Një ode e poetit romak, Horac fillon me fjalët “Exegi monumentum”. Një monument kam ngritur, më jetëgjatë se bronzi, as shiu dhe as era e veriut nuk mund ta prekin, vazhdon poeti. Këtë motiv e kanë marrë edhe poetë të tjerë, më i famshmi mes tyre Pushkini, që në “Exegi monumentum”-in e tij shkruan se shtegut të popullit tek monumenti i tij asnjëherë nuk do t’i zihet rruga.
Peter Handke është një autor, që nuk i kanë munguar mesazhet. Kësaj teme ai nuk i ka kushtuar vetëm një ode, por edhe shumë vepra të tjera i kushtohen pikërisht kësaj teme: veçanësisë dhe lartësimit të ekzistencës së tij si shkrimtar. Por ndryshe nga Horaci dhe Pushkini ai nuk duket se është shumë i bindur për përjetësinë e veprës së tij letrare. Kështu ai pranoi nderimin e bërë, të përurojë personalisht përmendoren e tij. Në fotot e bëra më 7 maj 2021 në Banja Luka, kryeqyteti i Republikës Srpska, ai shihet në afrimitet me politikanë serbo-boshnjakë si Milorad Dodik. Nuk duket as edhe një grimë i shqetësuar për skulpturën mbidimensionale, që e tregon atë si një bohem elegant me kokë të madhe, në këmbë këpucë shtegtari, simboli i tij.
Nderim në ditën e përkujtimit të shpërthimit të xhamisë
Ky monument ndodhet para rezidencës qeveritare, prandaj nuk pritet që t’i zihet rruga. Horaci dhe Pushkini ka gjasë të mos kenë qenë shumë të sigurtë për nderimet materiale të Perandorisë Romake dhe Ruse, Handke përkundër duket se ka një besim të thellë në qeverinë e Republikës Serbe të Bosnjes dhe vazhdimësinë e saj, një etnitet i ngritur pas spastrimeve etnike.
Ndoshta Horaci dhe Pushkini do të ishin bërë skeptikë ndaj të gjitha përmendoreve, po të dinin për fatin e monumenteve të shumtë në ish-Jugosllavi, ndër të tjera për xhaminë e Ferhadijes në Banja Luka, një xhevahir deri tani i panjohur i arkitekturës osmane nga shekulli i 16-të, e cila u hodh në erë më 7 maj 1993 nga nacionalistët serbë, në qendër të Banja Lukas. Që Peter Handke zbulon përmendoren e tij pikërisht në ditën përkujtimore të këtij shkatërrimi, cilësohet nga gazetari serbo-boshnjak, Dragan Bursać si mesazh shumë i diskutueshëm.
Dekorata më e lartë e Serbisë për Peter Handken:
Zërat më kritikë për këtë vizitë të lartë ishin zërat e intelektuelëve opozitarë serbë. Kritiku i letërsisë, Teofil Pančić, shkroi se Handke, “kushedi për të satën herë luan ariun e të djathtës ekstreme serbo-boshnjake nacionaliste që kërcen me komandë, të po asaj të djathte, që e shqetësojnë atë në kontekstin e dy atdheve, në atdheun ku ka lindur, dhe në atdhen e dytë, ku jeton. Kështu ndodh, kur mendimi mbetet kolonialist, dhe nuk përdor të njëjtat standarde për ‘të lindurit aty’ siç i përdor për veten dhe të tjerët. Por më kot: Handke asnjëherë nuk ka kërkuar dialogun me serbët që mendojnë ndryshe, por vetëm akordin me nacionalistët dhe afrinë me sunduesit.
Qeveria serbo-boshnjake e nderoi poetin me një dekoratë të lartë, për të cilin profesori i gjermanistikës, Vahidin Preljević në Sarajevë tha se, emrat e personave që e kanë marrë atë dekoratë më parë dëgjohen si emra të njohur të gjenocidit: Ratko Mladić, Radovan Karadžić, Biljana Plavšić, Slobodan Milošević, Vojislav Šešelj. Pse një nobelist vetë renditet në listën e këtyre emrave, mund ta kuptosh më mirë, nëse analizon udhëtimin e tij nga Banja Luka në Vishegrad, ku ai mori çmimin Ivo-Andrić priti nderimet dhe shkoi më pas në Serbi për t’u dekoruar nga presidenti serb, Aleksandar Vučić me dekoratën më të lartë serbe.
Vazhdimësia e një politike me pasoja shkatërruese:
Historiania serbe, Dubravka Stojanović shkroi për gazetën “Danas”. “Për mua është para së gjithash e tmerrshme renditja e ngjarjeve që para ardhjes së Peter Handkes në Beograd (…)Më parë Matija Bećković, Emir Kusturica und Milorad Vučelić e shëtitën atë nëpër Bosnjen Lindore, aty ku kanë ndodhur një radhë masakrash, më të mëdhatë nga Lufta e Dytë Botërore.” Në të gjitha këto vende, poeti nuk harxhoi asnjë fjalë për viktimat, po ashtu në Beograd, ku nuk kërkoi asnjë bisedë me intelektualët kritikë. Për ta ky udhëtim ishte si një demonstrim i vazhdimësisë së një politike që ka sjellë pasoja fatale e i zhyti në katastrofë serbët dhe të gjithë Ballkanin; ata pyesin veten të shqetësuar, se çfarë nënkupton ky demonstrim në këtë moment.
“Non-paper”-at e çuditshme që qarkullojnë për një ndryshim kufijsh në Ballkan, nuk janë diskutuar deri në fund, pandemia ende nuk është tejkaluar dhe i gjithë rajoni është larg të qenurit një rajon i stabilizuar. Në vend të luftojnë korrupsionin, të nxisin pajtimin dhe të kujdesen për një perspektivë paqësore, politikanët serbë ngrenë përmendore dhe mbajnë fjalime pa asnjë fjali reflektuese, që nuk ngjallin asnjë shpresë. E në mes të tyre një shkrimtar që përkundër të gjitha betimeve dhe premtimeve i beson shumë më pak veprës së tij se Horaci dhe Pushkini. Dhe që ndoshta e parandien se jo vetëm bronzi do të humbasë një ditë shkëlqimin e tij. DW
*Alida Bremer është shkrimtare dhe publiciste nga Kroacia. Që nga viti 1986 ajo jeton në Gjermani. Esetë, artikujt, tregimet dhe poezitë e saj janë publikuar në mjaft revista dhe portale në gjuhë të ndryshme.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/