Varfëri, emigracioni i fëmijëve, diskriminimi gjinor, papunësi dhe mungesa e dinjitetit, ja...

Varfëri, emigracioni i fëmijëve, diskriminimi gjinor, papunësi dhe mungesa e dinjitetit, ja çfarë i thonë Bashës gratë e Elbasanit

83
0
Shares

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka vizituar sot qytetin e Elbasanit në kuadër të Ditës së Verës, ku ndër të tjera zhvilloi një takim me gra përfaqësuese të fushave të ndryshme dhe kandidatet për deputete të këtij qyteti. Ai u njoh nga afër me problematikat dhe vështirësitë që gratë e këtij qyteti hasin në profesionin e tyre dhe në jetën e përditshme. Varfëria, emigracioni i fëmijëve, diskriminimi gjinor, papunësia dhe mungesa e dinjitetit, janë vetëm disa nga shqetësimet që ngritën në fjalën e tyre. Ato gjithashtu vlerësua Programin e Partisë Demokratike për Gruan, të cilin e quajtën si dritë shprese për ta ndryshuar njëherë e përgjithmonë këtë situatë të vështirë për çdo grua elbasanase dhe çdo grua shqiptare.

Enerjeta Fortuzi: Shpresoj që këtë ditë vere po e festojmë kështu, me pak njerëz, por vitin tjetër me ju kryeministër, do të bëjmë një festë shumë të madhe, sepse me shpresë do të jetë larguar edhe kovidi. Unë jam me profesion avokate dhe mbroj çështjet penale dhe kryesisht dhe të mitur. E ndjej tek familjet që vijnë për të miturit që I shoqërojnë që I mbroj unë dhe kolegët e tjerë dhe vijnë nga familje në skamje të plotë, nuk shtyjnë as, nuk e di, nuk e di, unë nuk e di si jetojnë me atë pasiguri dhe shpeshherë edhe fëmijët që janë të vegjël kanë mendimin që sa të mbushin moshën të largohen nga ky vend. Jo fëmijët tanë duhet të rriten këtu. Unë kam një djalë, është student në vit të parë tek akademia e arteve dhe I ushqejë atë mendimin që ai duhet të arsimohet të qëndrojë dhe ti shërbejë dhe të bëhet aktorë se është për aktrim këtu në vendin e vet, dhe kam shpresën edhe në Zot që ne do të vijmë në pushtet dhe ju do të jeni kryeministër i ardhshëm i këtij vendi.

Lumturie Hasa: Se jemi një popull që kemi vuajtur shumë. Shpresojmë edhe fëmijët tanë një ndryshim e presim me pa durim. Ne mësuesit, arsimtarët e ndiejmë shumë në shkollat tona, e ndiejmë te fëmijët kur shohim që deri tek ushqimi që ata marrin me vete se jemi në shkollë publike, është shumë i varfër pra ekonomia ka arritur deri sa, deri aty sa nuk mban më. E shohim tek nënat që vijnë, që shoqërojnë fëmijët e tyre janë të pezmatuara, nuk u qesh fytyra, kanë shumë halle mbi supe, mbajnë peshën e familjes dhe gjithmonë flasin hapur me mua ndihem shumë e afërt me ta. Bisedoj shpesh edhe për çështje tepër të ngushta dhe e shoh që është tepër e nevojshme ky ndryshim. Duke parë figurën tuaj them që jeni i denjë për kryeministër të Shqipërisë. Jeni i denjë që ne të na ofroni më të mirën e mundshme, që fëmijët tanë të jetojnë ashtu si fëmijët e tjerë jashtë, fëmijët tanë të arsimohen këtu të punojnë për vendin tonë, të drejtojnë vendin tonë dhe jo të na largohen se ne me zor i kemi rritur dhe i duam pranë, pran vetes, ti shërbejnë vendit tonë. Kjo do jetë më e mira dhe idealja për ne.

Zheni Gjergji: Që nga viti 2009 i sollëm fitore Elbasanit, i sollëm fitore Shqipërisë kështu që besoj se prapë së bashku ashtu si na udhëhoqe ato ditë fushate të na udhëheqësh këto pak ditë që kanë mbetur për të festuar bashkë fitoren dhe pranverën. Patjetër, do bëjmë një ditë vere tjetër. Vera e madhe e gjithë Shqipërisë dhe jo vetëm e Elbasanit. Unë jam bije e këtij Elbasani, kam rritur fëmijët këtu në Elbasan por fat keqësisht para 8 vitesh i bir vendosi të shkollohet jashtë dhe kujtoj që në këto 8 vite terri, në një ditë akthi kur Shqipërinë e mbytën bandat dhe krimi kam bërë share në facebook një shkrim “Ik bir mos u kthe”. Të them të drejtën mu drodh dora kur e bëra atë shkrim se mendoj që asnjë nënë nuk duhet ti thotë birit të tij mos u kthe në vatrën tënde, mos u kthe te gjyshërit e tu, te gjyshja jote, mos fli në shtratin tënd por rropatu rrugëve të Europës për një arsimim më të mirë. Në fakt, sot nga këtu do t’i bëj thirrje tim biri të kthehet, të kthehet, ai do bëhet mjek se së shpejti diplomohet, të japë maksimumin e tij për këtë vend, ashtu si familja e tij, ashtu si unë sepse ne kemi një shpresë shumë të madhe dhe ajo shpresë është tek ju, është tek programi i Partisë Demokratike i hartuar këtë radhë në mënyrë perfektë dhe unë them se sot shqiptarë, sot elbasanasit kanë këtë dritë shprese për ta ndryshuar njëherë e përgjithmonë këtë situatë kaq të vështirë.

Sonila Daiu: Në angazhimin tim në shumëvjeçare kam patur fatin që të punoj me dy shtylla kyçe të shoqërisë, rininë dhe gratë dhe dua t’ju them me trishtim të plotë që gjatë këtyre viteve kam parë tek rinia dhe gratë mungesë të meritokracisë, mungesë të gjetjes së vetes së tyre, mungesë totale të barazisë gjinore dhe për më shumti shpesh herë dhe të dhunuar jo vetëm verbalisht, fizikisht, por shpesh herë dhe të dhunuar politikisht. Ka gra dhe zonja në qytetin tonë që vuajnë varfërinë, të ushqyerin e fëmijëve të tyre, shkollimin, vuajnë largësinë e fëmijëve të tyre. Ka zonja të cilat janë të pa përfaqësuara, zonja të cilat janë të papuna dhe janë zonja të cilat janë totalisht të diskriminuara dhe shpesh herë të thëna që ky është fati juaj, dhe ky është fakt. Dhe jam e bindur dhe jam shumë e qartë që së bashku me Programin e Partisë Demokratike të cilin e kam ndjekur me shumë kujdes, të arsimit, të rinisë, të grave, ku dhe Partia Demokratike vendos shtylla të fuqishme mendoj që këto do të sjellin me të vërtetë një ardhmëri dhe sukses. Unë besoj shumë që arsimi është çelësi kryesor për të ardhmen e Shqipërisë. Ne nuk trishtohemi absolutisht nga gjesti i kryeministrit sot. Ai është personi më i trishtuar. Besoj që të gjithë ne e besojmë këtë gjë. Unë mendoj që ka një paralelizëm midis Ditës së verës sot për fitoren e Partisë Demokratike dhe nga gjithë ky pushtet rrënues, nga gjithë ky dimër i zymtë do të ketë patjetër një fije shprese, drite dhe ardhmërie. Dhe dua ti them sot të gjithë shqiptarëve, në këtë ditë simbolike, gëzuar 14 Marsin dhe padyshim kjo ditë do të jetë start-i simbolizmit të ndryshimit të madh në Shqipëri.

Aishe Shyti: Zoti kryetar jam Aishe Shyti, përkthyese zyrtare. Ndjehem sadopak shumë e vogël përpara zonjave të nderuara të Elbasanit, gjithsesi kam pak fjalë si për qytetin tim, si për mua, si për profesionin tim ashtu dhe për familjen time. Siç thanë dhe zonjat e nderuara, skamja ekonomike e Shqipërisë dhe sidomos e Elbasanit, që besoj se vlerësohet si një nga qytetet fatkeqësisht më të varfra të Shqipërisë, ndjehet kudo. Nuk dua të zgjas fjalën time, në punën time, qoftë dhe në një shëtitje që bëjmë në qytet kudo ndjehen problemet e njerëzve, problemet ekonomike, trishtimin e tyre, mos pasjen e mundësisë të shkollojnë fëmijët e tyre, ti argëtojnë sado pak dhe kjo të krijon vetëm trishtim. Atëherë, unë jam nënë e re. Vetë me familjen time patëm emigruar dikur për një të ardhme më të mirë dhe pasi u arsimova jashtë vendosa të kthehem në Shqipëri pasi doja të jetoja këtu, të ofroja çfarë kisha mësuar dhe çfarë kisha mundësi unë në shtetin tim, në vendin tim, kështu që dhe për fëmijën tim normalisht dua ta rris në Shqipëri, por dua ti ofroj gjithsesi shëndet, dua ti ofroj një arsim të mirë, një mjekësi të mirë, dua të rritet në një qytet që nuk ngjan i trishtuar, sepse Elbasani në 8 vitet e fundit është shumë qytet i trishtuar. Fatkeqësisht ndien nevojën, dhe më vjen keq që e them këtë, të largohesh nga Elbasani kur sheh trishtimin e njerëzve, kur sheh që nuk kanë mundësi ti ofrojnë fëmijëve të tyre diçka, gjënë më të vogël dhe më normale për njerëzit e tjerë që ndoshta jetojnë nëpër shtetet e tjera.

Megi Balliu: Unë jam Megi Balliu, kam mbaruar studimet për financë-kontabilitet, ekonomiste në profesion. Në anketimet që kemi bërë gjëja që vija re më shumë dhe që më trishtonte në plotësimin e tyre, kërkesat, problematikat që kishin qytetarët ishte papunësia dhe ajo që më shqetësonte më shumë rikthimi i fëmijëve, emigrantëve dhe të rinjve. Është trishtuse për mua që bashkëmoshatarët, të rinjtë janë larguar nga vendi i tyre. Një ndër to kam qenë dhe unë që e kam menduar të largohesha, por me shpresën dhe besimin që ky vend do të bëhet vendosa të qëndroj, të punojmë bashkë për ditë më të mira që ti sjellim fitoren Shqipërisë, qytetit të Elbasanit, në 25 Prill. Dhe na shkoftë mbarë e gjithë kjo betejë që kemi përpara.

Anila Bishqemi: Unë jam Anila Bishqemi, një nga përfaqësueset e ekipit të Partisë Demokratike. Vij nga sfera ekonomikë bankare dhe gjëja e parë që vë re në Elbasan, dhe sidomos vitet e fundit, është rënia ekonomike që unë e shikoj çdo ditë në përditshmërinë time si ekonomiste në një bankë të nivelit të dytë. Është shumë e vështirë kur ne i përqasemi klientit duke i thënë pse vonoheni në pagesa, pse merrni interesa? Dhe kur klientët nuk përgjigjen dot, por me lot në sy thonë zonjë e dashur nuk kam lekë për bukë. Ka arritur, është një situatë e tillë ku qytetarët mendojnë të ushqehemi çdo ditë, të ushqejmë fëmijët, apo të paguajmë taksat, apo të mbyllim biznesin, pa menduar investim në arsim, pa menduar një investim të përditshëm që dikujt tjetër mund ti duket luks por që mund të jetë një argëtim për fëmijët. Unë kam jetuar jashtë dhe vajzat e mia janë kthyer këtu 6 vjeçe. Kur kanë ardhur kanë qenë të lumtura dhe e kanë dashur Shqipërinë në krahasim me Amerikën. Pëlqenin njerëzit, kam pasur të afërmit të gjithë këtu. Para dhjetë vitesh ne kemi qenë të gjithë këtu. Unë tani nga familja e mamasë, nga tetë vëllezër që ka mamaja nuk ka asnjë në Shqipëri. Janë të gjithë jashtë, të emigruar por më mirë se këtu. Dhe shikoj që në vajzën time 16 vjeçare, një adoleshente kur më thotë: Mami unë dhe dy vite jam këtu, unë do largohem. Dhe ndjej keqardhje dhe nuk di se si ti përgjigjem dhe këtë rrugë që kam marrë është një nga arsyet e vetme që e marr vetëm për fëmijët. Vetëm që fëmijët të arsimohen, të jetojnë të lumtur dhe të ndërtojnë një vend më të mirë. Dëshiroj dhe i uroj me zemër dhe jam e bindur për këtë, që 25 prilli do të jetë një kthesë për të gjithë ne.

Flutura Açka: Mirëserdhe zoti Basha në qytetin tonë që është edhe qyteti juaj sepse ju keni qenë kaq shpesh në këtë qytet saqë është bërë thuajse edhe i juaji. Ju folët për dimrin e gjatë dhe zonjat folën për dimrin e gjatë, në fakt është vazhdimi i një acari, i një acari të vjetër. Në këtë vend ku jemi bashkë, në këtë godinë ka qenë një godinë shumë e bukur, është ndër teatrot më të bukura shqiptare për shkak edhe të akustikës. Por këto shtyllat nëpër këto lozhat kanë qenë me statuja të vogla, me haleki siç i ka projektuar arkitekti. Po këta të acarit, po këta terroristët e kuq shkatërruan dhe kjo është, po i shkatërron i thyen dhe sot që të dhunojnë dhe të thyejnë është zanati i tyre. Ne do të sillemi ndryshe dhe e kemi për detyrë të sillemi ndryshe, sepse jemi ndryshe dhe këtu ndryshojmë. Të sjellim pranverën, ju folët për zonjat e bukura folët për lulet s’ka shembull më të mirë në një ditë. Nuk ka si Elbasani, nëse ka një vend të paqtë, jo për shkak të ditës së verës, ja kemi dhuruar me dashuri tani gjithë Shqipërisë. Por për shkak të kësaj atmosfere që ka kjo ditë, të bashkimit. Ne jemi pak metra nga kalaja, mendoni në pak metra, jo kilometra, në pak metra katrorë aty keni shembullin po themi i një mirëkuptimi i një bashkëjetese. Kishë ortodokse, kishë katolike, xhami, sinagoga. Ku ka? Në cilin vend ka një paqe të tillë si në Elbasan? Do të thotë kjo paqe që na është prishur vitet e fundit që Elbasanasit mbyllin qepenat shpejt e shpejt që të ikin në shtëpi. Që mbyllin dritat mos duket hajati që është i ndezur. Ka një drithë në zemër kur shkoj nëpër shtëpiat e tyre. Ky lloj terrori psikik duhet të iki, t’i largohet Elbasanit, se nuk i shkon Elbasanit. Ka qenë një dënim i madh i viteve të fundit dhe gjëja e parë që duhet të bëjmë është të sjellim pikërisht këtë paqe që ne e kemi tonën përfaqësues. Mua më kujtohet, do sjell një shembull dhe do ta do ta them shpejt se kam nevojë ta them sepse është për gruan dhe për lulet dhe në këtë fushë dhe në këtë frymë që dua. Pra, neve duhet të kthejmë këtë gjë, e bukura është e bukur, që nga shtëpitë, nga lyerja e shtëpive. Po e bukura nuk mund të vij po nuk erdhi gëzimi. Duhet të vij gëzimi, shpresa dhe pastaj vjen dhe e bukura, dëshira për të bukurën.

Lulzim Basha: Ju falënderojë për mikpritjen në një ditë të veçantë, kur normalisht edhe familja kërkon kohën e vet, sepse është ditë feste për Elbasanin në veçanti dhe për të gjithë Shqipërinë. Nuk ka në shpirtin tim përveçse gëzim në një ditë të tillë sepse me ndonjë përjashtim të rrallë për arsye të mëdha, jam gjendur gjithmonë në zemrën e kësaj feste që është Elbasani. Dhe kështu ndodhem edhe sot. Dhe nuk ka gjë më të bukur në sytë e njerëzve gëzimin dhe shpresën që përçon kjo ditë. Shpresën që dimri po merr fund, vera do të vij, e keqja, e zeza do të marrë fund dhe e mira do të vijë. Ky proces ripërtëritjeje i shpresës i përvitshëm, ka një domethënie të veçantë këtë vit. Nuk bëhet fjalë për një dimër dosido, bëhet fjalë për një dimër 8-vjeçarë që e ka ndjerë më shumë nga të gjithë zonjat, gratë dhe vajzat shqiptare. Ndaj jam sot në mesin tuaj, së pari për t’ju thënë që e kam ndjerë dhe e kam prekur thirrjen për këtë ndryshim që simbolizon Dita e Verës. Ndryshimin që simbolizon festa e luleve, siç i thonë në shumë vende kësaj dite. Lulja që simbolizon mposhtjen, thyerjen e dimrit nga pranvera. Dhe bashkimin më të madh të shqiptarëve për ta bërë këtë të mundur. Sepse në fakt, ndryshimi do të jetë dhe do të vijë për të gjithë shqiptarët! Ata që duan të na ndalin, janë një pakicë absolute njerëzish që na kanë mbajtur në vendnumëro, na kanë mbajtur në këtë dimër të gjatë 8-vjeçarë. Gjëja më e veçantë e kësaj ndjesie që pret kudo, është shpresa që rrëzëllen nga gratë dhe rinia shqiptare. Sepse e di që sa herë që vjen përmes tyre, është garancia se e keqja do të mposhtet dhe se bashkimi i shqiptarëve do të jetë më i madhi i mundshëm më 25 prill. Kur gruaja është e fortë, Shqipëria është e fortë! Kur gruaja është e vendosur për ndryshim, asgjë nuk e ndal dot ndryshimin. E shoh tek gruaja shqiptare, tek rinia shqiptare një dëshirë të papërmbajtur për ndryshim. Natyrisht është detyra jonë të bëjmë gjithçka që zotimet, angazhimet me të cilat do t’i japin formë këtij ndryshimi, t’i mbajmë një më një. Duke nisur nga ato angazhime që kanë të bëjnë me rolin e gruas shqiptare në shoqëri. Në veçanti sa i përket tejkalimit të vështirësive ekonomike që ka shkaktuar rritje e papunësisë, që ka shkaktuar rritjen e kostos së jetesës dhe vështirësitë e përditshme të grave shqiptare për t’i përballuar këto vështirësi. Që ndihen dyfish më shumë tek problemet të tilla si; emigracioni prek bijtë dhe bijat e nënave shqiptare dhe padiskutim tek zgjidhjet që ne kemi hartuar në planin tonë dhe do të bëjmë të mundur së pari stabilizimin e situatës dhe pastaj daljes nga kjo situatë ku parësore është dhënia e çdo të riu dhe të reje dhënia e mundësie për një arsimim dhe kualifikim dinjitoz dhe rritja me shpejtësi e kapaciteteve ekonomike që pas arsimimit ata të kenë një vend pune dinjitoze me pagë që siguron mirëqenie dhe një barazi midis pagës së burrave dhe pagës së grave dhe trajtimit të burrave dhe grave anembanë vendit. Për këtë arsye i kam dhënë një rëndësie të veçantë dhe nuk ka qenë e lehtë përfshirjes në ekipin tonë të fitores grave përfaqësuese të Shqipërisë, përfaqësuese në kuptimin rrugëtimit të tyre të jetës, përfaqësuese në kuptimin e sfidave që janë përballur qoftë në rrafshin personal po ashtu dhe në rrafshin profesional por dhe të eksperiencës që sjellin. Qoftë përmes këtyre sfidave që ia kanë kaluar me një forcë të jashtëzakonshme që buron dhe mund të burojë vetëm nga zemra e një gruaje të fortë, qoftë dhe ekspertizës dhe përkushtimit për tu bërë pjesë e ndryshimit që do Shqipëria, pra për tu pjesë e ndryshimit që çdokush kërkon sot, jo thjeshtë të një rrotacioni karrigesh por një ndryshimi të vërtetë por janë gra që vijnë si karaktere të pavarura si njerëz të padhunueshëm me dinjitetin e tyre dhe sigurisht garancisë që qeveria e nesërme unë nesër si kryeministër, të kem prioritet lartësimin e gruas dhe jo fshehjen pas grave të dhunës të psikikës së dhunës, të fjalorit të dhunës të aleancës me dhunën që për fat të keq mua dhe sot sepse kryeministri i ardhshëm nuk mund të shoqërohet me banditë as në Elbasan, as në Shkodër, as në Durrës e as kudo por do të shoqërohet me gra të zonja dhe profesioniste që do të jenë që do tu besohet kthimi i institucioneve të qytetarëve, fytyra njerëzore e politikës dhe zbatimi i programit tonë. Nuk dua të zgjatem shumë sot është një kënaqësi të ndodhem midis zonjave të nderuara të Elbasanit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY