KOMENT/ Maturantët e tërmetit, pandemisë dhe Turit

KOMENT/ Maturantët e tërmetit, pandemisë dhe Turit

666
0
Shares

Prof.as.dr.Kledi Shegani*

Deri para zhvillimit të provimit të gjuhës shqipe dhe letërsisë, ky brez i maturantëve do të mbahej mend si brezi i tërmetit dhe pandemisë. Provimi nxorri ne skenë Turin, barka e të cilit nuk mbeti vetëm në nivelin e një pyetjeje mediokre, pa asnjë lidhje me vlerësimin e njohurive në gjuhë apo në letërsi për të cilat nxënësit po testoheshin, po zuri vend, shumë më shumë se kaq.
Teksa shihja sytë me lot të maturantëve, që më shqetësuan më pas me ato që thanë e shkruan për nivelin e pyetjeve në testin e tyre, si autore tekstesh të shqipes, si pedagoge e gjuhës shqipe u trondita nga çoroditja e alternativave që duhet të zgjidhnin për t’iu pergjigjur pyetjeve që i kishin lënë pa fjalë.
Nuk është hera e parë që provimi i gjuhës dhe i letërsisë përflitet për gabime në hartimin e testit dhe penalizime të pamerituara të nxënësve. Nuk është hera e parë që nxënësit ngrenë zërin dhe hartuesit e testeve mbyllin veshët. Po kësaj here u tejkalua çdo lloj parashikimi.
Pse qenka kaq e vështirë që autorët e testit të nxjerrin çelësin dhe t’u japin përgjigjje jo pak pyetjeve të hartuara pa kompetencë dhe që i largohen kontrollit të njohurive gjuhësore apo letrare?!
Çfarë i shtyu hartuesit e testit t’i largohen modelit te testimit normal të njohurive, i cili sipas të gjithave atyre që u thanë duhet të ishte jo i vështirë dhe minimalisht i mirëstrukturuar?!
Duke parë nga njëra anë programin orientues, në të cilin theksohet se kjo lëndë mundëson ndër të tjera krijimin e një raporti pozitiv dhe të qëndrueshëm mes nxënësve dhe letërsisë dhe nga ana tjetër gjendjen reale të testit që kishin në dorë maturantët këtë vit më erdhi keq që paaftësia e hartuesve të testit ka njohur këto nivele dhe shkaktoi kaq shumë stres dhe pakënaqësi.
Një test që teston njohuritë në gjuhën shqipe me struktura sintaksore që nuk janë të shqipes, me përkthime të panevojshme tekstesh e paragrafësh, në një kohë që korpusi i veprave në shqip ofron një pasuri të tërë, të mrekullueshme, frymëzuese dhe plot larmi tekstesh për t’u punuar dhe analizuar. Mund të kërkohej nëpërmjet varianteve të pyetjeve sinonimia apo antonimia e disa mbiemrave në paragraf, të shiheshin disa fjalë të nënvizuara se cilës klase fjalësh i përkasin, apo edhe si mund të vazhdohej teksti me ndonjë fjali të përbërë me pjesën e nënrenditur, që përshtatet më shumë, pa u marrë me stlin aksion, apo me reklamën e parkut.
Për të mos folur për pyetje që kanë më shumë se një alternativë të pranueshme përgjigjjeje, personazhe që humbasin busullën orientuese nëpër paragrafë të keqpërkthyer dhe fragmente të lodhshme për t’u lexuar, pale për t’u analizuar.
Barka e Turit le të zerë vend një herë e mirë në portin e paaftësisë, duke marrë me vete edhe hartuesit e testit , që të zgjidhin çështjen e shkëmbit dhe le t’u hapë rrugën maturantëve, që e duan dijen dhe duan të realizojnë ëndrrat e tyre.
Kaq u detyrohemi! Ёshtë më e pakta që ne të gjithë mund të bëjmë për ta.

*Kledi Shegani, pedagoge e Gjuhes Shqipe Universiteti i Tiranes

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY