SKANDALI I MASKAVE/ Prokuroria nis hetimet per “Frog” ne Tirane, pronarja shpjegon...

SKANDALI I MASKAVE/ Prokuroria nis hetimet per “Frog” ne Tirane, pronarja shpjegon transferten

267
0
Shares

Në Korrik të këtij viti autoritetet Italiane kanë kërkuar nga polica shqiptare informacione në lidhje me kompaninë “Frog” e cila merrej me tregtimin e produkteve farmaceutike.

Sipas burimeve nga policia kompania dyshohet që të jetë e përfshirë në një skemë mashtrimi me medikamentet mjekësore, që u përdorën në luftën kundër covid-19.

Aksionerë të Kompanisë “Frog” janë Vincenzzo Nuzzielo, që zotërohej me 70 % të saj dhe 30 % nga Mirela Ndoci por që prej korrikut të 2020 zotërohet me 100 % të aksioneve nga Ndoci.

Gjithçka ka nisur nga drejtësia e vendit fqinj pasi në rajonin e Lazios, nuk është dorëzuar porosia e produkteve si maska dhe dezinfektantë, nga shoqëria “Eco TECH srl”.

Sipas hetimeve rezulton se kjo kompani është zëvendësuar me kontrata publike, nga shoqëria internacionale “Biolife SRL”.

Në dokumentat e siguruar nga Abc News thuhet, në data 30 dhe 31 mars, kompania “Biolife” SRL ka përfituar 4 mln e 960 mijë euro nga rajoni i Lazios si pagesa, për pajisje farmaceutike anti-covid, për pandeminë.

Këto para më pas janë transferuar në disa shoqëri të ndryshme në shtetin Italian por pjesa më e madhe e parave është  kaluar në llogarinë e shoqërisë ‘Frog shpk’, e cila ka si administratore Mirela Ndoci.

Kjo e fundit gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore ka thënë se me 31 mars 2020, ka lidhur një kontratë me kompaninë ‘Biolife sirl” me qëllim furnizimin e saj me maska, doreza, dezifektant.

Administratorja e kompanisë “Frog” i ka vënë grupit të hetimit në dispozicion të gjitha transaksionet bankare.

Ndër të tjera Ndoci ka pranuar transfertën prej  55 mijë eurosh në një bankë në Zvicër, por e ka argumentuar si një pagesë të kryer për marrëdhënie konsultimi, për një kontratë me vlerë 3 milion  maska që do të vinin nga Vietnami.

Një ditë me pas Mirela Ndoci gjithashtu ka nënshkruar një kontratë me një subjekt në Egjipt, për të blerë maska për llogari të klientit “Biolife” SRL, Itali.

Sipas saj, subjekti në Egjipt është paguar nga kompania “Frog”, por që kurrë nuk e dërgoi mallin për të cilën ishte paguar.

Sipas Mirela Ndocit ajo ka bërë  një padi kundër këtij subjekti tregtar në Egjipt për të marrë mbrapsht paratë që ka dhënë.

Ndoci gjithashtu ka deklaruar se me kompaninë “BioLife” Srl për të cilën pala italiane ka nisur hetimet ka marrëdhënie tregtare dhe për çdo transaksion me çdo kompani tjetër disponon faturat përkatëse sipas kontratave.

Gjithashtu Ndoci, është pyetur nëse ka ekonomist pranë subjektit dhe nëse po a është bërë transfertë dhe ka deklaruar se ekonomist pranë subjektit të punësuar nuk ka, por ka një marrëveshje me studio kontabiliteti “Aqif Toska” të cilit i bën një pagesë prej 40 mijë lek në muaj, të cilët përgjigjen për anën financiare të subjektit që administron.

Hetimi për maskat fantazmë nisi në Romë dhe përfshiu disa vende, ndërkohë që deri tani, raportohet se, përmes kësaj skeme u futën në lojë edhe kompani të tjera transfertat e të cilave dyshohet se janë postuar në vende të ndryshme.

Një letër-porosi e mbërritur nga pala italiane, vuri në lëvizje dhe Prokurorinë shqiptare, e cila vetëm dy ditë më parë ka nisur zyrtarisht hetimet për kompaninë “Frog”, për tenderin e blerjes së maskave anti-Covid. /DRONI.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY