Flet Erion Veliaj pas shembjes: Gjithcka do harrohet shume shpejt!

Flet Erion Veliaj pas shembjes: Gjithcka do harrohet shume shpejt!

97
0
Shares

Ka reaguar edhe kryetari i Bashkise Erion Veliaj, teksa thote se e kishim nje vendim per te ndertuar teatrin e ri.

“Ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar ishte një vendim i vështirë, por i drejtë! Po aq i drejtë sa çdo vendim i mirë që kemi marrë në këto 5 vite për ta çuar përpara Tir❤️nën tonë, qyteti ku po rrisim fëmijët tanë. 👧

Por, teksa përgatitemi të nisim punën për Teatrin e Ri, i ftoj të gjithë, që nesër, ta bëjmë edhe më të mirë projektin që kemi në tavolinë. Ai teatër do të jetë për artistët dhe qytetarët, për fëmijët tanë”, thote Veliaj.

Ne cijim permes nje video ai thote se gjithcka do te harrohet. “Në finale do harrohet zhurma siç u harrua te Pazari i Ri, te Kalaja, te Sheshi, te Lumi, te Bulevardi, te Liqeni dhe te Lodrat. Në finale do të triumfojë produkti. Kemi mundësinë sot të kalojmë në një produkt cilësor, të denjë për Tiranën e këtyre 100 viteve që vijnë“.

Veliaj thote se ishte nje vendim i veshire per te cilin thote me dhelperi se nuk ishte vendim i tij por i keshillit bashkiak. “Ndonjëherë kjo detyrë kërkon të marrësh vendime shumë të vështira. Ndoshta, vendimi më i vështirë i jetës time për të zbatuar vendimin në fakt të Këshillit Bashkiak”, thote Veliaj ne video.

Video e tij eshte ndjekur me zemerim nga qytetaret qe nuk kane ngurruar ta fyejne deri ne skaj:

Deklarata e plote:

Sot ka qenë një ditë kur na u desh të merrnim një vendim të drejtë, por jashtëzakonisht të vështirë. Them vendim i drejtë sepse diskutimi për një teatër të ri ka qenë një diskutim prej 70 vitesh, që në momentin kur periudha e përkohshme e atyre pak viteve të luftës mbaroi, për të hapur një diskutim tjetër, çfarë do të kemi si ndërtesë permanente të Teatrit Kombëtar. Ajo ndërtesë u sajua ndër vite si për gjyqet popullore të asaj kohe, por pastaj edhe për funksione të tjera, pastaj edhe kinema, pastaj sërish teatër, pastaj bingo e sërish teatër, një ndërtesë jashtëzakonisht e amortizuar. E filluam këtë diskutim, pra këtë round të fundit të diskutimeve të këtyre tre viteve, kur propozuam një teatër të ri me transferimin e administratës së re në Bashkinë e Tiranës. Kishim një projekt për Pazar të Ri, Bulevard të Ri, për një Breg të ri të Lumit, për një pjesë të re të Liqenit, për një Shesh të ri, një Kala të re dhe sigurisht, edhe për një Teatër të Ri, bashkë me shumë shkolla, rrugë e investime të reja, që i kanë hije Tiranës për 100 vitet e fundit. Pati një diskutim shumë të gjatë. Kam qenë në 12 takime në hotelet kryesore të qendrës, ku jemi takuar non-stop edhe me ata që kanë qenë kundër gjithçkaje, që në fund fare ishin një pakicë, edhe me ata që kanë pasur kundërshtime mbi pjesë të ndryshme të proçesit. Fillimisht nuk u preferua një teatër që të kishte kullë sipër dhe ai ra si variant.

Qeveria dhe Bashkia u tërhoqën, bënë një hap pas; pastaj u kërkua që të kishte një mundësi për ta financuar duke u siguruar që nuk preket fare toka e teatrit, pavarësisht se një investim privat në tokë të Bashkisë do të ngushtohej. Bëmë prapë një hap pas, edhe qeveria edhe bashkia, që asnjë centimetër të mos i prekej Teatrit Kombëtar. Më pas kishte edhe një pjesë tjetër, që kërkonte që kjo të mos bëhej as nga privati, dhe kur artistët kërkuan më shumë sesa privati mund të ofronte, ne thamë do shkojmë me artistët. Nëse ata kërkojnë impiante, kërkojnë skena që rrotullohen dhe nën vete, që ndoshta kushtojnë më shumë se ç’mund të paguajë privati me plan biznesin e vet, atëherë do i themi jo privatit, do i themi po publikes, dhe do e financojmë vetë projektin e ri.

Gjatë gjithë këtij procesi, këtyre 12 takimeve të hapura, por edhe qindra takime individuale që unë si kryetar bashkie kam bërë me pjesën më të madhe të komunitetit të artistëve, ne sigurisht kemi moderuar qëndrimet tona, por në një negociatë nuk mund të marrësh gjithçka. Ne nuk mund ta kemi teatrin edhe pa kullë, edhe në tokë të vet, edhe pa bërë asnjë investim tjetër privat, edhe pastaj me paratë tona, por edhe të ruajmë të vjetrin. Në një qendër të Tiranës, ku janë të gjitha institucionet e rëndësishme dhe jo në periferi si Bregu i Lumit apo fshatrat e Tiranës, ku ne mund të kemi toka të lira.

Kjo është arsyeja pse sapo na u transferua prona, menjëherë kërkuam, siç kërkojmë tipikisht për çdo pronë që na transferohet, që kjo të verifikohet nga Instituti i Ndërtimit. Instituti i Ndërtimit e vlerësoi në vitin 2018, si një ndërtesë të amortizuar dhe të rrezikshme, siç u pa nga rënia e lehtë që iu bë sot, me të prekurat e para. E verifikuan sërish për herë të dytë dhe Instituti i Ndërtimit sërish tha: Kjo është një ndërtesë e rrezikshme. E vërtetuam me Institutin e Monumentit të Kulturës, i cili tha: Kjo ndërtesë nuk ka qenë kurrë monument kulture, madje në 2007, ata që e përdorën më shumë politikisht këto dy vite e gjysmë këtë betejë, e hoqën edhe si mundësi për ta futur ndonjëherë në listat e monumenteve të kulturës, duke e konsideruar diçka krejt të pavlerë.

Pasi mbaruam gjithë këto diskutime, në momentin që u bëmë pronarët e parë të kësaj ndërtese, nëse diçka do i ndodhte secilit prej atyre që okuponte atë pronë publike në mënyrë të padrejtë, pa letra, pa dokumente, thjesht duke hyrë aty, duke bujtur gjatë ditëve të protestës këto 2.5 vjet, do të rrezikonte jetën, dhe përgjegjës do ishte pronari i asaj prone, që ka lejuar të tjerët të futen aty.

Në momentin që Instituti i Ndërtimit dha këtë mendim, njoftuam mbledhje të Këshillit Bashkiak, siç janë bërë të gjitha mbledhjet kolegjiale këto kohë, online, dhe morëm vendimin për të bërë këtë prishje, siç e ka rekomanduar Instituti i Ndërtimit. Pasi u verifikuam që jo vetëm ndërtesa nuk ishte e mbrojtur, siç pretendojnë disa, por ndërtesa s’kishte qenë kurrë në këtë listë dhe është insistuar sidomos për të mos e futur nga ata që e përdorën politikisht këtë betejë.

Teatri i vjetër iku, tani përgatitemi për teatrin e ri. Por teksa përgatitemi për teatrin e ri, duhet të nxjerrim disa mësime. Një ndër mësimet që duhet të nxjerrim është se duhet të bashkëpunojmë; duhet të bashkëpunojmë ta përmirësojmë këtë ide. Kemi disa ide shumë të mira që e kanë pasuruar projektin nga artistët, por unë besoj se mund të bëjmë akoma më mirë.

Sot dua t’i shtrij dorën kujtdo që nuk ishte dakord me ne në këtë betejë; kujtdo që ndoshta, edhe pse s’e ka ekspertizën inxhinierike, edhe pse s’e ka ekspertizën ligjore për të kuptuar si funksionojnë këto procese, apo ndoshta as njohurinë bazë që, jo vetëm që nuk ishte kurrë monument, por që në 2018 ishte i rrezikuar, dhe siç u pa sot pas prishjes, ishte i gjithë populit, tallash, teneqe. Nuk pamë një kollonë betoni, një armaturë, një gram çelik. Ajo ndërtesë ishte realisht e rrezikshme dhe nuk mund të jetë ndërtesa për të çuar fëmijët e këtij qyteti në 100 vitet e ardhshme. Nuk mund të vazhdohet të shkohet me batanije në dimër apo me peshqirë, qull në djersë në verë. Na duhet një teatër modern. Ndaj, dua t’ia shtrij dorën kujtdo, që për një arsye apo për një tjetër, sot zemrën e ka të thyer dhe ndihet i trishtuar, se një betejë që i mori kohë, energji, doli pa fryt. Dua t’ju them që nuk është kështu. Tirana është shtëpia jonë e përbashkët. Ne mund te kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Detyra e bashkisë është që të vendosë mbi faktet, mbi institutet, mbi inxhinierët, mbi urbanistët, mbi arkitektët, mbi ligjet e këtij vendi, që thonë çfarë është apo nuk është monument kulture. Në momentin që ky vendim është marrë, ka ardhur koha që të shohim përtej kësaj dite. Ka ardhur koha që të përqafojmë njëri-tjetrin, të mos lëmë partitë të na përçajnë, të mos lëmë partitë të sulin shqiptar me shqiptar, vëllezër dhe motra kundër njëri-tjetrit. Ky nuk është momenti për t’u përçarë, por për t’u bashkuar! Besomëni! Partitë politike fërkojnë duart kur shohin sesi ne përçahemi. Dhe për çfarë? Për të pasur një teatër të ri modern për fëmijët tanë dhe gjeneratat e reja të këtij qyteti. Ndaj, vëllezër dhe motra, çfarë iku, iku. Ka ardhur koha të bëhemi bashkë. Kemi qenë të mërzitur kur mbaroi këndi i lodrave, po sa shumë jemi gëzuar duke çuar fëmijët te ai kënd. Edhe atëherë u përfshinë OJF, por ja ku jemi sot. Ishin disa njerëz aktivistë shumë të mërzitur, kur ne liruam pjesën e dytë të Liqenit; atëherë Amnisty International u përfshi, një tjetër OJF e rëndësishme, por siç u kuptua, ishte vendimi i drejtë. Edhe romët morën shtëpitë e tyre dhe ne fituam pjesën e dytë të Liqenit. Shihni Bulevardin e Ri, që do të jetë damari ri ekonomik i Tiranës, shihni sherrin që patëm për Pazarin e Ri, për sheshin Skënderbej, që në 1913, na u deshën 104 vjet për të mbaruar një shesh. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, ne bëjmë gjëra të mrekullueshme. Ne po punojmë momentalisht edhe te Kalaja e re, do të shtojmë edhe njëherë kaq Kalanë, një tjetër projekt i kontestuar. Nuk mbaj mend kur kemi bërë një punë të madhe në Tiranë e të mos jetë e kontestuar, e debatuar, mos të jenë të përfshirë lloj-lloj politikanësh që na kanë përçarë këto 30 vite. Mendojnë vetëm çfarë votash do kapitalizojnë kur fusin shqiptarët në sherr dhe pastaj siç e patë, shkojnë në makinat e tyre luksoze, në vilat e tyre dhe ne vazhdojmë dhe theremi dhe shajmë njëri-tjetrin. Nuk shkon. Ajo që na ka hije është që tani ne të bashkëpunojmë. Nuk ka rëndësi nëse kemi qenë në anë të ndryshme të kësaj barrikade deri më sot, por unë sot, me zemër në dorë, dua t’ju shtrij dorën, t’ju hap krahët dhe dua që të bashkëpunojmë sesi ne këtë projekt mund ta bëjmë akoma më të mirë seç e kemi sot. Në finale do harrohet zhurma siç u harrua te Pazari i Ri, te Kalaja, te Sheshi, te Lumi, te Bulevardi, te Liqeni dhe te Lodrat. Në finale do të triumfojë produkti. Kemi mundësinë sot të kalojmë në një produkt cilësor, të denjë për Tiranën e këtyre 100 viteve që vijnë.

Ju dua shumë! Ndonjëherë kjo detyrë kërkon të marrësh vendime shumë të vështira. Ndoshta, vendimi më i vështirë i jetës time për të zbatuar vendimin në fakt të Këshillit Bashkiak, por ndonjëherë gjëja e drejtë do të gjykohet me gjakftohtësi më vonë. Kemi marrë një vendim të drejtë miqtë e mi! Na priftë e mbara dhe mezi pres që ditët që kemi përpara t’i kalojmë duke bashkëpunuar, duke u përqafuar, duke u vllazëruar dhe jo duke u përçarë. Tirana është një shtëpi e madhe dhe ka vend për të gjithë.

Ju falenderoj të gjithëve nga zemra dhe pavarësisht si i kemi opinionet, kemi shumë rrugë për të bërë që Tirana të shkëlqejë akoma më shumë.

https://www.facebook.com/ErionVeliaj/videos/252839002718832/

 

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY