PD nuk është më thjeshtë opozita, por një alternativë qeverisëse

PD nuk është më thjeshtë opozita, por një alternativë qeverisëse

88
0
Shares

Po të shohësh me kujdes mënyrën sesi qeveris dhe sesi sillet qeveria shqiptare, do të kuptosh se ajo që ka thënë Stalini, një nga totalitaristët më gjakësorë dhe perversë në historinë e njerëzimit, se “idetë janë më të fuqishme se armët, ne nuk do t’i lëmë armiqtë tanë të kenë ide”, vijon të zbatohet në forma të ngjashme edhe sot. Shumica qeverisëse prej gati shtatë vitesh vijon të sulmojë pa ndalur dhe gati për gjithçka opozitën. E quan të korruptuar, që ka frikë nga Reforma në Drejtësi, të paaftë dhe përgjegjëse për të gjitha problematikat me të cilat përballet vendi etj.

Kjo luftë frontale ndaj opozitës, duke e parë si të keqen e madhe në vend, e bën shumë të vështirë për opozitën që ajo të artikulojë ide apo të prodhojë mendim për fusha të ndryshme të qeverisjes dhe veprimit politik. Kjo bëhet shumë më e vështirë po të kemi parasysh se paralelisht me këtë gjuhë lufte të shumicës dhe të pjesës më të madhe të medias (që ndjek për arsye të vetat shumicën), kreu i qeverisë, Rama, dhe tërë shumica e tij vazhdojnë përpjekjet për të uzurpuar dhe kontrolluar çdo pushtet, duke shkatërruar çdo thërrmijë të jetës demokratike dhe të zbatimit të ligjit, si dhe duke e zhytur vendin në mjerim ekonomik. Ditët e fundit, ai po kërkon të ndryshojë edhe Kushtetutën me deputetët që përdor aty, në mënyrë që të mos e lejojë opozitën të kandidojë së bashku në koalicion.

Pra, jemi në një situatë të pamendueshme në një demokraci, pasi qeveria përpiqet përditë të gjejë mjete të uzurpojë pushtetin, në mënyrë që më pas të uzurpojë edhe më shumë pushtet (për të qenë e mbrojtur dhe për të sulmuar çdo kundërshtar apo për bërë të duket sikur ajo është demokratike dhe kundërshtarët destruktivë), ndërkohë që opozita duhet të gjejë mjete që të përballet me këtë prirje për të marrë nën kontroll institucionet dhe shndërruar vendin nën një autokraci të pashpresë për këdo, sidomos për njerëzit (por edhe për vetë opozitën).

Studiues të ndryshëm të shkencave të politike thonë se ditën e zgjedhjeve, njerëzit do të pyeten për dy gjëra (pra, votojnë duke i dhënë vetes përgjigjen e dy pyetjeve). E para, nëse ata e duan edhe për një mandat Kryeministrin apo qeverinë në detyrë (në rastin tonën Ramën) dhe e dyta, nëse duan ta zëvendësojnë atë me kryetarin e opozitës (në rastin tonë me Bashën). Është e qartë se pyetjes së parë, sot i përgjigjen pozitivisht vetëm socialistët e përbetuar dhe të gjithë ata që në një mënyrë apo një tjetër kanë një interes të ngushtë personal te pushteti i qeverisë Rama.

Në këto kushte, Rama synon që t’i shtyjë votuesit që pyetjes së dytë t’i përgjigjen në një masë të madhe negativisht. Kjo është e vetmja mundësi që Rama të shpresojë të fitojë zgjedhjet, pasi që të fitojë me anë të blerjes së votave, do të kërkonte blerjen e një sasie të frikshme votash (që duket shumë e vështirë në kushtet e vëzhgimit dhe presionit).

Shkurt, Rama synon ta detyrojë PD-në të qëndrojë në vend, të qëndrojë në pozicionin që ishte një ditë pas zgjedhjeve të vitit të vitit 2017 ose në pozicionin e paszgjedhjeve të vjetshme lokale. Në qoftë se do të ndalej koha në ato momente, atëherë PD-ja do të përkufizohej kryesisht nga të qëndruarit përballë Ramës, nga denoncimet, nga veprimet e forta kundërshtuese. Këto veprime të forta opozitare do të bënin që PD-ja, opozita të mos shihej nga qytetarët si një forcë politike që ka një propozim apo program të rëndësishëm të mbushur me ide, i cili është një përgjigje e menduar gjatë dhe seriozisht për të ndryshuar gjendjen në këtë vend. Në kushte të tilla, ky propozim do të ishte diçka e qepur shpejt dhe me inkonsistenca, do të kishte në të diku një qasje të majtë dhe diku një qasje të djathtë, diku një rravgim liberal dhe diku një kuturisje konservatore, diku një ngjyresë feministe me bojëra të marksizmit kulturor dhe diku tjetër një togfjalësh të së djathtës konvencionale. Në kushte të tilla, vëmendja e njerëzve nuk do të ishte te propozimet apo te programi i PDsë, por te qëndrimet e saj përballë qeverisjes. Gjithashtu, njerëzit me inteligjencën e zakonshme emocionale do ta kuptonin se idetë dhe programi që po paraqet janë arnime jokonsistente.

Në fakt, kështu ka ndodhur në një pjesë të madhe të përpjekjes opozitare në këto dy mandate të qeverisjes së vendit nga Rama. Pa dyshim që PD ka folur për të gjitha temat, ka folur për taksat dhe klimën e biznesit, për pronat dhe për legalizimet, për pagat dhe pensionet, për familjen dhe rendin, për shkollat dhe besimin, por asnjëherë nuk ka pasur diçka të ideuar në mënyrë algoritmike nga parimet bazë tek idetë, nga idetë te programi konkret, ku gjithçka të qëndronte brenda një kornize logjike, që shihet si zgjidhja e vetme e mirë e djathtë për vendin. Në zgjedhjet e vitit 2015 dhe sidomos në ato të vitit 2017, propozimet e PD-së ishin ku e ku më të mira sesa ato qesharaket e timonit dhe tepsisë, por ato nuk ishin endur me kujdesin dhe vëmendjen që thamë (për arsyet e përpjekjes staliniste më së shumti të shumicës) dhe nuk ishin ato që përkufizonin veprimin dhe identitetin e opozitës. Opozita vinte nga revolta dhe çadra, vinte nga përpjekja rraskapitëse për të mbajtur në këmbë një sistem ku zgjedhjet mund të prodhonin rrotacion dhe jo të ishin instrument i autokracisë.

Diçka ndryshe nisi që nga tetori i shkuar në lidhje me artikulimin e ideve dhe të prodhimit të një alternative. Kryetari Basha nisi takimet me njerëz, me studentë, me të rinj, me punëtorë, ku dukej se tashmë opozita po shtrihej drejt një aleance me njerëzit dhe ku gjithë diskursi do të dominohej nga propozimet e saj. Pas gjashtë vitesh opozitarizmi si në ferr, ku Basha dhe PD kishin marrë aq sa mund të merrnin prej kushteve të Bundestagut dhe të Këshillit Europian, duke e shfaqur Ramën si kërcënim për zgjedhjet dhe shumë liri të tjera, koha ishte të tregohej PD-ja si alternativë, të tregohej nëse ajo e kishte aftësinë dhe kapacitetin për të qenë e tillë. Tërmeti e ndërpreu këtë trajektore. Nga janari apo shkurti u duk sikur pati sërish një drejtim të tillë. Më pas ra pandemia.

Edhe para tërmetit, edhe para pandemisë, Basha po bënte diçka që ishte bërë edhe herë të tjera në Shqipëri. Ai po takonte njerëz, po i dëgjonte dhe po u fliste për idetë e opozitës për të dalë nga kjo gjendje. Edhe kur vendi u hap rreth një muaj më parë, Basha e nisi pak a shumë aty. E reja nuk është fakti që Basha po sheh frigoriferët bosh, nuk është fakti që ai po sheh listat e ushqimeve veresie në dyqane, nuk është fakti që ai po flet për rrënimin e sjellë nga korrupsioni i qeverisë dhe për propozimet e opozitës për të ringjallur shpresën, ekonominë dhe mundësitë për të punuar këtu. Shumë të tjerë i kanë bërë më parë, edhe vetë Basha i ka bërë më parë. E reja e parë është se Basha po e bën me këmbëngulje, ka zhvendosur të gjithë gjuhën e tij politike dhe të gjithë vëmendjen e tij te jeta e përditshme e njerëzve dhe po u flet atyre jo thjesht nga pozita e kryetarit të opozitës, por e njeriut që e njeh gjendjen si ata dhe që ka një program, ka disa ide jo të marra të gatshme dhe jo të nxjerra si arna nga një sirtar, por të ideuara me kujdes milimetrik si zgjidhje e natyrshme e djathtë për gjendjen e rëndë.

Të gjitha propozimet për taksën e sheshtë 9%, për lehtësimin e biznesit të vogël, për mbajtjen larg të tatimorëve, për vendosjen e rregullave të paprekshme të garës së drejtë, për subvencionimin me 100 milionë euro të bujqësisë, për pagesën e plotë të kostos së mekanikës bujqësore, të pesticideve, të herbicideve, të të gjitha inputeve etj., janë aq të sinkronizuara, janë aq të përputhura në mënyrë algoritmike dhe brenda kapacitetit të ekonomisë dhe kapitalit shqiptar, saqë duket qartë se janë pasojë e një pune të menduar mirë dhe gjatë. Të menduara në këtë mënyrë janë detajet për të ndryshuar në mënyrë gati paradigmatike mënyrën sesi do të shpenzohen paratë e buxhetit, ku nuk do të ketë më një fokus si i sotmi te koncesionet, ku do të ketë përdorim të kujdesshëm të çdo qindarke, në mënyrë që secila qindarkë të prodhojë veten dhe diçka më shumë dhe jo si sot, ku çdo qindarkë shpenzohet në atë mënyrë që nuk prodhon veten, por diçka më pak sesa veten.

Të gjitha propozimet e Bashës do të mbeteshin gjithsesi në kuadër të propozimeve të zakonshme politike, sado të menduara me kujdes dhe të sinkronizuara, në qoftë se nuk do të kishte edhe shenja të tjera që të tregonin se kjo qasje është marrë seriozisht dhe PD-ja po mendon vërtet për të hyrë në një fazë të re të sajën, atë të moslejimit të zbatimit të formulës staliniane që kërkon që “armiku të mos lejohet të ketë ide”.

Vendimi që mori Partia Demokratike për të zgjedhur kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkie nëpërmjet anëtarësisë është treguesi se këto ide, ky propozim apo ato që thotë Basha në takime me njerëzit, nuk janë rrugëtimi i zakonshëm i politikanëve shqiptarë afër zgjedhjeve. Vendimi ka shumë detaje që tregojnë se PD, n.q.s. do ta zbatojë vërtet atë vendim, ka hyrë në një drejtim krejt tjetër, që do ta bëjë atë shumë më të mirë dhe do të ndihmojë që edhe Shqipëria të jetë më e mirë. Vendimi i jep anëtarësisë të drejtën të propozojë dhe të votojë për kandidatët për deputetë. Këto janë pak a shumë primaret e famshme që përdoren në mjaft vende të botës.

Primaret janë gjetur si një mënyrë për të mos lejuar liderët politikë të kenë pushtet të madh, janë gjetur si mënyrë për të lejuar kontrollin e pushtetit të liderëve dhe për t’u dhënë mundësi njerëzve të kenë një rol në vendimmarrje. Vendi i parë në botë që ka përdorur primaret është SHBA, e cila i ka nisur ato që nga gjysma e parë e shekullit të kaluar. Në Europë, primaret kanë hyrë përgjithësisht vonë, pas viteve 1990. Në SHBA kanë hyrë shumë më herët edhe për shkak të kulturës amerikane, ku roli i njerëzve në demokraci është më i drejtpërdrejtë sesa në Europë, por edhe për shkak të faktit që sistemi maxhoritar i zgjedhjeve është më i përshtatshëm për primaret sesa ai proporcional. Europa thuajse nuk ka pasur kurrë sisteme maxhoritare me një raund si bota anglosaksone.

Pra, gjëja e parë është se Basha dhe PD po lejojnë që njerëzit të kenë më shumë pushtet, që kryetari të mos ketë kontroll të plotë dhe që në Parlament të shkojë apo të jetë i pranishëm më shumë vullneti i njerëzve. Sigurisht që nuk do të jenë primare si në SHBA, por do të jenë primare gjithsesi. Ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe bëhet për herë të parë në një mënyrë kaq të qartë në një vend në Ballkan.

Një gjë tjetër shumë më domethënëse në lidhje me vendimin për primaret është ajo që kërkohet nga kandidatët. Gjithkush që do të kandidojë, jo vetëm nuk duhet të preket nga ligji i dekriminalizimit, pra jo vetëm nuk duhet të ketë lidhje me trafikun e drogës apo krimin e organizuar, por në zgjedhjen e tij do të merren parasysh edhe detaje të hollësishme që kanë të bëjnë me moralin, si: përdorimi i drogës, bixhozi, sjellja dhe popullariteti te njerëzit, pasuria dhe mënyra sesi e ka vënë atë etj. Në këtë sens, Partia Demokratike është shtyrë shumë djathtas, është kthyer në një parti konservatore sociale, ku morali nuk është diçka relative dhe ku rrënjët e tij janë të ngulitura në traditë apo në burime trashedentale. Për hir të së vërtetës, një pjesë dërrmuese e politikanëve shqiptarë janë të njohur si përdorues droge, si kumarxhinj, si njerëz pa moral, si njerëz që kanë vënë pasuri në mënyrë të pandershme. Ky lloj verifikimi që do të bëhet nga PD-ja është shumë i nevojshëm. Një tjetër detaj mjaft domethënës është se kandidatët nuk duhet të kenë qenë njerëz të lidhur me Sigurimin e Shtetit, ish-spiunë, ish-hetues apo kryetarë Degësh të Brendshme etj. Kjo është vërtet shumë e rëndësishme.

Vendimi për primaret tregon në fakt se idetë apo programi, propozimet që paraqet Basha kur takon njerëz apo biznese, shoqata apo agjenci janë shumë serioze, janë të menduara në mënyrë milimetrike dhe janë pjesë e diçkaje që po ndryshon në thelb. Ato janë pjesë e së tërës. Vendimi për zgjedhjen e njerëzve është në sinkron me idetë. Kështu duket, këtë thonë treguesit e jashtëm të kësaj pamjeje dhe askush nuk ka të drejtë të gjykojë tjetër veç akteve publike. Në fund të fundit, politika është publike. Ai që kërkon të gjykojë qëllimet apo zemrat, është gjithnjë gabim dhe madje në mungesë morali.

Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Lulzim Basha, janë ndoshta të vetmit që në politikën e sotme shqiptare po artikulojnë ide për çështje të rëndësishme si: ekonomia, varfëria, ndarja e pushteteve, zgjedhjet e lira demokracia, ligji, politika e jashtme etj.

Kjo nuk është diçka që i duhet thjesht PDsë, asaj i duhet dramatikisht shumë, por më shumë kjo i duhet vendit. Rama nuk duhet të bjerë nga pushteti thjesht sepse e shkatërroi dhe e ktheu në zezonë Shqipërinë, por edhe sepse përballë ka një parti që ka njerëz dhe ide për të mos lejuar që diçka si kjo (ky rrezik i poshtër autokratik) me Ramën, të mos ndodhë më kurrë. Qëllimi fundor pra, është që të kemi një Shqipëri më të mirë dhe jo thjesht një Shqipëri pa Ramën, por që rrezikohet sërish nga Rama.

Me vendimin dhe kriteret për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë, Basha po tregon se i ka të brendshme idetë apo propozimet për të cilat po flet. Ndryshe nuk ka si shpjegohet kjo përpjekje për të mos përqendruar pushtet dhe për t’iu drejtuar kritereve konservatore morale në zgjedhjen e kandidatëve. Që idetë të luajnë rol, duhet që ato të besohen nga vetë ata që i artikulojnë. Vendimi për primaret duket se tregon pikërisht se idetë janë marrë seriozisht dhe ato do të barten dhe vihen në jetë nga njerëz moralisht dhe intelektualisht të zotë për ta mundësuar këtë. Ish-Kryeministrja britanike, Thatcher, thoshte: “Mendimet tuaja bëhen veprimet tuaja. Veprimet tuaja bëhen zakonet tuaja. Zakonet tuaja bëhen karakteri juaj. Karakteri juaj bëhet fati yt”. Në të vërtetë, këtu qëndron tërë thelbi. Në momentin që PD-ja do të jetë një parti njerëzish me mendime të djathta, që çojnë në veprime të djathta, të cilat bëhen zakone të djathta…, atëherë pa diskutim që fati do të jetë suksesi. Çfarëdo që të bëjë Rama dhe këdo që të ketë në anën e tij, ai nuk mund të mbijetojë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY