Ka vijuar edhe sot në ditën e dytë vaksinimi masiv i të moshuarve +70 vjeç në sheshin Skenderbej. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në shesh, ku ka theksuar se procesi po shtrihet në të gjithë vendin.
“Vaksinimi vijon në të gjitha qyetetet, ne jemi shtrirë në mënyrë kapilare në të gjitha qendrat shëndetësore, por edhe në qendrat e vaksinimit të përqëndruar në të gjitha rrethet. Ne dje kemi arritur të vaksinojmë 11487 persona dhe kemi arritur atë targetin e vendosur dhe sigurisht objektivi ynë është të kalojmë 10 mijë vaksinime në ditë. Në tërësi kemi mbi 78 mijë vaksinime të kryera, procesi po ecën shpejt, sidomos në qendrat e vaksinimit të përqendruar”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha për mediat se është shumë e rëndësishme që të regjistrohen të gjitha kërkesat për vaksinim që asnjë qytetar të mos mbetet pa u njoftuar dhe pa u vaksinuar.
“Për të gjithë qytetarët që kanë nevojë të informohen se kur do të jetë radha e tyre e vaksinimit, nëse ende nuk e kanë marrë këtë njoftim duhet të kontaktojnë mjekun e familjes, për të bërë kërkesën për vaksinim. Ose të aplikojnë në portalin e-Albania me një kërkesë të thjeshtë për aplikim dhe do të njoftohen me telefon nga mjeku i familjes apo mesazh për ditën dhe orën e vaksinimit si dhe vendin e vaksinimit”, tha Manastirliu.
Duke folur për organizimin e procesit të vaksinimit, Manastirliu tha: “Kemi vendosur që për arsye të lehtësimit dhe për qytetarët të cilët janë në një moshë +85 vjeç, vaksinimi të kryhet pranë qendrave shëndetësore, që të jenë afër vendbanimit. Kurse për grupmoshën +70 vjeç, të ndara sipas fashave të ndryshme, të jetë në pikat e vaksinimit të qendërzuara”.
Deri tani janë kryer mbi 78 mijë vaksinime në të gjithë vendin.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/