Kryetari i PD, Lulzin Basha u takua sot me specialistë të fushave të ndryshme ndërsa deklaroi se ka 100 ekspertë ndërkohë që është gati për 100 ditët e para të qeverisjes.
Pjesë nga takimi
Lulzim Basha: Të dashur zonja dhe zotërinj, të nderuar profesorë, përfaqësues të sipërmarrjes, ekspertë të të gjitha fushave: ky është një takim i veçantë sepse nis javën e fundit drejt 25 prillit, ditës së zgjedhjeve parlamentare më të rëndësishme në 30 vite. Ne kemi gati planet më të mira të punës, ne kemi ekspertët më të mirë, ne kemi listën më të mirë dhe përfaqësuese, kemi mbështetjen më të madhe në historinë e vendit dhe tani fjala është për ju. Po e nisim me ekonominë, profesor Selami Xhepa.
Selami Xhepa: Së pari, doja të përshëndes të gjithë grupin e ekspertëve të Partisë Demokratike, të cilët kanë punuar për të hartuar një program që në gjykimin tim simbolizon dy prioritetet thelbësore që ka sot Shqipëria në fushën e ekonomisë. Në radhë të parë, një lloj programi emergjencë për shërimin e ekonomisë për shkak të dy goditjeve shumë serioze dhe negative që ka ndërmarrë dhe shpresoj që kjo përfshin edhe 100 ditët e para. Së dyti, një program të rëndësishëm reformash të cilat kanë të bëjnë me rivendosjen e ekonomisë së vendit në atë trajektoren e vet të rritjes potenciale, në rrugën e rritjes së shëndetshme të saj. Tani reformat janë shumë problematike për Shqipërinë dhe ndoshta moria e reformave që kanë targetuar ekspertët e Partisë Demokratike, në gjykimin tim janë absolutisht të mirëgjetura. Reforma themelore, unë gjykoj se fillon me ndryshimin e qeverisjes, sepse në fakt problemet e ekonomisë nuk janë problemet e ekonomisë si e tillë, janë probleme që kanë të bëjnë me cilësinë e qeverisjes së një vendi dhe unë mendoj se janë pikërisht këto ato që e kanë agravuar gjendjen e ekonomisë. Flasim për ekonomi tregu dhe s’kemi treg dhe arsyeja kryesore se pse nuk funksionon ekonomia është pikërisht mungesa e tregjeve, është kapja e tregjeve. Flasim për financat publike modeste dhe ndërkohë ne i shpërdorojmë, sepse praktikat e përdorimit të fondeve publike, janë gjerësisht të diskredituara. Flasim për një bollëk të pasurive që ka Shqipëria dhe kemi një mungesë të theksuar transparence për mënyrën se si shfrytëzohen këto pasuri, sa përfiton ekonomia e Shqipërisë. Flasim për një shoqëri demokratike dhe ligjbërja nuk bëhet si pjesë e konsultimit dhe dakordësimit në unison të interesave të të gjithë aktorëve shoqëror, por kemi një politikbërje thellësisht të kapur. Raportet e fundit të botuara, janë realisht shumë shqetësuese. Unë mendoj që mesazhet që përcjell programi i Partisë Demokratike dhe në veçanti filozofia e qeverisjes që përcjell me një qeverisje të vogël dhe efektive. Kur themi qeverisje të vogël, nuk nënkuptojmë tërheqjen e shtetit nga detyrimet e tij. Nënkuptojmë që shteti të lërë në vijë të parë ata që mund të bëjnë më shumë dhe më mirë se ai. Së dyti, transparenca e qeverisjes, llogaridhënia, ato që janë elementët thelbësorë që e dallojnë një sistem realisht demokratik funksional nga një sistem autokratik, qëndrojnë pikërisht në këto lloj principesh. Unë mendoj që rikthimi i Shqipërisë në traditën e vet, megjithëse modeste dhe të brishtë për demokracinë, unë mendoj që do të ishte kontributi më i rëndësishëm dhe thelbësor që mund të ofrojë Partia Demokratike në qeverisjen e saj të ardhshme.
Erion Dasho: Prej një viti tashmë, kur dëgjojmë shëndetësinë, kryefjala është pandemia. Jo pa qëllim, pandemia tashmë ka prekur të gjithë botën , por ne na ka prekur veçanërisht rëndë. Por pandemia bëri dhe diçka tjetër. Pandemia ishte pika e fundit në atë gotën e zullumeve që derdhi gotën e zullumeve të “Rilindjes2 në Shëndetësi. Pra, ishte një sistem shëndetësor që unë nuk e gjykoj të dëmtuar, ne të gjithë e kemi analizuar, programi i Partisë Demokratike, ka analizuar shumë mirë në detaje, është i shkatërruar. Sistemi shëndetësor tashmë është i shkatërruar. Vetëm nga 2013 deri më sot, ka qenë 7.9 dhe është 10.3 për 1 mijë lindje të gjallë. Vdekshmëria foshnjore rritet vetëm në vendet në luftë. Supercentralizimi bëhet për të vjedhur. Pra, kudo ku ka supërcentralizim, shteti mundohet të diktojë përdorimin e burimeve dhe faktet janë, janë PPP abuzive, janë tenderët e fshehtë, të cilët e kanë asfiksuar shëndetësinë dhe kanë… mjekët më moral kanë humbur atë… dhe prandaj kemi 1 mijë mjekë vetëm në këto 8 vite që kanë ikur dhe do kishin ikur dhe më shumë, po vitin e fundit nuk i lejuam për shkak të pandemisë. Të gjitha premtimet e Partisë Socialiste dështuan. Shëndetësia falas u përkthye në Shëndetësi të “Tires”. Vetëm kaq mjafton, mos t’i hyjmë tek sistemi i anglez e të gjitha ato të tjerat. Kush është vizioni dhe kush duhet të jetë vizioni ynë? Në radhë të parë ne duhet të pushojmë atë eksperimentin e dështuar me sistemin anglez dhe t’i rikthehemi sistemit Bismark, të cilin po e zhvillonim për 23 vite, ku më mirë dhe ku më ngadalë por të paktën ishte një sistem që po jepte rezultatet e para. Centralizimi duhet menjëherë t’i lërë vendin decentralizimit funksional, asaj që ne e quajmë autonomi, për të krijuar mundësinë që spitalet, mjekët e familjes të angazhohen dhe të jenë ata që do të shtyjnë shëndetësinë përpara dhe jo shteti që nuk e bën dot një gjë të tillë. Burimet njerëzore. Ne po trashëgojmë sot një shëndetësi me burime të thara njerëzore. Unë e quaj modeli Saharjan, model i tharë. Ne krahasohemi tani vetëm me Afrikën dhe me Azinë, me vendet e varfëra për burime njerëzore. Programi ynë për ta vendosur pagën e mjekut minimalisht në 1200 euro, të infermieres minimalisht 700 euro, të specializantit minimalisht 900-950 euro. Është një synim që i rikthen dinjitetin mjekut, infermierit, specializantit dhe të gjithë punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe këto janë minimale pasi në momentin që ne do të fusim pagesën sipas performancës këto pagesa do të shkojnë edhe më tepër. Në momentin që do të futen diarxhit aty ku krijohet më tepër volum, aty ke edhe më tepër shpërblime. Ne mund të shikojmë çfarë bëjnë fqinjët në Kroaci që është një vend jo shumë i pasur i Bashkimit Europian. Bashkitë që kanë mungesa mjekësh arrijnë t’i ofrojnë edhe shtëpi falas mjekëve kur arrin të punojë për një kohë të caktuar. Ose kur kalojnë 5 vjet punë në një vend të largët jepet një bonus që mund të jetë një përqindje e konsiderueshme e pagës që ka marrë mjeku. Pra të gjitha këto metoda stimulimi ne duhet t’i përdorim sepse mjekët, bluzat e bardha janë ajo pjesa më vitale. Çdo gjë bëhet në shëndetësi por pa mjekë dhe infermierë nuk bëhet dot. . Nuk mund ta lë pa përmendur digjitalizimin. Ne po trashëgojmë sot një shëndetësi primitive në raport me digjitalizimin. Pretendohet se kemi E-albania, pretendohet se kemi një sistem digjital por të gjithë ne që jemi mjekë e dimë që të gjithë mjekët dhe infermieri ende shkuan me letër, me laps dhe me letër. Kjo është e patolerueshme në shekullin e 21. Në qoftë se nuk do të kemi digjitalizim nuk do të kemi as modernizim dhe nuk do të kemi as elementë të tjerë. Shumë shpejt ne duhet të mendojmë patjetër edhe për të krijuar një fond investimi në infrastrukturë, sepse kemi një infrastrukturë të shkatërruar të cilën vetëm e kanë lyer gjatë kësaj kohe, vetëm lyerje është bërë dhe asnjë gjë tjetër. Kemi spitalet të trashëguara para viteve ’90 të cilat nuk janë funksionale për kujdesin shëndetësor që ofrohet në shekullin e XXI. Pra ka shumë punë për të bërë sepse ne po trashëgojmë një shëndetësi në gjendje zero, pra në gjendje të shkatërruar por duke punuar në 100 ditët e para me 2 objektiva madhorë, të arrijmë sa më shpejt të kufizojmë pasojat e pandemisë. Mirëpo po shantazhohet populli shqiptar tani nga kryeministri duke thënë që po ika unë do të ndërpritet vaksinimi. Nuk do të ndërpritet vaksinimi, do të bëhet më i mirë dhe vaksinimi me vaksina kineze ne e dimë të gjithë, me doktor Ali Mehmetin po bisedonim pak më parë, nuk arrihet imuniteti i grupit sepse duhet të arrijmë 80%, vaksina kineze maksimumi ofron 50%. Pra ne do i sigurojmë vaksinën cilësore, Pfizer, Moderna që ta garantojmë imunitetin e grupit. Do të kujdesemi edhe atë testo-gjurmo-trajto. Do të kujdesemi për të gjithë aspektet e tjera të pandemisë dhe njëkohësisht do të punojmë për të vendosur bazat për rimëkëmbjen e sistemit shëndetësor. Këto do të jenë 100 ditët e para, sfiduese por plotësisht të mundshme për tu realizuar. Më falni që u zgjata! Faleminderit!
Lulzim Basha: Faleminderit doktor Dasho! Sfida tjetër dhe dështimi i radhës i kësaj qeverisje dhe një nga problemet e mëdha që do të lerë pas ky kryeministër është çështja e rindërtimit, për të cilën zotimet tona janë të qarta dhe burojnë nga një program i studiuar nga urbanistë, arkitektët, inxhinierët dhe administratorët më të zotë të vendit të sprovuar dhe të trajnuar në të gjithë Europën ku prioritetet tona janë të deklaruara. Vlerësim real i dëmit, sepse kemi të bëjmë me një keqvlerësim, diskriminim, me një vlerësim abuziv të dëmeve që i kanë shkaktuar mijëra familjeve nga tërmeti, rindërtim me rritmë të shpejta dhe përmbyllje në një kohë sa më të shkurtër e procesit të rindërtimit dhe kjo përmes transparencës duke dhënë fund çdo abuzimi që ka të bëjë me zhvendosjen e padrejtë të banorëve në zonat urbane apo katandisje e banorëve në zonat rurale në burokracira pa fund ku në fakt me propozimet tona para një viti procesi i rindërtimit sot për ta do të kishte përfunduar. Për këtë dua ti jap fjalën kreut të ekspertëve që ka punuar për planin tonë për rindërtimin, zotit Besnik Aliaj.
Besnik Aliaj: Ai që dua të nënvizoj është momenti i parë, reagimi i opozitës. Ka qenë një thirrje që zoti Basha i ka bërë të gjithë ekspertëve pa dallim politik që të vinin dhe të ofroheshin pranë opozitës dhe të jepnim menjëherë mendime. U kërkua që mos të politizohej nga opozita ky rast por nga ana tjetër garantohej qëllimi kryesor ku qytetarët janë të parët, me parimin qytetarët janë të parët. Në kuadër të kësaj me insistimin e zotit Basha u kërkua që të mblidhesh një grup ekspertësh i cili tani siç u tha u shndërrua në një komitet ekspertësh dhe ka kohë që i jep mendime zoti Basha dhe rekomandime opozitës në tërësi për qeverisjen e ardhshme. Dua të theksoj së pari që ka një propagandë ashtu sikurse dhe në rastin e pandemisë që në rast se do të vij në pushtet opozita dhe Partia Demokratike dhe procesi i rindërtimit do të ngadalësohet, do të ngrij ose do bllokohet. Unë dua ti jap absolutisht mendimin që dhe bindjen time që procesi jo vetëm që nuk do të ngadalësohet apo bllokohet por do të përshpejtohet edhe madje do të rritet transparenca dhe informimi i publikut i cili ka munguar dhe në këto kushte ne kemi qenë të detyruar që të marrim mënyrë të drejtpërdrejtë kontakte me donatorët dhe drejtpërdrejtë nëpërmjet strukturave e opozitës në terren me njerëzit e familjet dëmtuara. Cila do të jenë tre apo katër hapat kryesorë në 100 ditët e para siç e tha edhe zoti Basha, i pari do të jetë përqendrimi te procesi i animimit i cili ka një numër shumë të madh, përmbledh një numër shumë të madh ankesash nga njerëzit do të kalohet me shpejtësi në rimbursimin i menjëhershëm të atyre familjeve të cilat kanë pranuar atë zgjidhjen që është ofruar, e gjykojnë që zgjidhja është e ndershme dhe përfshi edhe këta të cilët do të sqarohen për të mos humbur më asnjë ditë dhe për të kaluar në procesin e rindërtimit. Gjithashtu një fenomen tjetër që është vënë re është fenomeni i bllokimit të atyre të cilët kanë rënë dakord që vlerësimet dhe me asistencën që ju jepet dhe nuk u jepet për arsyet më të çuditshme leje nga pushteti lokal. Edhe në këtë rast do të bëhet përpjekja maksimale për të ndërtuar një urë komunikimi mes pushtetin lokal dhe në rast se kjo nuk funksionon do të përdoren të gjithë instrumentet që parashikon kushtetuta edhe qeverisja vendore për ta zgjidhur përfundimisht këtë lloj bllokimi. Një çështje tjetër që është vënë re dhe që është jo pak e rëndësishme se në pamje të parë rindërtimi duket sikur është një proces krejtësisht fizik, është asistenca intensive psikosociale ndaj familjeve të dëmtuara, familjeve që kanë humbur familjarët e tyre nga tërmeti, që kanë humbur të gjithë investimin e jetës së tyre dhe të cilët po përballen ndër të tjera dhe me atë shokun pas tërmetit, sidomos në rastet e zvarritjes dhe moszgjidhjes së problemit. Asistenca e tyre për vazhdimin e strehimit deri në zgjidhjen finale , por mbi të gjitha asistenca ndaj fëmijëve, ndaj të cilëve duhet të kemi kujdes të veçantë, për arsye se ka të bëjë me formimin e tyre për të ardhmen. Është shumë e rëndësishme që të zbulojmë të vërtetën se çfarë ka ndodhur sidomos në metropolin Tiranë-Durrës. Ka një tendencë për ta fshehur realitetin. Ka një tendencë të fshihemi mbas zbukurimeve, fasadës, heshtjes, mos bërjes publike të gjërave. Në këtë rast ilaçi më i mirë është ti drejtohemi shkencës, si në rastin e pandemisë dhe ngritjen e një grupi ekspertësh. Ky është rekomandimi jonë për Zotin Basha dhe qeverisjen e ardhshme të PD-së dhe të Opozitës, të cilët do të jenë ekspertë të pavarur që do të vijnë nga institucione publike dhe institucionet akademike të fushës dhe do të bëjnë një vlerësim, sidomos në zonën e qarqeve Tiranë dhe Durrës dhe në qytete të tjera që janë goditur së fundi më shumë, duke e klasifikuar gjithë stokun e ndërtimeve në Shqipëri në bazë të periudhës kur është ndërtuar, tipologjisë së ndërtimit, kohës dhe administratës kur janë dhënë lejet dhe kur është bërë ky procesi i marrjes në dorëzim, në mënyrë që të kuptojmë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, dëmin që ka ndeshur sepse dy vitet e fundit i kanë lodhur lodhur strukturat. Qëndrueshmëria e tyre është në diskutim. Këtu nuk është vendi për të shkaktuar panik, por për të zbuluar në mënyrë shkencore nëpërmjet një simple sa më shkencor rastësor dhe aspak të politizuar realitetin dhe për të dhënë rekomandime për qeverisjen e ardhshme se cilat do të jenë masat që do të marr çdo familje, çdo bashkëpronësi dhe roli që do të ketë në mënyrë të veçantë pushteti lokal.
Zef Preçi: E kam ndjek me vëmendje dhe simpati gjithë fushatën tuaj dhe mënyrën sesi problematika e ekonomisë është skrinuar, është analizuar, dhe është pasqyruar në vizionimin e së ardhmes dhe në hartimin e ideve. Tashmë nëse në planin politik dhe kushtetues kemi një fshirje të ndarjes modeste të pushteteve të ndërtuara përgjatë 2 dekadave e gjysmë, në planin e ekonomisë viktima e këtij miksimi të institucioneve dhe kontrolli nga një dorë e vetme është konkurrenca. Vendi është më pak tërheqës për investitorët e huaja direkte dhe njëkohësisht konkurrenca dhe rregullatorët e saj, tashmë janë jo funksional dhe për fat të keq ekonomia vazhdon të vuajë pikërisht këtë lloj ngërçi apo ngurtësimi. Kam ndjekur dhe retorikën tuaj politike, idetë që keni sa i takon partneriteteve publike private. Personalisht, e gjej me vend duke sqaruar që as Partia Demokratike dhe as ndokush tjetër nuk i ka shpallë dhe nuk i shpall luftë biznesit privat por cilido që në aktivitetin e tij ekonomik është pasuruar duke shfrytëzuar reputacionin politik duhet të jetë subjekt i ndëshkimit dhe ju e keni artikuluar këtu qartë edhe unë e gjej plotësisht me vend dhe duhet vazhduar. Nëse në opinionin publik qarkullon një lloj perceptimi që jo, janë të gjithë njësoj etj. Uroj dhe shpresoj që elita e re që ju do të sillni në drejtimin e Shqipërisë nuk është më elita thjeshtë post komuniste. Përkundrazi, është lindur dhe rritur pas kësaj periudhe dhe kuptohet që do të sjellë ide të reja, vizion perëndimor, edhe përgjegjshmëri të madhe, duke filluar me ndarjen e pushteteve. Sa i takon disa angazhimeve që keni marrë për prishjen e kontratave koncensionare, partneriteti publik-privat, ndoshta është vendi për ta ritheksuar, edhe ju e keni thënë po thjesht për opinionin që kuptohet bëhet fjalë për shqyrtim procedurash për mungesë transparence, për pasoja negative pasurore në ekonomi, e të tjerë, dhe në këtë këndvështrim, normalja e një akti të posaçëm, që ju e keni përmendur javën e shkuar për përgjegjësinë personale të personave juridikë, titullarëve politikë, administrativë, e të tjerë. Kur me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i shkaktojnë dëm pasuror ekonomisë kombëtare, do ta sillte vendin një standard më të ri. Ky kuadër ligjor ekziston në vendet nordike, si për shembull, dhe në disa vende të tjera dhe në këtë mënyrë, nuk do të kemi më një ushtri nëpunësish, të cilët firmosin për shefat e tyre dhe shefat e tyre nuk e gjejnë firmën e tyre asgjëkundi. Ndëshkimi bëhet përherë e më i vështirë. Ndërkohë pёr sa i takon prioriteteve qё ekologu Selami përmendi këtu dhe unё i shoh me vend, do tё ishte shumë e dëshirueshme qё atё qё keni arritur nё fushatën elektorale ku propaganda politike e kësaj periudhe pёr sa i takon portretizimit tё kësaj problematike qё kanё qytetarët nё vizionimin e sё ardhmes t’i përmbaheni dhe njëkohësisht t’i evitoni inflacioni i premtimeve, por tё merret rast pas rasti. Ideja e njё programi pёr 100 ditët ёshtё mënyra mё e mirё pёr tё krijuar njё raport tё ri midis qeveritarëve dhe tё qeverisurve dhe pёr tё ringjallur jo thjesht pjesëmarrjen qytetare qё unё besoj, dhe shpresoj qё nё këto zgjedhje do tё jetë vërtet si asnjё herё tjetër por edhe llogaridhënien e munguar qё ka qenё dhe njё handikap edhe mё i madh i sistemit tonё demokratik pas vitit 1990. Unё i uroj suksese dhe uroj e shpresoj qё tё ketë vërtet pjesëmarrje tё lart dhe njëkohësisht Partia Demokratike tё ketë, tё ofroj ndryshimin e premtuar gjatë kësaj fushate. Faleminderit!
Ilir Alimehmeti: Faleminderit për fjalën, për mbledhjen! Jam shumë i nderuar të jem pranë jush. Po të shohim në retrospektivë, mund të shohim një mosvëmendje sistematike ndaj dy elementëve: burimeve njerëzore, pra, personelit shëndetësor dhe pacientit. Duke parë dhe elementin e tretë, në fakt është një pranim indirekt për paaftësi kur themi vetëm përmes koncensioneve mund të bëjmë diçka të caktuar. Pra, vetëm partneriteti me privatin e bëkemi dot. Pra, publiku nuk e paska këtë kapacitet. Rikthimi përmes programit në këtë treshen e konsoliduar, të cilat mbrojnë dhe vënë para sfidës dy palë të tjera gjithmonë, është gjëja më e shëndetshme që mund të na ndodhë. Pra, të mbështesim personelin shëndetësor përmes të ofrimit të ofertës të punës dinjitoze, pagesës së ndershme për punë të ndershme. Nga krahu tjetër, kjo ofrohet pёrmes pacientit i cili me moton paraja ndjek pacientin ёshtё pacienti qё ndjek performancën e njё sistemi e njё mjeku nё veçanti e me radhë. Pra jep feedback-un nga personi me mё pak konflikt interesi, vet pacienti. E nga krahu tjetër, kujtojmë njё nga ndoshta koncesionet, pёr tё marrё vetёm njё shembull ndoshta Check-Up qё ka 5-6 vite qё funksionon qё aq shumё do na duhej tё dinim sot se ku janё sëmundjet bashkëshoqëruese nё Shqipëri pёr tё bёrё njё ponderim tё situatës mbi rrethe dhe mosha tё ndryshme qoftë dhe nё prioritizimin e vaksinёs dhe vaksinimit e megjithatë nё 5-6 vite nuk kemi njё raport publik dhe nuk kemi disa tё dhëna publike me tё cilat mund tё punojmë pёr tё na ardhur nё ndihmë, duke qenё se janё shpenzuar para publike. Këto janë tre pikat kyçe. Programi i mbulon gjerësisht dhe dashtë Zoti sa më shpejt ky program vihet në punë në këtë drejtim por do kthejmë edhe pak kokën mbrapa sepse ka disa njerëz që u rrënuan ekonomikisht gjatë vitit të kaluar për shkak të pandemisë. Pra duhet shikuar a mund të mbështeten njësoj siç ishte katastrofë tërmeti po ashtu kujtojmë që ka katastrofa në mënyrë të vazhdueshme, përmbytjet janë më të shpeshta në Shqipëri që shkaktojë dëme të mëdha. Njësoj duhet konsideruar dhe sëmundja nga ky aspekt. Kështu që, e di që është në plan edhe kjo pikë që shpresoj të realizohet sa më shpejt. Duke mos dashur të përsëris të gjitha pika e tjera urime dhe suksese.
Lulzim Basha: Faleminderit! Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen! Dua të them që rrallë herë ndonjë forcë politike ka patur privilegjin e burimeve të tilla njerëzore të kualifikuara me një aparat analitik kritik i cili është i aftë të përpunojë të dhënat e realitetit ashtu siç janë, të analizojë dhe të sjellë potencialet e vërteta të zhvillimit ashtu siç janë në mënyrë që të formulojë zgjidhje të duhura në ndihmë të njerëzve, por po kështu zgjidhje të zbatueshme dhe jo tullumbace elektorale. Vendi nuk ka më kohë për të humbur. Shqiptarët nuk kanë më asnjë çast për të humbur. Ndaj, ky takim i sotëm, i cili është brenduar si “100 ekspertë për 100 ditët e para”, të na shërbejë që me të vërtet 100 ditët e para të qeverisjes së ardhshme që do të burojë nga vota masive për ndryshim e shqiptarëve, të jenë 100 ditë që do të shtrojnë rrugën e një ndryshimi pa kthim. Kjo do të thotë që ne duhet të marrim përgjegjësitë që çdo 24 orë të këtyre 100 ditëve, të marrim vendimet e rëndësishme mbi të cilat do të ngrihen pastaj planet e zhvillimit në çdo sektor. Pa pikë diskutimi, stabilizimi ekonomik është emergjenca, së bashku me shëndetin dhe stabilizimin shëndetësor dhe për një segment të caktuar të popullsisë çështja e strehës, pra, e rindërtimit. Ndaj në funksion të kësaj, disa nga masat më emergjente do të jenë ato të bërjes së përballueshme të kostos së mbijetesës, përmes risjelljes së Shqipërisë në nivelet të konkurrueshmërisë së rajonit për sa i përket, fjala bie çmimit të naftës, çmimit të energjisë për familjet, por po kështu për ekonominë, për zinxhirin prodhues të ekonomisë, për biznesin e vogël dhe të mesëm. Do të jetë ndihmë ekonomike për të pamundurit, ata që nuk konkurrojnë dot në tregun e lirë, do të jetë investimi i menjëhershëm në stabilizimin e gjendjes së sistemit shëndetësor përmes rritjes së menjëhershme të pagave të mjekëve, infermierëve, mjekëve specializantë, për të ndalur hemorragjinë e tyre që po e lë vendin pa mjekë dhe pa mundësi për të kuruar pacientët, qoftë të pandemisë, qoftë të valës së fshehur të sëmundjeve kronike, do të jetë po kështu hapi i menjëhershëm në drejtim të stabilizimit dhe të ringritjes së arsimit në të dy komponentët e tij: universitarit ku tashmë kemi një projekt të qartë, bashkëfirmosur me Aleancën Europiane të Universiteteve dhe me ndihmën e Komisionit Europian për reformën e universiteteve në drejtim të trajtimit dual, profesional, edhe kjo nuk mund të presë, por duket si diçka afatmesme afatgjatë. Nuk pret dot asnjë ditë më, pas 8 vite humbjesh të cilat na kanë humbur mijëra e mijëra të rinj çdo muaj, plagë që duhet ë ndalet menjëherë, duhet të jetë po kështu edhe një lëvizje e menjëhershme e atyre në arsimin para universitarë, i cili ndodhet ndoshta në krizën më të thellë si rezultat i shumë faktorëve duke përfshirë këtu edhe braktisjen, dorëzimin e arsimit parauniversitar në kushtet më të këqija në rajon. Pa harruar sektorët e tjerë të ekonomisë, fermeri shqiptar që përbën gjysmën e popullsisë ku jemi angazhuar që nga ky vit në rishikimin e buxhetit për të bërë realitet zotimet tona 100 milionë euro subvencione çdo vit buxhetor dhe 50 milionë euro mbështetje infrastrukturore për fermerin shqiptar, për fshatin shqiptar, ku 50% të shoqërisë ka natyrisht një impakt të drejtpërdrejtë tek e gjithë shoqëria, tek të gjithë konsumatorët, tek ushqimi dhe tek mirëqenia e shqiptarëve. Ekonomia, punësimi, pagat e larta mbeten prioriteti afatmesëm i këtij programi. Ekonomia, punësimi, mirëqenia janë po kështu prioriteti absolut i 100 ditëve të para së bashku me shëndetin në tërësi dhe përballimin me sukses në tejkalimin e pandemisë në veçanti dhe përmbylljen me shpejtësi të procesit të rindërtimit. Kjo mund të arrihet vetëm duke rivendosur sundimin e ligjit kundër sundimit të njësh-it. Kjo mund të arrihet vetëm duke rivendosur institucionet në funksion të qytetarëve dhe shtetin në shërbim të qytetarëve. Jam i bindur që këtë do ta arrijmë të gjithë së bashku. Një javë na ndan nga e diela dhe votën për koalicionin për ndryshim, për Aleancën për Ndryshim, për Partinë Demokratike, për numrin 9. Do të hapim së bashku rrugën dhe do të marrim përgjegjësi për 4 vite punë të palodhshme në shërbim të qytetarëve, të cilët me patjetër do të sjellin ndryshimin që kërkon dhe meriton çdo shqiptar, duke nisur me 100 ditët e para të qeverisjes, të cilat do të jenë 100 ditë intensive, të vështira por pa diskutim një sfidë që do ta kapërcejmë me sukses, për t’i dhënë shqiptarëve atë që meritojnë, shpresën, besimin, mundësinë për të ndërtuar jetën e tyre në një Shqipëri që ecën përpara, një Shqipëri që po kështu ecën drejt integrimit europian. Sepse një nga zotimet tona të 100 ditëve të para mbetet hapja e negociatave me BE-në. Edhe një herë faleminderit nga zemra për këtë mundësi, për mbështetjen tuaj të vazhdueshme, për angazhimin tuaj! Mund ta them me gojën plot se jo vetëm ne si forcë politike dhe koalicioni jonë, por edhe Shqipëria është e bekuar me përkushtimin dhe angazhimin tuaj dhe të qindra profesionistëve brenda dhe jashtë vendit dhe miqve tanë europian dhe euroatlantikë që na kanë qëndruar pranë në hartimin e programit dhe do na qëndrojnë pranë e do na ndihmojnë në zbatimin e tij. Faleminderit! Dhe mos harroni 25 prilli po afron, vota për numrin 9-të. Shqipëria fiton! Faleminderit! e.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/