Një grup prej 10 anëtarësh të kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, kërkuan sot përmes një deklarate dorëheqjen e kryetarit të PD, Lulzim Basha.
“Kërkojmë dorëheqjen e menjëherëshme dhe të parevokueshme të Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, të Sekretarit të Përgjithshëm të PDSH-së e të nën-Kryetarëve, mbledhjen urgjente të Këshillit Kombëtar për të hapur rrugën e një procesi rrënjësor reflektimi, analize, zgjedhje të jashtëzakonshme, me një garë të drejtë, të hapur e demokratike për strukturat e reja drejtuese të Partisë” – shkruan grupi i demokratëve.
Mes emrave qe kanë nënshkruar janë Bujar Nishani, president nderi i Partisë Demokratike, dy ish-sekretarët e përgjithshëm Arben Imami dhe Arben Ristani, po ashtu Edith Harxhi dhe Edvin Kulluri, pjesëtarë të një lëvizjeje për reformimin e PD-së, Indrit Hoxha nga të përndjekurit politikë dhe Bislim Ahmetaj nga studentët e Dhjetorit.
“Me Lulzim Bashën janë tetë vjet një histori dështimesh të Partisë Demokratike. Me paftësinë, me veprime të gabuara dhe pa një strategji politike, procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, me spastrimet e filluara në 2014-tën dhe të përsëritura periodikisht, me mungesën e plotë të respektit për organet e brendshme të partisë dhe për votën e anëtarëve të saj, Lulzim Basha i shërbeu humbjes së fundit”, thuhet në deklaratën e demokratëve.
Po sot ish kryeministri Berisha ka bërë një analizë për rezultatin e zgjedhjeve duke kërkuar të administrohen shkeljet. Ai nuk thotë gjë për dorëheqjen e Bashës por konsideron se një analizë e thelluar duhet bërë. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/