ZGJEDHJET E VITIT 1945/ Sa mandate mori Enver Hoxha: S’ka nevojë për...

ZGJEDHJET E VITIT 1945/ Sa mandate mori Enver Hoxha: S’ka nevojë për opozitë, atë e hoqi qafe lufta

426
0
Shares

Nga Dashnor Kaloçi

Kur Shqipëria u përball me zgjedhjet e radhës parlamentare, “Memorie.al” publikon historinë e panjohur të zgjedhjeve të 2 dhjetorit të vitit 1945. Nga 106 kandidatë për deputetë që konkurruan në emër të Frontit Demokratik për 11 qarqet që kishte Shqipëria asokohe, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, që mbante postin e Kryeministrit, ministrit të Mbrojtjes Popullore, ministrit të Punëve të Jashtme, Kryetarit të Kryesisë së Frontit Demokratik, Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe atë të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Shqipërisë, rezultoi të kishte marrë numrin më të madh të votave kundër, pas Ollga Plumbit, pasi nga 17.564 zgjedhës të zonës së tij në Tiranë, 2.151 votuan kundër tij.

Të gjitha rezultatet e atyre zgjedhjeve që u mbajtën nën drejtimin e një Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, i cili përbëhej nga kryetari Andrea Sahatçi, sekretari Andrea Nathanaili dhe anëtarët Vasil Avrami, Halim Budo, Spiro Stringa, Faik Dishnica dhe Xhavit Gjata, ku nga 603.566 zgjedhës që ishin të regjistruar në listat e votimit, morën pjesë në votime 543.354 zgjedhës, që përbënin 90,02%. Nga këta zgjedhës 506.319 votuan për kandidatët e Frontit Demokratik dhe 36.758 vota u hodhën në kutinë pa kandidat, kurse 227 vota u hodhën në favor të një kandidati të pavarur. Kështu, për kandidatët e Frontit votuan 93.18%, kundër tyre 6.77% dhe 007% për kandidatin e pavarur.

Një vit e tri ditë pas mbarimit të Luftës, më 2 dhjetor të vitit 1945, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e para parlamentare të pasluftës. Për qeverinë e Kryeministrit Enver Hoxha, caktimi i datës së zgjedhjeve në fillim të dhjetorit u pa si më i përshtatshëm, për vetë situatën e brendshme që po kalonte vendi, pasi pothuaj i gjithë viti 1945 kaloi me gjyqe të shumta politike, të cilat shpallën fajtorë dhe dënuan me ekzekutim apo burg pjesën më të madhe të ish-funksionarëve të lartë, politikaneve, deputetëve dhe ushtarakëve të të gjitha qeverive shqiptare, duke filluar nga ajo e Ismail Qemalit e deri tek ato nën pushtimin nazifashist.

Debatet për ligjin elektoral

Nga fillimi i muajit nëntor të atij viti, kryesia e “Frontit Demokratik”, që në fakt ishte Partia Komuniste Shqiptare, shpalli zyrtarisht hapjen e fushatës elektorale nëpërmjet organit të saj, gazetës “Bashkimi”, dhe Radio-Tiranës, duke caktuar dhe 2 dhjetorin si datën e zgjedhjeve. Projektligji elektoral i zgjedhjeve u miratua nga Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ), që kryesohej nga Enver Hoxha dhe gjatë miratimit që iu bë atij ligji, pati debate të ashpra, ku shumë anëtarë të KANÇ-it, kryesisë së Frontit dhe kandidatë për deputetë, si: Shefqet Beja, Suat Asllani, Sami Qeribashi, Gjergj Kokoshi, Riza Dani, Selaudin Toto etj., e kundërshtuan ligjin e zgjedhjeve, pasi ai ‘de facto’ ishte vetëm me kandidatët e Frontit dhe nuk linte asnjë shteg për opozitë.

Në atë mbledhje, Gjergj Kokoshi, që ishte nga kundërshtarët më të rreptë të atij projektligji, në shenjë proteste doli nga radhët e Frontit Demokratik dhe shpalli kandidaturën si i pavarur, duke qenë kandidati i vetëm jashtë Frontit në zgjedhjet e 2 dhjetorit.

Krerët e misioneve amerikane dhe britanike: Krijoni opozitën

Që përpara miratimit të ligjit elektoral, qeveritë amerikane dhe britanike, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, gjeneralëve Xheikobs dhe Hodgson, i kërkuan Kryeministrit Enver Hoxha, zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të lira, si kusht për njohjen e qeverisë shqiptare.

Këtë gjë amerikanët ia kërkuan përsëri zyrtarisht Enver Hoxhës më 10 nëntor 1945, tashmë me anë të kreut të misionit të SHBA-ve, Harry Fultz dhe atij britanik, Hodgson, të cilët i përsëritën Enverit (në cilësinë e Kryeministrit dhe Kryetarit të Frontit Demokratik), kërkesën e qeverisë së tyre, që në këmbim të vendosjes së përfaqësive diplomatike në dy vendet, qeveria shqiptare duhet të siguronte zgjedhje të lira dhe të fshehta, shtypin e lirë dhe ndjekjen e zgjedhjeve nga gazetarët e huaj.

Lidhur me këtë në kujtimet e tij, midis të tjerash Enveri shkruan: “Anglo-amerikanët e përqendruan vëmendjen te krijimi i opozitës. Kjo ishte e domosdoshme për ta, se po afronte koha e fushatës elektorale.

Ata u lidhën me elementë reaksionarë dhe tradhtarë të maskuar në Frontin Demokratik, si: Shefqet Beja, Riza Dani, Gjergj Kokoshi, Selaudin Toto, Sami Qeribashi, Suat Asllani e ndonjë tjetër.

Disa nga këta do t’i udhëzonin të dilnin hapur në momentet e përshtatshme, ndërsa të tjerët do të vazhdonin të qëndronin si njerëzit e fshehur në “Kalin e Trojës”, që në momentin oportun, t’i lëshonin për të minuar nga brenda Frontin dhe për ta na goditur befasisht pas shpine. Ky ishte një plan i gjerë i hartuar nga Londra dhe aleatja e saj përtej Atlantikut.

Dëgjonim zëra se reaksioni po përpiqej që të krijonte një parti, që do të dilte kundër programit të Frontit. Dhe, siç thotë populli, ku ka zë, s’është pa gjë. Nuk ishin pa domethënie pyetjet e gjeneralit Hodgson në bisedën që patëm kur erdhi në Shqipëri.

Ai më pyeti se a do të merrte pjesë ndonjë grup në zgjedhje jashtë Frontit? Këtë gja ai ma kërkoi pas asaj për partitë politike, që ne nuk kishim lejuar të formoheshin.

Unë ju përgjigja atij: ‘Sipas shenjave të deritanishme, zoti gjeneral, nuk ka dhe s’ka pse të ketë. Dhe a e dini pse? Sepse është lufta e popullit shqiptar që e zgjidhi këtë çështje. Opozitën e hoqi qafe lufta, revolucioni popullor, sepse ajo ra në prehrin e pushtuesve dhe u komprometua’.

Mbas përgjigjes sime, ai më pyeti: ‘Mirëpo, zoti Hoxha, nuk paska të paktën kandidatë indipendentë që të konkurrojnë në fushatën elektorale?! Unë iu përgjigja: ‘Individë që nuk ju pëlqen politika e pushtetit popullor, mund të ketë zoti gjeneral dhe kjo është e logjikshme. Fronti te ne përfshin shumicën dërmuese të popullit shqiptar. Kjo është fitore e madhe për demokracinë.

Nuk është e thënë se po s’pati opozitë, nuk ka demokraci. Bile kjo është demokraci më e gjerë, është demokraci e shumicës’. Pas kësaj, gjenerali më tha: ‘E kisha fjalën për kandidatët indipendentë’.

Unë iu përgjigja se ligji elektoral i lejonte kujtdo që të vinte kandidaturën dhe s’do ishte faji ynë në rast se ata nuk do gjenin 20 vetë që të ishin pro tyre për t’i përkrahur në zgjedhje. Pas kësaj, gjenerali Hodgson më tha: ‘Te ju nuk ka shtyp tjetër, përveç se atij zyrtar’?! Unë iu përgjigja, se ishte e vërtetë se te ne nuk kishte shtyp tjetër përveç atij zyrtar, por ama aty kishte të drejtë të shkruante kush të donte, përveç armiqve të popullit shqiptar.

Këtë që po më thoshte me diplomaci ky përfaqësues i reaksionit të jashtëm, s’kaloi kohë dhe po i dëgjonim në forma të tjera, por tepër agresive, nga reaksioni i brendshëm”, përfundon dëshminë e tij Enver Hoxha, lidhur me bisedën që ai zhvilloi me gjeneralin britanik Hodgson, i cili së bashku me përfaqësuesin e qeverisë amerikane në Shqipëri, Harry Fultz, i kërkuan Enverit zgjedhje të lira dhe demokratike, ku të përfaqësohej dhe opozita. Deri në atë kohë, qeverinë shqiptare e kishin njohur vetëm Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia dhe Polonia.

Por fatkeqësisht, megjithë presionet e përfaqësuesve të qeverive anglo-amerikane për ligjin elektoral dhe zgjedhjet e lira e të fshehta, Enver Hoxha nuk bëri asnjë hap në këtë drejtim, pasi më 19 nëntor 1945, qeveria sovjetike nëpërmjet kolonelit Sokolov, i ofroi atij përfaqësinë diplomatike në Tiranë. Ndonëse ligji elektoral formalisht nuk e ndalonte kandidimin e deputetëve të pavarur, ajo pothuaj ishte e pamundur.

Kështu, avokati i njohur Koço Dilo, që tentoi të dilte si i tillë, pas një presioni dhe kërcënimesh që iu bënë nga ana e Sigurimit të Shtetit dhe njerëzve të Frontit, u detyrua të jepte dorëheqjen.

Kush ishin kandidatët e Frontit?

Ligji elektoral, i miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar (KANÇ), vendosi që Parlamenti i parë shqiptar i pasluftës që do të dilte nga zgjedhjet e 2 dhjetorit, do të përbëhej nga 106 deputetë që do dilnin nga Qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Beratit, Peshkopisë, Kukësit, Gjirokastrës, Korçës, Elbasanit e Vlorës.

Lista e kandidatëve të Frontit përbëhej kryesisht nga personalitetet e Luftës që kryesohej nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, gjeneral-lejtnant Koci Xoxe dhe tre gjeneralët-majorët: Spiro Mojsiu, Myslym Peza dhe Dali Ndreu.

Pas këtyre kishte dhe ushtarakë të tjerë që përbënin numrin më të madh të deputetë vetë, si kolonelët: Hysni Kapo, Haxhi Lleshi, Kristo Themelko, Islam Radovicka, Shefqet Peçi, si dhe disa nënkolonelë.

Përveç ushtarakëve, në listën e kandidatëve ishin dhe disa intelektualë të njohur, si: prof. Skënder Luarasi, prof. Kol Prela, prof. Aleksandër Xhuvani, prof. Sali Mborja, prof. Sejfulla Malëshova, prof. Siri Shapllo, prof. Kadri Baboçi dhe dr. Ymer Dishnica, dr. Enver Sazani, dr. Petraq Popa dhe dr. Medar Shtylla.

Në listën e kandidatëve binin në sy dhe një numër nacionalistësh që nuk ishin komunistë, por që kishin luftuar apo kishin përkrahur Frontin, siç ishin: Kolonel Baba Faja Martaneshi, Sheh Karbunara, Baba Fejzo Dervishi, Myslym Peza, Mestan Ujaniku, Hysen Zaloshnja etj. Nga 106 kandidatët e Frontit Demokratik, ishin vetëm dy gra, Ollga Plumbi që kandidonte në Tiranë dhe Liri Gega në Vlorë.

Në listën e kandidatëve potencialë, binte në sy mungesa e Mehmet Shehut, i cili asokohe studionte në Bashkimin Sovjetik në Akademinë e Shtatmadhorisë.

Shumica e kandidatëve të Frontit, duke përjashtuar Enver Hoxhën që kandidoi në Tiranë, kandiduan nëpër qytetet e tyre. Kështu, në Tiranë, përveç Hoxhës ishin dhe: Abdyl Këllezi, Beqir Balluku, Gogo Nushi, Hasan Reçi dhe Ollga Plumbi. Në Korçë kandidonin Koci Xoxe, Pilo Peristeri, Koço Tashko, Kristo Themelko etj., në Durrës, Nako Spiro, dr. Enver Sazani, Spiro Mojsiu etj., në Vlorë Hysni Kapo, Spiro Koleka, Liri Gega, Bilbil Klosi, Shefqet Musaraj etj.; në Gjirokastër, Omer Nishani, Bedri Spahiu, Sejfulla Malëshova; në Shkodër Tuk Jakova, Mark Ndoja, Zef Malaj e Gjovalin Luka.

Fushata elektorale dhe votimi

Fushata elektorale e zgjedhjeve të 2 dhjetorit u hap që në fillimin e muajit nëntor. Kandidatëve të vetëm të Frontit u bëhej një propagandë e madhe në Radio-Tirana dhe në gazetën “Bashkimi”, e cila çdo ditë publikonte me foto dhe shkrime kandidatët e saj. Po kështu, të gjithë kandidatët e Frontit hapën zyrat e tyre elektorale me shtabe të caktuara më parë, që përbëheshin kryesisht prej dhjetë personash që ishin publikuar në gazetën “Bashkimi”.

Përveç RadioTiranës dhe gazetës “Bashkimit” për kandidatët e Frontit, ishte i angazhuar i gjithë shteti komunist me gjithë arsenalin propagandistik që kishte në dispozicion, duke mbajtur mitingje të shumta dhe duke bërë presione nga më të ndryshmet, për t’i detyruar njerëzit që të votonin për kandidatët e Frontit.

Nisur nga presioni i anglo-amerikanëve, Enver Hoxha u detyrua që të lejonte disa gazetarë të huaj nga vendet perëndimore për të ndjekur zgjedhjet, siç ishte korrespodenti i “Daily-Telegraph” e ndonjë tjetër, për të cilët, me cilësinë e Kryeministrit, ai dha një konferencë shtypi në hotel “Dajti”, ku kishte dhe rezidencën qeveria.

Në atë konferencë, pasi falënderoi gazetarët për pjesëmarrjen e tyre, Enver Hoxha i bëri një rezyme Luftës Antifashiste Nacional-lirimtare të zhvilluar prej Frontit, pa thënë asnjë fjalë për ligjin elektoral dhe Partinë Komuniste që kandidonte e vetme nën maskën e Frontit. Ndonëse atmosfera parazgjedhore ishte e gjitha e kontrolluar nga ana e Frontit, në shumë qytete dhe qarqe të vendit, pati reagime të ndryshme, kundër politikës që po ndiqte qeveria komuniste e Enver Hoxhës.

Kështu, në qytetin e Shkodrës, një grup të rinjsh gjimnazistë dhe seminaristë të Kolegjit Françeskan krijuan grupimin antikomunist “Bashkimi Shqiptar”, të cilët shpërndanin trakte me përmbajtje antikomuniste. Pjesëtarët e këtij grupi u arrestuan pothuaj të gjithë pak ditë para zgjedhjeve dhe 5 prej tyre u pushkatuan.

Po kështu, disa nacionalistë që ishin të arratisur në male, si kolonel i Monarkisë së Zogut, Muharrem Bajraktari, dhe gjenerali Prenk Previzi (ish-Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare në vitet 1943-‘44), i shkruan disa letra proteste, përfaqësive perëndimore që ishin në Tiranë. Më 2 dhjetor u zhvillua procesi zgjedhor, nën një situatë që kontrollohej plotësisht nga qeveria në fuqi. Në qendrat e votimit ishin të vendosura dy kuti, ku njëra përfaqësonte Frontin Demokratik, kurse tjetra kundërshtarët e saj. Votimi u bë me gogla gome dhe votuesit i hidhnin goglat në atë kuti që dëshironin. Në atë proces zgjedhor pati shumë abuzime nga që komisionet ishin vetëm me përfaqësues të Frontit dhe numërimin e votave e bënë pa prezencën e ndonjë opozite. Kështu, në shumë qendra votimi, kryesisht të zonave të Veriut që quheshin reaksionare, kutitë e kandidatëve të Frontit që mbetën bosh, gjatë numërimit, u mbushën me ato që ishin kundër tyre.

Rezultati i zgjedhjeve

Disa ditë pas procesit zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i përbërë nga kryetari Andrea Sahatçi, sekretari Andrea Nathanaili dhe anëtarët Vasil Avrami, Halim Budo, Spiro Stringa, Faik Dishnica dhe Xhavit Gjata, shpallën rezultatet e votimeve. Kështu, sipas këtij komisioni nga 603.566 zgjedhës që ishin të regjistruar në listat e votimit, morën pjesë në votime 543.354 zgjedhës që përbënin 90,02 %.

Nga këta zgjedhës, 506319 votuan për kandidatët e Frontit Demokratik dhe 36.758 vota u hodhën në kutinë pa kandidatë, kurse 227 vota u hodhën në favor të një kandidati të pavarur. Kështu, për kandidatët e Frontit votuan 93.18 %, kundër tyre 6.77 % dhe 007 % për kandidatin e pavarur. Nga 106 kandidatët e Frontit Demokratik numrin më të madh të votave kundëra e kishte Ollga Plumbi në Tiranë, e cila nga 18.242 votues 2.269 votuan kundër saj.

Pas Ollga Plumbit, më shumë vota kundër mori Enver Hoxha. Kështu, nga 17564 votues, 2.151 votuan kundër tij. Sidoqoftë, pas këtyre rezultateve, Fronti Demokratik shpalli zyrtarisht zgjedhjet e fituara dhe nga ata deputetë u zgjodh një Asamble Kushtetuese, e cila rreth 40 ditë më vonë më 11 janar 1946 në sallën ku sot është Akademia e Arteve, shpalli Shqipërinë Republikë Popullore./Memorie.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY