Cuci paralajmëron ndryshime drastike në hierarkinë e Policisë së Shtetit brenda javës:...

Cuci paralajmëron ndryshime drastike në hierarkinë e Policisë së Shtetit brenda javës: Nuk ndalojmë sherrin mes fqinjëve në mes të natës!

157
0
Shares

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka paralajmëruar një reformë në Policinë e Shtetit, me ndryshime në kupolën drejtuese, të titullarëve në nivel qarku apo çdo Komisariat në policinë e Shtetit.

“Po përgatitemi për një fazë të re të reformës e forcës parandaluese e goditëse. Brenda kësaj jave ndryshim i thellë në titullarët në nivel qarku ne cdo komisariat të territorit të Republikës”, tha ministri i Brendshëm, sot gjatë një konference shtypi.

Gjithashtu ministri Çuçi, paralajmëroi edhe një kuadër të ri rregullator për hetimin e të gjithë shoferëve që përdorin makina të shtrenjta dhe që kapen në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

“Po ashtu kuadër regullator të ri për praktika të hetimit edhe të drejtuesve të makinave të shtrenjta që kapen në mënyrë të përsëritur në kundravajtje në qarkullim. Kam vëmë re se disa flasin me të madhe për rritjen e kriminalitetit apo fataliteteve. E pavërtetë, faktet e shifrat pohojnë të kundërtën. Kjo s’do të thotë aspak që policia s’ka dobësi e të meta“, theksoi ai.

Duke komentuar vrasjet në Velipojë dhe aksidentin tragjik në autostradën Fier-Vlorë, ministri i Brendshëm Cuci tha se policia e shtetit nuk mund të ndalojë sherrin mes fqinjëve në mes të natës dhe po ashtu nuk mund të kontrollojë sipas tij të gjitha makinat që janë në qarkullim.

“Ditët e fundit jemi tronditur të gjithë nga dy ngjarje të njëpasnjëshme. Një aksident tragjik rrugor, me katër jetë njerëzish të humbura dhe një tjetër vrasje me armë zjarri ku humbën jetën 4 persona për një parcelë plazhi. I mirëkuptoj ankesat e qytetarëve. Por dua të theksoj fort se Policia e Shtetit, përtej të metave të saj dhe përmirësimit që do të bëhen, as nuk ndjek të gjitha makinat që lëvizin në rrugët e vendit dhe as pas konfliktit të fqinjëve. Policia e Shtetit ndalon, por nuk dënon shkelës kriminelë, ato i ndalon gjykata.”- tha Çuçi. a.b

DEKLARATA PËR MEDIA E MINISTRIT TË BRENDSHËM, BLEDI ÇUÇI:

Ditët e fundit jemi tronditur të gjithë nga dy ngjarje të njëpasnjëshme:
Një aksident tragjik rrugor, me pasojë katër jetë njerëzish, si rezultat i shkeljes së çdo rregulli shpejtësie nga ana e vrasësit, dhe një tjetër ngjarje me armë zjarri ku humbën jetën katër persona, për një parcelë plazhi në Velipojë.
E mirëkuptoj plotësisht shqetësimin publik që kanë krijuar këto dy ngjarje, si edhe ankesën e zëshme ndaj Policisë së Shtetit.
Por, dua të theksoj fort se: Policia e Shtetit, përtej të metave apo dobësive të saj dhe përmirësimeve të mëtejshme që duhen dhe do të bëhen, as nuk ndjek çdo makinë që lëviz në rrugët e vendit, e as nuk mund të parandalojë një sherr në orën 1 të natës mes dy fqinjëve.
Të dyja rastet fatale kërkojnë sigurisht në radhë të parë një reflektim nga të gjithë, pa përjashtim, përfshirë këtu edhe Policinë e Shtetit, të cilës gjatë Mandatit tonë të Tretë qeverisës, do t’i vihen në dispozicion edhe dronë super-inteligjente, si dhe një sistem modern monitorimi i rrugëve, që gjeneron në kohë reale gjoba për shkelësit e kufijve të shpejtësisë. Po mbi të gjithë, duhet të reflektojnë gjykatësit që nuk kanë kaluar ende procesin e Vettingut, dhe që operojnë rëndom me parimin ‘Kap ça të kapësh’. Sepse Policia e Shtetit ndalon, por nuk dënon shkelës e kriminelë, ata i dënon GJYKATA.
Mjafton t’ju marrë një shembull:
Ne kemi shtrënguar masat kundër armë mbajtjes pa leje, ku vetëm këtë muaj, pra në Qershor, në tri raste si ai i Shkodrës, Vlorës dhe Fierit, janë ndaluar në flagrancë nga strukturat e Policisë së Shtetit për armëmbajtje pa leje, tri shtetas, madje në një rast arma e zjarrit që mbahej pa leje kishte fishek në fole gati për qitje.
Por fatkeqësisht, prokurorët dhe gjyqtarët, si rasti i prokurores Edlira Cufi në Shkodër, apo dyshja e prokurores Elona Alvora dhe gjyqtari Albert Spiro në Vlorë, si dhe prokurori Erind Rahovica dhe gjyqtari Pirro Sota në Fier, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës, kanë dhënë masa lehtësuese duke i çuar në shtëpi të pandehurit, megjithëse minimumi i dënimit për këto vepra penale është 3 vjet heqje lirie.
Ose, nga ana tjetër, pavarësisht shtrëngimeve të reja të futura rishtazi në Kodin Rrugor, vendimet e disa gjykatësve të tjerë, për aksidentet rrugore me pasojë vdekjen apo plagosjen, janë në gjykimin tonë skandaloze dhe në keqinterpretim të ligjit.
E pra, këto janë fakte që dëshmojnë qartë nevojën për një reagim të shpejtë dhe energjik nga ana e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe strukturave të reja drejtuese të sistemit gjyqësor, ndaj individëve papërgjegjshmërisht të rrezikshëm për shoqërinë tonë.
Këto sa përmenda nuk janë ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe institucioneve të tjera të pavarura, por shembuj ulëritës të asaj se si nuk duhet të jetë forca e ligjit ndaj atyre që e shkelin atë.
Jo më pak skandaloze ka qenë edhe gjendja me marrjen në administrim të plazheve: Tanimë ka rregull e procedura transparente në ndarjen e tyre përmes shërbimit nga platforma e-Albania. Policia e Shtetit nuk ndan parcela plazhesh për administrim, po vetëm zbaton ligjin për mosprekjen e hapësirave të plazheve publike të cilat janë rikthyer njësoj si edhe mbrojtja policore ndaj ndërtimeve pa leje, pas dekadash xhungëlizimi të zonës bregdetare.
Kam vënë re se disa flasin me të madhe për rritjen e kriminalitetit apo të fataliteteve në qarkullim. Por kjo është thjeshtë e pavërtetë dhe faktet e shifrat pohojnë krejt të kundërtën.
Përsëris, kjo nuk do të thotë aspak se Policia e Shtetit nuk ka dobësi e të meta dhe pikërisht pse jemi të vetëdijshëm për këtë, po përgatitemi për një fazë të re të reformës dhe të forcës parandaluese dhe goditëse të Policisë së Shtetit.
Brenda kësaj jave, do të nisë një ndryshim i thellë me titullarët e strukturave të policisë së shtetit në nivel qarku, që do të shtrihet hap pas hapi në nivel kapilar në çdo komisariat të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Po ashtu, do të krijojmë një kuadër rregullator të ri, për të futur praktika të hetimit të të ardhurave të drejtuesve të makinave të shtrenjta që kapen në mënyrë të përsëritur në kundërvajtje ligjore në qarkullim.
Nga ana tjetër, do të çohet më tej dhe do të përfundojë pajisja e efektivëve të qarkullimit me kamera trupi.
Komisariati Digjital po forcohet nga pikëpamja teknologjike dhe operative, dhe më herët sesa vonë, do të jetë në dispozicion të çdo qytetari për t’u bërë krah i Policisë së Shtetit ne identifikimin dhe ndëshkimin e shkelësve të ligjit.
Më lejoni të përfundoj duke i siguruar të gjithë se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për sfidat e kohës dhe nevojat e çdo qytetari shqiptar, ndaj garantoj se shumë shpejtë, të gjithë do ta prekin ndryshimin e mëtejshëm për mirë të Policisë së Shtetit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY