“U bënë shumë gabime, këto 6 muaj do të jenë edhe më...

“U bënë shumë gabime, këto 6 muaj do të jenë edhe më të vështirë”, Basha tregon çfarë do të ndryshojë plani i PD

102
0
Shares

Lideri i opozitës ishte sot në një vizitë në disa fasoneri në Vorë, nga ku theksoi se kryeministri sipas tij me gjuhën vulgare nuk mbush dot tavolinat bosh të shqiptarëve.

Por me një postim në rrjetet sociale, pas takimeve, kreu i PD-së tha se pas 7 vitesh “amullie keqmenaxhimi, dështimesh gjigande dhe premtimesh të pambajtura”, shqiptarët e kanë kuptuar që nuk mund të vazhdojmë në këtë rrugë dhe që “është koha për ndryshim”.

Duke theksuar se nuk ka më kohë për të humbur, Basha nënvizon se plani që PD ka shpalosur këtë javë nuk është programi elektoral.

Plani ynë i rimëkëmbjes anti-COVID ndihmon çdokënd që po vuan sot më shumë se një vit më parë. Plani ynë synon të ndalë vjedhjet këto 6 muajt e fundit dhe t’i çojë paratë e shtetit aty ku kanë nevojë shqiptarët:
-100 mijë të papunët, sipërmarrja që po vuan, në veçanti biznesi i vogël, çdo biznes, duhet të marrë një çek prej 1 mijë eurosh.
-sipërmarrja që rimerr në punë ata që kanë humbur vendin e punës, duhet që shteti t’i disbursojë me 200 mijë lekë të vjetra për person.
-pensionistët duhet të marrin një çek prej 20 mijë lekë të vjetra në muaj për person, për të mbuluar shpenzimet shtesë të pandemisë dhe dyfishimin e ndihmës ekonomike.

Nuk ka më kohë për të humbur. Shqiptarët kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje”,-shkruan kryedemokrati.

DEKLARATA E PLOTE 

Pyetje: Z.Basha kur do e prezantoni planin elektoral?

Lulzim Basha: Nuk kam ardhur këtu për planin elektoral. Kam ardhur t’ju them që këto 6 muaj do të jenë muaj edhe më të vështirë se këto 6 muaj që kemi kaluar. Dhe ky është momenti për t’u marrë masat që nuk u morën. Gabimet u bënë, por, të paktën, të mësohet nga këto gabime, sepse faturën nuk po e paguan as Edi Rama, as ministrat e tij të krimbur në para, as oligarkët që i rrethojnë, që jetojnë në luks sheikësh, por po i paguajnë e gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë, njerëzit punëtorë, sipërmarrësit punëtor, punëmarrësit e tyre, punonjësit që mbajnë familjen me bukë, këto zonja që shikoni ju këtu, po i paguajnë fëmijët e tyre, po i paguan sistemi shëndetësor, po i paguan sistemi arsimor.

Prandaj, sot e ditë për ditë nuk do të lodhem duke kërkuar përmes ndihmës tuaj si media ta përcillni mesazhin: Nuk është koha për palaçollëqe dhe sharlatanizma. Nuk i hedh hi syve njeriu duke u sjellë si palaço dhe duke sulmuar nga mëngjesi deri në darkë opozitën.

Të marrë përgjegjësitë të paktën këto ditë që i kanë mbetur, sepse është vetëm përgjegjësi e tij, që kriza ekonomike është thelluar dhe do të vazhdojë të thellohet, që sipërmarrja është në prag të falimentimit, që numri i të papunëve është rritur, që tavolinat e shqiptarëve janë bosh. Po kur e rrethon veten me një grusht të korruptuarish në luks të shfrenuar, e ke të pamundur të kuptosh se çfarë po ndodh edhe 500 metra larg teje.

Po ju them se, në qendër të Tiranës dhe në periferi të Tiranës, sot njerëzit nuk kanë lekë, nuk kanë mundësi as të futen në listat e dyqaneve. Këtu ka arritur kriza ekonomike në vend. Kjo është e vërteta përtej shfaqjeve dhe propagandës së Edi Ramës.

Prandaj nuk ka kohë për të humbur.

Urgjentisht, plani që ne kemi shpalosur, i rimëkëmbjes ekonomike anti-COVID duhet të vihet tani në funksion se ka kohë pastaj për t’u marrë me kopjet e shëmtuara, dhe në kuptimin politik, vetëvrasëse, që i bën programit tim ekonomik. Ka kohë për t’u marrë me ato.

E keni parë para disa ditësh, kur thoshte; do të ndaloj inspektorët, dmth, ti i paske lënë inspektorët shtatë vite, tani do t’i ndalosh, sepse erdhën zgjedhjet. Por kemi kohë të flasim për këto.

Pyetje: Z. Basha nëse ndalemi pak tek zgjedhjet, opozita ka prezantuar një plan konkret për Reformën Zgjedhore…

Lulzim Basha: Ekspertët tanë do të japin përgjigje për çdo pyetje. Sot jam këtu për të nënvizuar edhe një herë emergjencën para së cilës ndodhemi. Është një emergjencë ekonomike, është një emergjencë shëndetësore, është një emergjencë që prek fëmijët tanë nëpër shkolla, është një emergjencë sociale.

Nuk pret koha, prandaj kemi dalë përpara me një propozim konkret.

Përgjigja e djeshme ishte përgjigja e një njeriu të papërgjegjshmëm, që refuzon të pranojë realitetin, refuzon të pranojë përgjegjësitë e tij për këtë realitet. Thirrja ime sot nga terreni, nga e vërteta siç është, me ju prezent, vendosjani mikrofonin kujt të dëshironi, sipërmarrësit, punonjësve apo kujtdo tjetër në këtë ambient industrial në aksin Tiranë-Durrës, është kjo që ne po themi: biznesi është në krizë.

Biznesi ka nevojë për ndihmë.
Sipërmarrja ka nevojë për ndihmë.
Të punësuarit kanë nevojë për ndihmë.
Të papunët kanë nevojë për ndihmë. Pensionistët kanë nevojë për ndihmë.

Nuk është koha për t’u fshehur pas batutave. Është koha për të marrë përgjegjësi. Është koha për t’u kthyer shqiptarëve paratë e taksave, që kanë paguar gjithë këto vite. Ata meritojnë sot mbështetjen dhe jo një grusht mafiozësh inceneratorësh dhe koncensionesh korruptive.

/DRONI.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY