Inceneratori, KLSH zbulon fshehjen e fitimit. Kosto nuk eshte 29 euro/ton por...

Inceneratori, KLSH zbulon fshehjen e fitimit. Kosto nuk eshte 29 euro/ton por 40 euro/ton

133
0
Shares

Shoqëria ‘Integrated’ e Klodian Zotos pritet të fitojë 7 herë më shumë se sa parashikimet e studimit të fizibilitetit për inceneratorin e Tiranës, i cili më pas u shndërrua në kontratë koncensionare, transmeton syri.net.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se fitimi i kompanisë është 14.4 euro për ton dhe vlera e përpunimit për ton arrin në 40.6 euro, ndryshe nga çfarë pretendon qeveria.

Qeveria shqiptare duket se ka përdorur laps me gomë, kur ka parashikuar zyrtarisht se kosto për përpunimin e mbetjeve në inceneratorin e Sharrës do të jetë vetëm 29 euro për ton.

Në fakt, çmimi që autoritetet shqiptare do të paguajnë për biznesin e Klodian Zotos do të jetë të paktën 40 euro për ton mbeturina.

Dhe kjo shifër e lartë nuk ka asnjë lidhje me kostot e ndërtimit apo operimit të inceneratorit dhe landfillit në përgjithësi.

Kostoja është më e lartë pikërisht tek norma e fitimit të kompanisë ‘Integrated Technology Service’.

Në studimin e fizibilitetit, është parashikuar që norma e fitimit e kompanisë private në 30 vitet e ardhshme do të jetë 2.9 euro për ton.

Por, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka arritur në konkluzione shumë të ndryshme.

Sipas një auditimi të kryer në Drejtorinë e Koncensioneve pranë Ministrisë së Financave për vitin 2019, KLSH vlerëson se norma e fitimit e kompanisë së Zotos është 14.4 euro për ton.

Pra, shoqëria ‘Integrated’ pritet të fitojë 7 herë më shumë se sa parashikimet e studimit të fizibilitetit, i cili më pas u shndërrua në kontratë koncensionare.

E përkthyer në vlerë monetare, përfitimi i biznesit të Zotos do të jetë disa dhjetra milionë euro më tepër, duke i rënduar në mënyrë arbitrare taksave të qytetarëve shqiptarë.

Po çfarë diferencash ka konstatuar Kontrolli i Lartë i Shtetit ndërmjet kostove të parashikuara nga Qeveria dhe situatës reale?

KLSH ka konstatuar se kostot e ndërtimit dhe operimit të inceneratorit të Sharrës, sipas shifrave të studimit të fizibilitetit, arrijnë në 430.6 milionë euro, aq sa ka parashikuar edhe Qeveria.

Megjithatë, rreth 61 milionë euro është e pajustifikuar, sipas audituesve shtetërorë.

Në Raportin Konfidencial, KLSH konstaton se në studimin e fizibilitetit ‘nuk ka argumentim për shpenzimet administrative në vlerën e 58.5 milionë eurove, për kostot për konsulencë në vlerën 2.1 milionë euro dhe për kostot e telekomunikacionit, në vlerën 507 mijë euro’.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre dyshimet e forta se këto kosto të paargumentuara, që arrijnë në vlerën e 20 përqind të projektit, kanë ndikim të drejtëpërdrejtë mbi vërtetësinë e llogaritjeve të kryera për përcaktimin e tarifës së shërbimit.

Por, pikëpyetja më e madhe në këtë ‘lojë shifrash’ duket se qëndron tek norma e fitimit për kompaninë e Zotos.

Qeveria mbështet faktin se kostoja e përpunimit të mbetjeve në inceneratorin e Tiranës është 29 euro për ton, duke pasur një normë fitimi prej 2.9 euro për çdo njësi sasie.

Ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit, në bazë të përllogaritjeve të tij, vlerëson se fitimi i kompanisë është më i lartë, 14.4 euro për ton dhe vlerë e përpunimit për ton arrin në 40.6 euro.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY