KOMENT/ Ndryshimi i Kushtetutës, një grusht shteti si Kagame dhe Chavez

KOMENT/ Ndryshimi i Kushtetutës, një grusht shteti si Kagame dhe Chavez

109
0
Shares

Nga Fitim Zekthi

Dy rrugët klasike të një vendi drejt tiranisë janë ajo e marrjes së pushtetit me dhunë si rasti i Leninit apo i Enver Hoxhës dhe ajo e marrjes së pushtetit me anë të zgjedhjeve si në rastin e Hitlerit apo Hugo Chavez-it dhe më pas përdorimi i këtij pushteti si instrument për të sunduar, dominuar dhe riprodhuar veten. Rruga e parë e ka të zgjidhur çështjen e riprodhimit dhe të ruajtjes së pushtetit. Rruga e dytë mund të bëhet pak më e komplikuar dhe liderët autokratë apo diktatorët mund të përballen me ngërçe të mëdha.

Studiuesit vërejnë se autokratët e sotëm, që në një mënyrë apo një tjetër e kanë marrë pushtetin me zgjedhje dhe duhet ta riprodhojnë me zgjedhje, kanë ndryshuar dhe nuk përdorin me mjetet e vjetra për të qëndruar në pushtet. Në qoftë se dikur partitë e opozitës nxirreshin jashtë ligjit, kundërshtarët dënoheshin apo burgoseshin, sot këto nuk përdoren më ose përdoren shumë më pak.

Tre profesorë të Universitetit të Virxhinias – Tim Horley, Ann Meng dhe Mila Versteeg – që kanë studiuar regjimet autokratike që prej viteve 1970, thonë se mund të flitet për tirani të reja, të cilat, nga mandati i dytë i qeverisjes së tyre, hyjnë në kolaps për shkak të vështirësive të mëdha që hasin për të qëndruar në pushtet, për të mbajtur mandatet apo për të riprodhuar pushtetin.

Si pasojë e këtij ngërçi të madh që ato hasin për shkak të pamundësisë për të marrë mandatin e tretë, këto regjime u drejtohen rrugëve që dhunojnë Kushtetutën.

Këto regjime, thonë në një studim seminal voluminoz profesorët e Universitetit të Virxhinias, miratojnë amandemente në Kushtetutë. Ato shtojnë nene të reja në Kushtetutë ose rishkruajnë krejt Kushtetutën, ose përdorin gjykatat për të interpretuar Kushtetutën në favorin e tyre.

Kështu, Presidenti i Ruandës, Paul Kagame, të cilit në vitin 2015 i mbaronte mandati i dytë si President dhe nuk mund të zgjidhej më për një mandat të ri, nxiti Parlamentin të shtyjë përpara miratimin e një amendamenti kushtetues, që i lejonte Presidentit të zgjidhej për një mandat ekstra shtatëvjeçar. Pas marrjes së këtij mandati, atij i lejoheshin edhe dy mandate të tjera pesëvjeçare. Në këtë mënyrë, ai mund të rrijë në pushtet deri në vitin 2034. Interesante është se Kagame nuk foli fare nëse ishte pro apo kundër amendamentit kushtetues gjatë gjithë debatit. Ai la të tjerët të flisnin duke i bërë të duken ata si autorë të amendamentit. Në fund, ai tha se do të kandidonte për një mandat shtatëvjeçar dhe mbrojti amendamentin.

Ndërkohë, në vitin 1989 Presidenti i Sudanit (i cili u rrëzua pak kohë më parë pas protestash të ashpra), për shkak se nuk zgjidhej dot për një mandat të tretë, ndryshoi tërësisht Kushtetutën, bëri një Kushtetutë të re dhe filloi të zgjidhej nga e para me rregullat e reja kushtetuese.

Edhe Presidenti Daniel Ortega në Nikaragua miratoi një amendament kushtetues për të pasur mundësi të rizgjidhej pa kufizim.

Ndërsa Gjykata Kushtuese në Kolumbi nuk e lejoi diçka të ngjashme, kur Presidenti Alvaro Uribe kërkoi të ndryshonte Kushtetutën në mënyrë që ai të rizgjidhej.

Lëvizjen më të fortë në këtë drejtim e ka bërë Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez. Kushtetuta e vitit 1969 e Venezuelës ishte e ndërtuar sipas një modeli amerikan. Vendi ishte një republikë presidenciale me një parlament dydhomësh. Ajo Kushtetutë gati e pamundësonte rënien e vendit në tirani. Pasi konsumoi dy mandate dhe hyri në ngërçin e madh të rizgjedhjes për mandatin e tretë, Presidenti Chavez nisi sulmet ndaj Kushtetutës për ta ndryshuar atë. Ndryshimi i Kushtetutës, megjithatë, duhet të kalonte nga Parlamenti dydhomësh, të cilin ai nuk e kontrollonte. Atëherë, Chavez kërkoi që populli të bënte referendum për të zgjedhur një asamble kushtetuese. Më pas, Chavez zhvilloi referendum për të zgjedhur një asamble, të cilën e zgjodhi. Kjo asamble, sipas Chavez, do të kishte pushtet të pakufizuar. Pjesëmarrja në referendum ishte shumë e ulët, 38%.

Opozita dhe aktivistë të ndryshëm e dërguan çështjen në Gjykatën Supreme.

Nga frika se Gjykata Supreme do t’i rrëzonte asamblenë dhe ndryshimin e Kushtetutës, Chavez i kërkoi asamblesë së sapozgjedhur të pezullojë Gjykatën Supreme dhe Parlamentin. Më pas u ndryshua Kushtetuta dhe Chavez u rizgjodh e u rizgjodh deri sa vdiq.

Raste të tjera të ngjashme ka në Malaui, Paraguai, Burkina Faso etj.

Shqipëria është një republikë parlamentare dhe Kryeministrit Rama nuk i ndalohet zgjedhja për një mandat të tretë, por ai ka hyrë në krizën e tmerrshme të pamundësisë për t’u zgjedhur për një mandat të tretë. Mënyra sesi ai ka qeverisur në këto vite, shkalla e korrupsionit, mjerimi dhe krimi, shkatërrimi i shpresës e kanë bërë atë jashtëzakonisht jopopullor. Edhe përdorimi i mekanizmave të manipulimit të zgjedhjeve në shkallën e para tri viteve nuk e mundëson më fitoren e një mandati të tretë nga ai. Në vitin 2017, Rama mori rreth 48% të votave. Ato zgjedhje u zhvilluan përballë një opozite të përçarë në mjaft parti, që e nisi fushatën shumë vonë. Ato zgjedhje u shënjuan nga blerje masive të votës të dëshmuar me anë të përgjimeve të gazetës “Bild”, ku krimi i organizuar në mënyrë kirurgjikale dhe në bashkëpunim me PS-në dhe qeverinë bleu vota emër për emër, qendër votimi pas qendre votimi dhe madje emëroi edhe deputetë (siç thonë përgjimet). Në ato zgjedhje, ende nuk kish shpërthyer skandali Tahiri, skandali Xhafaj, çështja e Unazës etj

Megjithë këtë situatë, sërish Rama nuk mori më shumë se 48%. Në kushte të tilla, një opozitë e bashkuar në koalicion do të shkatërrojë Ramën, do t’i shkaktojë atij një humbje të thellë. Mandati i tretë është i pamundur dhe ai është në situatën kur një lider autokrat apo një diktator nuk mund të rizgjidhet për shkak të pengesave kushtetuese. Ai nuk i nxjerr dot jashtë ligjit opozitën dhe as nuk mund të pezullojë zgjedhjet siç bënin qeveritë autokrate disa dekada më parë.

Atëherë, në mënyrë identike me Chavezin, Kagame-n, Ortegë-n etj., Rama shkon te një nga tri rrugët që përdorin autoritarizmat e reja sot. Rama po zgjedh të miratojë amendamente kushtetuese. Rama po kërkon të pengojë me këto amendamente bashkimin e opozitës në një koalicion. Ashtu si Paul Kagame, Kryeministri Rama për një kohë të gjatë nuk foli për heqjen e koalicioneve, nuk foli për hapjen e listave, por la të tjerët ta bëjnë këtë gjë për të, duke mos dashur (si Kagame) të duket sikur është ai autori. Për Ramën folën deputetët. që quhen (nga Rama dhe PS) opozita parlamentare.

Rama, ndryshe nga Chavez që kishte përballë Parlamentin dydhomësh dhe që iu desh të zgjedhë një asamble të re (me 38% pjesëmarrje) në mënyrë që të merrte ajo kompetencat e ndryshimit të Kushtetutës, e ka shumë më të lehtë. Ai nuk ka një Parlament përballë. Përkundrazi, ai ka mbi 120 deputetë që mbështesin ndryshimin e Kushtetutës. Rama, ndryshe nga Chavez që iu desh të pezullojë Parlamentin, e ka Parlamentin organ të tijin të verbër. Rama, ndryshe nga Chavez që iu desh të pezullojë Gjykatën Supreme, e ka zhdukur me kohë Gjykatën Kushtetuese dhe nuk ka kush ta gjykojë amendamentin që ai do të miratojë.

Veç faktit që ndryshimet që synon Rama janë tërësisht antikushtetuese siç ishin ato të Chavez-it apo Kagame-s, (për shkak se bëhen jo vetëm kundër germës apo tekstit të Kushtetutës, por edhe të faktit se bëhen vetëm për të riprodhuar pushtetin e autokratit), ato janë antikushtetuese edhe për shkak se Parlamenti ynë nuk është asfare legjitim. Në vitin 2017, shqiptarët nuk votuan për këtë Parlament dhe për këtë grup deputetësh. Edhe sikur ato zgjedhje të ishin të lira (gjë që nuk ishin), shqiptarët i dhanë PS-së së Ramës 74 mandate, PD-së së Bashës 44 mandate, LSI-së Kryemadhit 18 mandate. Sot, në atë Parlament, PD-ja e Bashës dhe LSI-ja e Kryemadhit nuk kanë asnjë deputet. Ndryshimet Kushtetuese janë thjesht një grusht shteti i Ramës, një grusht shteti edhe më i turpshëm sesa ai i Kagame-s apo Chavez-it. Dhe kjo bëhet në kushtet kur vendi nuk ka as Gjykatë Kushtetuese.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY