Kronika e VOA – Freedom House: Shqipëria, hapa prapa në demokraci, regjim...

Kronika e VOA – Freedom House: Shqipëria, hapa prapa në demokraci, regjim në tranzicion

70
0
Shares

Organizata Freedom House me qendër në Uashington tha se demokracia në Shqipëri pësoi rënie gjatë vitit 2019, duke materializuar shqetësimet për rritjen e autoritarizmit dhe të një sistemi jofunksional të kontrolleve dhe balancave mes pushteteve të qeverisjes.

Në raportin e saj vjetor për Shqipërinë të publikuar të mërkurën, organizata vazhdon ta cilësojë vendin si “regjim në tranzicion ose hibrid”, dhe tha se viti 2019 u karakterizua nga një rishfaqje e krizave politike.

Raporti veçon prirjet shqetësuese, sipas tij, në aspektet e qeverisjes demokratike, proceseve zgjedhore, pavarësisë së mediave dhe korrupsionit.

Sipas organizatës, krahasuar me vitin paraardhës, Shqipëria shënoi rënie nga 3.50 në 3.25 pikë në fushën e qeverisjes demokratike, për shkak të një sërë krizash që prekën institucionet, duke përfshirë dorëheqjen në bllok të opozitës parlamentare, një procedure për shkarkimin e Presidentit dhe përplasjeve mes gjykatave dhe parlamentit.

Në sferën e procesit zgjedhor, Shqipëria ra nga 4.50 në 4.25 pikë, për shkak të bllokimit të reformës zgjedhore dhe konfliktit politik lidhur me zgjedhjet e parakohshme vendore, thotë Freedom House.

Në raport thuhet se edhe korrupsioni vazhdoi të ishte shqetësues në vitin 2019, ndërkohë që arritjet modeste në luftën kundër korrupsionit të vogël mbetën në hije për shkak të shqetësimeve serioze për pandëshkueshmërinë. Në vitin 2019 u shtuan po ashtu shqetësimet për korrupsionin e madh dhe kapjen e shtetit.

Freedom House thotë se zhvillime veçanërisht shqetësuese u vunë re në procesin legjislativ dhe zbatimin e ligjit për koncesionet dhe PPP-të. Parlamenti miratoi disa ligje për PPP konkrete dhe projekte koncesionare, megjithë paralajmërimet e organeve ndërkombëtare dhe ekspertëve vendas.

Në të njëjtën kohë, pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë vazhdoi të ishte problem në vitin 2019, thotë organizata.

Prokuroria, thuhet në raport, nuk arriti të hetojë me shpejtësi akuzat e ngritura nga Partia Demokratike (PD) dhe media për rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë bashkie në Dibër dhe zgjedhjeve të përgjithshme të 2017 në qarkun e Durrësit.

Viti 2019 ishte një sfidë edhe për mediat e pavarura, të cilat u vunë nën kërcënim si nga një paketë legjislative kundër shpifjes e miratuar nga Parlamenti ashtu edhe nga goditjet e vazhdueshme të qeverisë ndaj medias online, thotë raporti.

Qeveria, si dhe bizneset dhe grupet kriminale, u përpoqën të fitojnë ndikim të jashtëm mbi median, ndërsa pronarët e mediave rregullisht i përdorin ato për të favorizuar interesat e tyre të biznesit ose ato politike. Kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Socialiste vazhduan ta kritikojnë median shqiptare si një “kazan plehrash” dhe kërcënuan gazetarët me akuza për shpifje, thotë Freedom House.

Në raport përmendet se Bashkimi Evropian e shtyu dy herë vendimin për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke dëmtuar besueshmërinë e vet dhe duke rrezikuar seriozisht arritjet e reformave në të dyja vendet./ VOA

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY