Nga Genc Pollo*
“Aprés moi le déluge” (në shqip: pas meje u bëftë qameti) është një shprehje e cila i atribuohet mbretit absolutist Luigji i 15 nga dinastia e Burbonëve të Francës. Me keto fjalë monarku egocentrik shprehte një indiferencë cinike për çka mund t’i ndodhte popullit të tij ditën që në fron do të hipte dikush tjetër. Një mesazh të ngashëm, me një modifikim të vogël, duket se po përhap nën rrogoz Kryeministri Rama: “Po ika unë do të bëhet qameti”.
Ky është demarshi i tij që po synon të trembë me skenare destabilizimi e rrëmuje ndonjë ndëkombëtar me qëllim që t’a bëjë të mbylli sytë para shkeljeve zgjedhore që po bën qeveria apo t’a përdorë më tej në këtë sens.
Interesant është argumenti kushtetues që ai po përdor: Nëse Presidenti nuk do të ma japë mua pas zgjedhjeve emëriminkryeministër megjithëse partia ime PS ka dalë e para atëhere ne do të bëjmë namin!
Ankesa për Presidentin e Republikës dhe argumentimi kushtetues që e mbështeste atë më ngjalli interes dhe më shtyu t’a hulumtoja çështjen. Çfarë gjeta mendoj se janë me interes për lexuesin.
Së pari: Kryeministri pretendon se nuk do të marrë shumicën në Kuvend; sipas tij PS do të ketë diçka më pak se 70 mandate.
Kjo do të thotë se sipas tij Opozita e Bashkuar do të ketë një shumicë, të ngushtë por të qartë! Dallimi midis kësaj që ai thotë privatisht e deklaratave që bën publikisht (PS merr 74 deri 78 mandate) është gjithashtu i qartë.
Së dyti: Kryeministri pretendon se partia e tij do të jetë e para për nga numri i mandateve. Parti e dyte është PD-AN me dy-tre mandate më pak. E treta me distancë është LSI.
Siç thamë më lart aritmetikisht kjo do të thotë që PD-AN dhe LSI ose Opozita e Bashkuar do të ketë shumicën në Kuvend. Me gjasë parti të tjera nuk marrin mandat që nuk i shtohet PS.
Së treti, Kryeministri pretendon se meqë PS do të jetë partia më e madhe (me më shumë mandate) në Kuvend, atij sipas Kushtetutës, i takon të emërohet sërish kryeministër nga Presidenti. Por nëse Presidenti guxon dhe emëron Shefin e opozitës (së djeshme) atëhere ai po shkel rëndë Kushtetutën; po u bë kjo, do të ndodhë qameti ku shkarkimi urgjent i Metës do të jetë vetëm një bubullimë!
Le të konsiderojmë për një çast skenarin e pretenduar të 25 prillit ku PS merr maximalisht 69 mandate dhe Opozita e Bashkuar merr minimalisht 71 mandate.
Neni 96/1 i Kushtetutës thotë: Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend.
Legjislatura 2021-2025 sipas Kushtetutës fillon në 9 shtator 2021. Që ditën e parë të saj zgjidhet Kryetari i Kuvendit; kjo në shumicën e rasteve në botën demokratike dhe në të tëra rastet në Shqipërinë e pas v.1991 ka konfirmuar mazhorancën e re.
Me të filluar legjislatura, Presidenti duhet të emërojë Kryeministrin i cili dëshmon paraprakisht se mbështetet nga shumica e deputetëve (71 e lart) në Kuvend. Vota miratuese duhet të ndodhë brenda 10 ditësh në seancë plenare.
Kur shumica e deputetëve është e qartë në numra e vullnet, e këto formalizohen në një propozim me shkrim; atëherë emërimi i Kryeministrit nga Presidenti është i thjeshtë e pothuaj automatik. Një praktikë të ngjashme kemi nga zgjedhjet e fundit në Malin e Zi. Tre parti opozitare kandiduan në konkurrencë e pa marrëveshje me njëra tjetrën tok me partinë në pushtet. Mandatet që morën të treja bashkë ishin një më shumë se mandatet e partisë në pushtet (41/40). Pas zgjedhjeve të tre kryetarët e partive opozitare u dakordësuan për koalicion qeveritar. Ata i propozuan me shkrim Presidentit Gjukanoviç (njëkohësisht shefi de facto i partisë në pushtet që kaloi minorancë) kryetarin e partisë më të madhe ndër ato të treja si kandidat për kryeministër; Presidenti e emëroi pa një e dy. Krahasimisht tek ne PD e LSI e kanë shpallur paraprakisht se do të bashkojnë votat për një qeveri të re në Kuvendin e ardhshëm.
Një vëzhgues i informuar i proçesit nuk do t’a kuptonte llogjikën e demarshit të Kryeministrit. Dhe nuk do të kishte faj pasi logjika aty mungon dhe është zëvendësuar nga manipulimi e loja e fjalës. Sipas tij meqë mazhoranca qeveritare e hoqi nga kodi zgjedhor mundësinë e koalicionit shumëlistësh (në shkelje të marrëveshjes së mëparshme me opozitën) atëherë kjo anullon edhe idenë e koalicionit të shprehur në Kushtetutë. Pra sipas tij nëse nuk je regjistruar para zgjedhjeve në KQZ si koalicion, atëhere nuk ke të drejtë të bashkosh votat në Kuvendin e dalë nga ato zgjedhje me vullnetin për të formuar mazhorancën e miratuar qeverinë! Shto këtu edhe idenë fort të çuditshme se duke ndryshuar një ligj të caktuar u ndryshuaka automatikisht edhe Kushtetuta!!
Demarshi nuk është vetëm alogjik e manipulativ por edhe amoral e po aq i dëshpëruar: duke dashur të kapë i pari emërimin si kryeministër, Rama i reduktuar në minorancë don t’i kthehet zanatit të vjetër e të ndukë aty e këtu ndonjë deputet nga mazhoranca e re; deri sa të ngjitet në nivelin 70-71 mandate. Nuk i shkon mendja të pranojë humbjen e të urojë kundërshtarin siç edhe ndodhi tetë e gjashtëmbëdhjetë vjet më parë. Por don patjetër të vazhdojë aty ku ende ulet. Eshtë për të ardhur keq!
*Ish ministër e deputet
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/