Të gjitha arsyet se pse u ndëshkua prokurori Anton Martini

Të gjitha arsyet se pse u ndëshkua prokurori Anton Martini

181
0
Shares

Prokurori Anton Martini

Nga Edmond Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të enjten vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Anton Martini. Vendimi u mor nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar Ardian Hajdari, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtarë Natasha Mulajn, Rezarta Schuetz e Sokol Çomon.

Në seancën e shpalljes së vendimit prokurori Martini nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga avokati Julian Mërtiri.

Ish-kandidati për SPAK, prokurori Anton Martini kaloi shkallën e parë të rivlerësimit në janar 2020 me shumicë votash. Vendimi u ankimua në qershor, disa javë pas afatit, por Komisioneri Publik argumentoi se veprimtaria e tij ishte pezulluar për shkak të pandemisë.

Gjatë paraqitjes së konkluzionve përfundimtare më 1 qershor, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin e Martinit nga detyra. Martini e cilësoi qëndrimin e Komisionerit Florian Ballhysa në kundërshtim me interesin publik.

Ballhysa konkludoi se prokurori Martini ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm lidhur me burimin e krijimit të apartamentit me sipërfaqe 97,16 m2 dhe garazhit në Tiranë. Sipas Komisionerit, subjekti nuk ka deklaruar gjatë periudhës 2007-2010 gjendjen e likujditeteve cash të krijuara pas tërheqjes nga banka në vitin 2007 të shumës 37 mijë e 400 euro, që përfaqëson një kredi të marrë me kushte lehtësuese po atë vit.

Për profesionalizmin, Komisioneri Ballhysa pretendoi se prokurori Martini nuk kishte kryer veprime hetimore për çështjen me të dëmtuar gazetarin A.Xh., i cili është ankuar ndaj subjektit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Po ashtu, Komisioneri kërkoi edhe verifikimin e denoncimit të ish-punonjësit të policisë Dritan Zagani, i cili pretendonte zvarritje të procesit për shkak të mos transferimit të dosjes nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë të Fierit, si dhe një denoncim anonim ku ngrihej si problem ndarja e çështjeve në Gjykatën e Shkodrës.

Përfaqësuesi i prokurorit Anton Martini, Julian Mërtiri kërkoi që ankimi të mospranohej për shkak të dorëzimit jashtë afatit. Ai theksoi se ashtu si ILDKPKI, edhe Komisioni ka konkluduar se subjekti kishte pasur mundësi reale për pagesën fillestare për apartamentin në vlerën 50 mijë euro.

Lidhur me denoncimin e gazetarit A.Xh., avokati Mërtiri pohoi se prokurori Martini kishte kryer dhjetra veprime hetimore dhe se subjekti kishte ngritur akuzë ndaj autorëve dhe e kishte dërguar çështjen në gjykatë.

Për ndarjen e çështjeve kur Martini drejtonte si i komanduar Prokurorinë e Shkodrës u tha se nuk kishte pasur asnjë ankesë. Ai shpjegoi se për dosjet që kishte qenë e pamundur të shpërndaheshin me short elektronik, ishin ndarë me short manual.

Gjatë leximit të vendimit të përmbledhur, kruesuesi Hajdari tha se prokurori Martini ka kryer deklarim të pasaktë në deklaratën veting për pagesën e parë të këstit të parë të një apartamenti me sipërfaqe 97,16 m2 në Tiranë. Sipas Kolegjit, ka rezultuar se subjekti ka edhe mungesë burimesh të ligjshme për pagesën e këtij kësti. “Subjekti ka mungesë burimesh për krijimin e pasurisë, kursimeve dhe shpenzimet për periudhën 2003-2016”, pohoi kryesuesi Hajdari.

Shkaqet e ankimit për profesionalizimin nuk u konsideruar të mjaftueshme për shkarkimin e prokurorit Martini, por në vlerësim të çështjes në tërësi u konkludua se kishte cënuar besimin e publikut nëpërmjet përdorimit të kredisë me kushte lehtësuese për blerjen e bonove; komunikimet telefonike me avokaten E.Ç që u vlerësuan në cënim të etikës së magjistratit; si dhe u konsiderua se kishte dështuar të shpërndante në mënyrë objektive dhe transparente dosjet gjatë përiudhës kur drejtonte prokurorinë e Shkodrës.

Në përfundim, Kolegji vendosi ndryshimin e vendimit të KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit Martini dhe shkarkimin e tij, duke e larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY