Në Shqipëri Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve njoftoi sot se i është drejtuar qeverisë me kërkesën për financimin e projektit të identifikimit biometrik të zgjedhësve si dhe projektin tjetër pilot që do të zbatohet në zona të caktuara, për votimin dhe numërimin elektronik. Për të dyja projektet, kostoja e përafërt llogaritet në 27 milion euro.
Përdorimi i teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit ishte çështja e parë me të cilën u mor, sapo nisi punën, më 12 Tetor, Komisioni i ri Qëndror i Zgjedhjeve. Përmes dy vendimeve të veçanta, u përcaktuan specifikimet teknike dhe u kërkuan oferta paraprake financiare për të bërë një vlerësim të kostove, si për projektin e identifikimit biometrik të zgjedhësve, ashtu dhe për projektin tjetër pilot, të votimit dhe numërimit elektronik.
Pikërisht bazuar në propozimet financiare të marra nga kompani vendase dhe të huaja, Komisioni njoftoi sot se i është drejtuar Qeverisë me kërkesën për financimin e të dy projekteve.
Për identifikimin biometrik të zgjedhësve që do të realizohet në të gjithë Shqipërinë, nga ofertat e marra prej 7 kompanive, Komisioni ka vlerësuar një kosto mesatare prej mbi 2.1 miliard lekësh ose 17 milion eurosh. Projekti konsiston në pajisjen e mbi 5 mijë qendrave të votimit në të gjithë vendin, me lexues të kartave të identitetit, përmes të cilëve, një votues do të rregjistrohet me të gjitha të dhënat e tij biometrike. Pajisja nuk do të jetë e lidhur në rrjet, për të shmangur të papritura që mund të vënë në rrezik procesin, por pas përfundimit të votimit, kryqëzimi i të dhënave nga secila pajisje, do të duhet të identifikojë personat të cilët mund të kenë votuar më shumë se një herë.
Votimi dhe numërimi elektronik, një projekt i dështuar vite më parë në Shqipëri, do të testohet për jo më shumë se 20 përqind të zgjedhësve, duke qenë se bëhet fjalë për një proces edhe më të komplikuar. Ofertat e marra nga 3 kompani çuan në një vlerësim të kostove prej mbi 1.24 miliard lekë ose 10 milion euro.
Në kërkesën drejtuar për financim qeverisë, Komisioni i Zgjedhjeve vë në dukje kohën e kufizuar në dispozicion e për pasojë, nevojën e lëvrimit urgjent të fondeve. Marrëveshja e arritur mes palëve politike për reformën zgjedhore parashikon angazhimin e qeverisë për të financuar përdorimin e tekonologjisë në zgjedhjet e ardhshme për parlamentin e ri. /VOAi/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/