Keshtu qeveria humbi ne arbitrazh edhe 44 milione euro

Keshtu qeveria humbi ne arbitrazh edhe 44 milione euro

111
0
Shares

Nga Gjergj Erebara

Taksapaguesit shqiptarë do të detyrohen të paguajnë 44 milionë dollarë dëmshpërblime dhe komisione gjyqësore për llogari të kompanive Copri dhe Aktor, të cilat u kontraktuan në vitin 2012 për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, pasi gjykata e Arbitrazhit i gjeti të drejta pretendimet e tyre për kosto shtesë në ndërtimin e këtij segmenti, të cilat nuk u paguan nga qeveria. Lajmi për vendimin e arbitrazhit u dha fillimisht të shtunën nga publikimi online dosja.al, i cili publikoi edhe vendimin e plotë.

Sipas vendimit, Copri-Aktor dorëzuan dy pretendime me vlerë 44 milionë dollarë në shtator dhe tetor 2017 përmes një Bordi për Zgjidhjen Miqësore të Mosmarrëveshjeve, pretendime ndaj të cilave, qeveria shqiptare nuk reagoi brenda afatit kontraktual. Për rrjedhojë, gjykata vendosi se dy pretendimet janë të vlefshme dhe përfundimtare dhe urdhëroi qeverinë t’i paguajë ato.

Vendimet e gjykatave të arbitrazhit i kanë kushtuar shuma të konsiderueshme Shqipërisë përgjatë dekadave të fundit, por shqiptarët kanë arritur të marrin vetëm informacion sporadik nga këto gjyqe. Rasti i vendimit të këtij gjyqi është një përjashtim, pasi vendimi rrodhi në median shqiptare duke shkaktuar menjëherë akuza politike.

Sipas Partisë Demokratike në opozitë, humbja e gjyqit është përgjegjësi e qeverisë aktuale, ndërsa sipas qeverisë aktuale, fajtori është qeveria e Partisë Demokratike që nënshkroi kontratën fillestare të punimeve në vitin 2012 si dhe zyrtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët, sipas ministrisë, kanë qeverisur Autoritetin Rrugor Shqiptar në periudhën 2013-2017.

LSI iu përgjigj Ministrisë së Infrastrukturës duke akuzuar administratën socialiste të pas vitit 2017 si përgjegjëse për humbjen.

Shqipëria është zyrtarisht shtet me administratë civile jopartiake, ku drejtorët zgjidhen me konkurs për cilësi të palidhura me përkatësitë partiake, por deklaratat e njëpasnjëshme të palëve mbi këtë çështje pranojnë si sekret të njohur nga të gjithë që Autoriteti Rrugor Shqiptar, ku qarkullojnë qidramilionë euro tenderë në vit, qeveriset nga zyrtarë politikë.

Në një status në Facebook, Ministria e Transportit deklaroi se problemi lidhej me mosmarrëveshje të lindura në vitin 2015, ku ministria nuk e fsheh faktin se zyrtarët e Autoritetit Rrugor Shqiptar të kësaj kohe “ishin të emëruar nga LSI”.

“Drejtori i Njësisë së Projektit Tiranë – Elbasan (Albens Alite) dhe ARRSH (Dashamir Gjika), në atë kohë e drejtuar nga LSI, nuk ndërmorën asnjë hap për mbrojtjen e interesave të shtetit në këto dy procese dhe nuk përfshinë as Avokaturën e Shtetit, si institucioni i krijuar me ligj për mbrojtjen e interesave të shtetit,” thotë Ministria e Transportit sot, në kohën kur drejtohet nga Partia Socialiste.

Dashamir Xhika është ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar në kohën kur Partia Socialiste ishte aleate me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Vendimi i arbitrazhit në fakt thotë se vendimet objekt mosmarrëveshjeje i përkasin datave 7 shtator dhe 9 tetor 2017, vendime ndaj të cilave Autoriteti Rrugor Shqiptar, (në këtë kohë drejtuar nga Partia Socialiste), nuk dha përgjigje në kohë për dy vendime të një bordi vlerësues për mosmarrëveshjet, që ishte krijuar në marrëveshje mes dy palëve. Duke qenë se pala shqiptare nuk shfaqi kundërshti për vendimet, të cilat i kërkonin Shqipërisë të paguante kosto punimesh shtesë, atëhere vendimet e bordit vlerësues morën formë të prerë.

Tre administrata dhe 27 kilometra rrugë

Qeveria shqiptare mori një kredi prej 33 miliardë lekësh në vitin 2012 për të ndërtuar 27 kilometra autostradë për lidhjen e Tiranës me Elbasanin, ku përfshihet edhe një tunel me gjatësi 2.5 kilometra nën malin e Krrabës. Ndërtimi i rrugës u nda në tre segmente, ndërsa kontrata parashikonte përfundimin e punimeve në vitin 2015. Në këtë kohë, kompania sipërmarrëse, e përbërë nga dy gjigandë ndërkombëtarë, Copri nga Abu Dhabi dhe Aktor nga Greqia, dorëzuan pretendime për punime shtesë të nevojshme për përfundimin e segmenteve 1 dhe 3, të cilat mbulojnë distancën nga Unaza e Tiranës për në hyrje të tunelit dhe nga dalja e Tunelit për në hyrje të qytetit të Elbasanit.

Dy vjet më vonë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe kontraktori ranë dakord të krijonin një komision me tre anëtarë për të zgjidhur mosmarrëveshjet pa vajtur në gjykatë arbitrazhi. Komisioni duhej të përbëhej nga një i emëruar nga pala shqiptare, një nga kontraktori dhe një i tretë, i zgjedhur nga këto të dy. Ky bord dorëzoi dy vlerësime, respektivisht në më 7 shtator 2017 dhe 9 tetor 2017 se kompanitë ndërtuese duhej të merrnin 25.2 milionë dollarë për segmentin e parë dhe 11.6 milionë dollarë për segmentin e tretë. Shqipëria kishte 28 ditë kohë për të kundërshtuar, gjë që nuk e bëri.

Mungesa e kundërshtisë nga Shqipëria për vendimet e Bordit për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve u pranua në gjykatën e arbitrazhit si tregues se Shqipëria nuk kishte kundërshti për vlerësimin e faturave shtesë dhe për rrjedhojë, vetëm sa refuzonte pagesën e faturave.

Pala shqiptare ngriti pretendime të ndryshme dhe dërgoi dy ekspertë, (Joana Qeleshin dhe Fatos Lazimin) për të dhënë opinion në gjykatë, por këto pretendime u rrëzuan nga gjykata si të pabaza. Njëri prej pretendimeve ishte që gjykata nuk kishte kompetencë të shqyrtonte çështjen ndërsa një tjetër, që ndryshimet në kontratë mes ARRSH dhe Copri-Aktor të nënshkruara nga ish-drejtori i rrugëve Dashamir Xhika, ishin të pavlefshme. Të gjitha pretendimet e palës shqiptare u hodhën poshtë nga gjykata, e cila i konsideroi ato si “jobindëse”.

Kur punimet e rrugës filluan, Shqipëria u qeveris nga një koalicion politik mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në periudhën 2009-2013. Maxhoranca qeverisëse i kaloi Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në periudhën 2013-2017. Në shtator dhe tetor 2017, kur pretendimet e Copri-Aktor për 44 milionë dollarë punime shtesë mbërritën në Autoritetin Rrugor Shqiptar, maxhoranca qeverisëse i takonte vetëm Partisë Socialiste, zyrtarët e së cilës dukej se kishin detyrën të kundërshtonin ose të pranonin vlerësimin e grupit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, gjë që në fakt nuk e bënë. Ndërsa PD, PS dhe LSI vijojnë të debatojnë se cili prej zyrtarëve të tyre kishte konkretisht përgjegjësi për humbjen, taksapaguesit do të duhet të paguajnë faturën.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY