Zgjedhjet/Pollo: Në mes të pandemisë shohim “shpirtin e Shullazit” të rilindur në...

Zgjedhjet/Pollo: Në mes të pandemisë shohim “shpirtin e Shullazit” të rilindur në UT

102
0
Shares

Në vjeshtën e vitit të kaluar, Genc Pollo insistoi për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale njëherësh, sot ai është i ndërgjegjshëm se tërmeti dhe pandemia ka sjellë një situatë tjetër, që lipset të merret në konsideratë.

Por, ish- ministri i Arsimit gjatë qeverisjes së demokratëve thotë për “Gazeta Shqiptare” se, “ironia është që në mes pandemisë qeveria shpall zgjedhjet në universitete”. “Me sa po shohim me ‘shpirtin e Shullazit’ të rilindur”, shprehet z.Pollo.

Ai është i bindur se kreu i opozitës duhej ta shfrytëzonte politikisht situatën aktuale, por sipas Genc Pollos, “pa harruar që politika nuk lipset të shkëputet nga dimensioni etik. Politika nuk duhet kuptuar si marrje pushteti për të qeverisur mbi varreza. Në këtë sens Lulzim Basha ka bërë gjënë e duhur dhe opozita ka kontribuar konstruktivisht, pavarësish si reagoi qeveria apo batutoi Rama”.

Z.Pollo, shumë gjëra kanë ndryshuar brenda një kohë të shkurtër, që ka bërë që të jetojmë në kushte jonormale. Në gjykimin tuaj, si mund të menaxhohet kjo periudhë që vendi t’i rikthehet normalitetit?

Askush nuk e di me siguri dhe në tërë botën dalja graduale nga “lockdown”-i po bëhet vetëm me një sy hapur. Ende nuk është arritur imunizimi natyror i popullsisë në një masë të mjaftueshme. Ka pohime se virusi është mutant, pra i ndryshueshëm dhe nuk lejon imunizim, flitet për një valë epidemike të dytë dhe ende nuk kemi as vaksina e as ilaçe. Do të nevojitet më shumë kohë për përgjigje të sigurta për sa më lart. Por, bllokimi më i gjatë i jetës social-ekonomike mund të kishte pasoja shumë të rënda. Prandaj dalja nga vetizolimi po shoqërohet kudo në Europë me distancë fizike, higjienë maksimale dhe sidomos testim-gjurmim. Besoj që edhe te ne njerëzit do të jenë të kujdesshëm, ndërsa gradualisht i kthehen normalitetit.

Të ndalemi pak te testimet, pasi opozita insiston për to. A i jepni të drejtë qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama kur thonë se po dalin nga piku i epidemisë me sukses, që për shkak të masave të qeverisë kemi minimumin e vdekjeve nga COVID-19 e pa to do të kishte mijëra viktima? 

Së pari në Ballkan në tërësi epidemia ëshët deri tani më e butë se në Europën Perëndimore, madje edhe Itali, jugu është më pak i prekur se veriu. Ne ende nuk e dimë me siguri nëse kjo vjen nga dallimet klimatike, kulinare, demografike, në ndotjen mjedisore apo vaksinën e tuberkulozit, siç po hamendësohet. Megjithatë, edhe pa këtë informacion të saktë mund të jemi të kënaqur, madje të lumtur, që është kështu siç është. Deri tani!

…Madje, meritë e qeverisë sipas Edi Ramës?

Numri i vdekjeve nga COVID-19 në Shqipëri, relativisht statistika më e sigurt, në proporcion me popullsinë nuk është më i miri në Ballkan e Europën Lindore. Përqindje më të ulët kanë edhe vende ku masat shtrënguese ishin më të buta se te ne. Por, të ndalemi te qeveria “Rama”: sot interneti, “Facebook”-u e videot në “Whatsapp” nuk e lenë të harrojë popullin me kujtesë të shkurtër. Kur në botë alarmi i virusit mori dhenë në muajin shkurt, Rama sulmonte “alarmistët”, qesëndiste “infodemistët”, ndëshkonte me heqje licence shkollat private që reagonin ndaj rrezikut dhe në një kulm të papërgjegjshmërisë politike, në ditët e fundit të shkurtit mbajti kongresin e partisë me dymijë e ca njerëz të ulur ngjitur në një sallë. Masat e ashpra të shtetrrethimit e propaganda makabre me arkivolet e Bergamos, rrahjet policore arabo-spanjolle synonin të kompensonin këtë papërgjegjshmëri fillestare, të rivendosnin kontrollin e të shpëtonin çfarë të mundnin pasi virusi ishte përhapur. Edhe këtu me cene, siç e dimë nga fasoneritë. Sikur me mençuri të ishin marrë masa që në shkurt, duke nisur nga mbyllja e kufijve, do të ishin të tepërta disa veprime drastike të marsit. Tjetër motiv i masave të ashpra ishte edhe gjendja e degraduar e sistemit shëndetësor e spitalor, që nuk përballonte dot pacientë në numrat e Italisë ose Spanjës.

Degradimi nuk duket dhe aq, pasi sistemi spitalor duket se po funksionon…

Degradimi shpjegohet me keqfinancimin e shëndetësisë në dekadat e fundit. Kemi përqindjen më të ulët në rajon, duke përfshirë kontributet e sigurimit shëndetësor. Qeveria rilindiste solli një përkeqësim akut, pasi devijoi miliona euro të shëndetësisë te xhepat e miqve koncesionarë. Mospezullimi i të gjitha PPP-ve e mosanulimi i asnjë syresh në kushtet e fatkeqësisë natyrore dhe epidemisë është cinizëm në katror. Mesa mësuam nga skandali i tenderave sekretë për maska e respiratorë, kushdo mund të thotë se mbasi mësuam se vjedhin  duke i lënë njerëzit të varfër, duket se morëm vesh edhe që nuk e kanë për gjë të shkojnë aq larg sa që të vjedhin duke i lënë njerëzit të vdesin.

Po përsa u përket testimeve?

Çdo shtet europian, me sa e ndjek unë, si Franca unitar apo Italia e Gjermania me nuanca rajonale po investojnë në testim masiv e pastaj gjurmim e karantinim. Pikërisht që të minimizojnë riskun e të mos ecin kuturu. Kjo është edhe këshilla e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Duke mos bërë testime masive dhe duke u marrë vetëm me rastet spitalore qeveria e lë epideminë në punë të vet dhe popullsinë në dorë të Zotit.

A besoni se kryeministri Edi Rama po e kthen situatën e pandemisë në favor të tij?

Jo, nuk e besoj. Nuk është se kam parë sondazhe të besueshme të javëve të fundit, hiq mënjanë ato që qarkullon PS-ja, por si kudo, edhe tek ne do të kalojë momenti i “unitetit përballë rrezikut” dhe qeveria do të përballet me situatën ekonomike; menaxhimi i këtij aspekti ka qenë një dizastër i madh dhe për këtë ka një konsensus opinioni shumë të gjerë. Për fat të keq nuk është çështje inkompetence apo edhe gabimi njerëzor, por e miksazhi të cinizmit me babëzinë.

A duhej ta shfrytëzonte politikisht opozita dhe kreu i saj Lulzim Basha situatën e vështirë të pandemisë?

Patjetër, por pa harruar që politika nuk lipset të shkëputet nga dimensioni etik. Politika nuk duhet kuptuar si marrje pushteti për të qeverisur mbi varreza. Në këtë sens Lulzim Basha ka bërë gjënë e duhur dhe opozita ka kontribuar konstruktivisht. Pavarësish si reagoi qeveria apo batutoi Rama.

Një nga propozimet për reformën e re elektorale ka të bëjë me datën e zhvillimit të zgjedhjeve që parasheh ndryshimin e periudhës së përcaktuar për të vendosur datën e votimit si për zgjedhjet qendrore, ashtu dhe ato lokale. Kur i gjykoni si më të përshtatshme zgjedhjet e reja parlamentare?

Në vjeshtë të vitit të shkuar, unë isha për të bërë çmos për zgjedhje të parakohshme e të dyfishta (parlamentare e lokale) mundësisht para verës. Tërmeti e pandemia ka sjellë një situatë tjetër që lipset të merret në konsideratë. Ironia është që në mes të kësaj situate qeveria shpall zgjedhjet në universitete. Me sa po shohim me “shpirtin e Shullazit” të rilindur.

Si ish-kryetar i Komisionit të Integrimit në BE, cili është gjykimi juaj për datën e fillimit të negociatave?

Nuk ka datë e nuk mund të ketë datë pa përmbushur të 15 kushtet e Këshillit Europian. Fatkeqësisht qeveria përpiqet t’i mohojë apo t’i lerë në heshtje ato. Por kushtet aty do të mbeten. Opozita ka rol vetëm në përmbushjen e njërit syresh, në reformën zgjedhore. Për të tjerat sot, një muaj e gjysmë pas vendimit në parim, nuk ka një plan masash nga qeveria për përmbushjen e kushteve. Po kështu, nuk kishte plan vitin e kaluar kur u shpallën 9 kushtet e Bundestagut. Po kështu, edhe në vitin 2018. Faktet flasin vetë. Po vërej që zyrtarët e Komisionit Europian në Tiranë kanë filluar së fundmi të flasin për nevojën e përmbushjes së 15 kushteve e të një plani qeveritar përkatës. Sa më shpesh, fort, e shkoqur ta thonë këtë, aq më shumë i ndihmojnë ata për një Shqipëri europiane.

/DRONI.al/

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY