmendur në nenin 3, pika 1, të ligjit;
- c) nuk provohet se pasuria ka prejardhje të ligjshme apo personat e përmendur në nenin 3, të ligjit, nuk arrijnë të përligjin zotërimin e pasurive ose të ardhurave, të cilat janë shpërpjesëtimore me nivelin e të ardhurave apo fitimeve të realizuara nga burime të ligjshme të deklaruara prej tyre.
Prokuroria e Posaçme me datë 13.07.2021 ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin kërkesën për konfiskimin e pasurive si më poshtë:
- Pasuria e paluajtshme e llojit truall, me sipërfaqe totale 688 m2, si dhe objektin e ndërtuar mbi të, hotel “Harbour”, e ndodhur në zonën “Turizëm Kanali i Çukës” Sarandë, në pronësi të shtetasit Petro Branko.
- Pasuria e paluajtshme e llojit truall, me sipërfaqe 688 m2, së bashku me objektin përkatës të ndërtuar mbi të një pishinë, e ndodhur në zonën “Turizëm Kanali i Çukës” Sarandë, në pronësi të shtetasit Petro Branko.
- Pasuria e paluajtshme e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe 51 m2, e ndodhur në rrugën Don Bosco, Tiranë, e blerë në vitin 2017 me çmim 105 000 euro.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/