“E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, me ndihma apo me tenderë?!

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, me ndihma apo me tenderë?!

93
0
Shares

Nga Genc Pollo

Dy janë lajmet e fundit mbi evoluimin e marrëdhënies së vendit tonë (si dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor në tërësi) me Bashkimin Europian; që të dyja lidhen me përballimin e epidemisë Covid-19 dhe me kontributin konkret që ofron BE për të. Por përtej vektorit emergjencë, ato dallojnë shumë njëra nga tjetra.

Më shkoqur: Më 29 prill, Komisioni Europian njoftoi vënien në dispozicion të 3,3 miliardë eurove si ndihmë Ballkanit Perëndimor për të përballuar emergjencën shëndetësore, humanitare dhe ekonomike. Përtej nevojës së qartë, që ne aktualisht kemi për financime ekstra, përtej pikëpyetjeve nëse borxhi publik i fryrë na e lejon marrjen e këtyre financimeve, që më së shumti janë hua (të buta), përtej refrenit ritual të falënderimeve që politikanët e çdo krahu i shprehim Brukselit, ajo që dua të nënvizoj është që kemi të bëjmë me NDIHMA. Pra, kemi të ndihmuarin e ndihmuesin, darovitësin e nevojtarin, bamirësin e hallexhiun. Kemi edhe një klishe të ngulitur në mentalitetin tonë e madje edhe në kulturën tonë se Europa është aty për të zgjidhur hallet tona, pasi ne vetë nuk duam apo nuk dimë. Një klishe, që pa mohuar assesi kontributin madhor europian në ringritjen e Shqipërisë postkomuniste, mund të japë edhe zhgënjime me këtë bashkim shtetesh në parim të barabartë, pavarësisht nga madhësia. Një klishe që duhet kapërcyer e lënë pas me qetësi e vullnet për të qenë zot i vetes.

Më 30 mars, Komisioni Europian njoftoi se lejonte pranimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në një instrument të Prokurimit të Përbashkët të Kundërmasave Mjekësore (PPKM) për masa mjekësore emergjente të krijuara gjashtë vite më parë. Secili shtet, sipas nevojave, bënte një pagesë për blerjen e shpejtë të maskave mbrojtëse, respiratorëve klinikë etj., p.sh. Estonia 2 milionë, Rumania 20 milionë e Gjermania 200 milionë euro në një fond të përqendruar dhe nga mallrat e prokuruara prej tij përmes procedurave të zbatuara nga Komisioni, secili shtet merrte proporcionalisht pjesën e vet. Avantazhi është se fondi më i madh sillte mallra me çmim më të lirë e me afat dorëzimi më të mirë. Avantazhe të vyera, sidomos i pari në kohë paqeje e i dyti në kohë “lufte”. Dallimi nga ndihma 3,3 miliardë € është se në PPKM secili hyn me paratë e veta e merr plaçkë për aq sa paguan, por përfiton nga fuqia që bën bashkimi. Ndërkohë që çdo shtet mund të ndihet i barabartë me të tjerët, përgjegjës për veten, madje edhe të krenohet me këtë ndjesi. Shqipëria, e cila e nënshkroi në 21 prill të këtij viti PPKM-në europiane, ndoshta po hidhte një hap larg klishesë së hallexhiut nevojtar.

Këto reflektime të larta m’i ndërpreu zëri i fqinjit tim, doktor A.: “Ore Genc, po t’i kishin blerë, more aman, me Europën maskat e ventilatorët, se u frymë duke lexuar për tenderë sekretë e çmime kacafiu!”

Vjedhin duke i lënë njerëzit të varfër, por a shkojnë aq larg sa që të vjedhin për t’i lënë njerëzit të vdesin?

Doktor A, fqinji me të cilin herë pas here pi kafe te këndi i pallatit, është kurioz për punët e shtetit e të Europës. Edhe ai si shumë të tjerë e sheh Europën si shpëtim të idealizuar nga plot zullume, që këtu nuk po u jepet dot drejtim. Unë e sqaroj, se mbase kësaj radhe nuk kishte kohë, pasi këto tendera janë bërë nga fundi i marsit e fillimi i prillit, e mbase urgjenca e situatës nuk priste dot sa të firmosej Marrëveshja me Europën e kështu me radhë. Po pa ia fshehur dot njëri-tjetrit, edhe pa e thënë me gojë, se në Europën e bashkuar nuk hyn duke ia varur në qafë të gjitha punët e kompetencat që nuk i takojnë asaj; sepse shtetet, madje, edhe provincat e bashkitë e tyre do të kenë rol, tagra e buxhete sido që të vejë puna. Dhe vetëm përmbushja në rregull e këtyre roleve, tagrave e detyrave publike do të dëshmonte se meritojmë një karrige mes të barabartëve në pallatet e Brukseli.

Doktor A nuk është as skeptik apriori ndaj qeverisë e as besimtar jo kritik i opozitës. Prandaj, ai vëren se qeveria nuk ka dhënë asnjë sqarim faktik mbi thelbin e kritikave e të akuzave të Partisë Demokratike. Dhe bashkë me doktorin kujtojmë se kritika e akuza të ngjashme për abuzim me ofiqin publik ka pasur rëndom në dekadat e shkuara. Por neve na kujtohet se rrallë ndonjëherë qeveria mund të mos ketë dhënë sqarime për thelbin e tyre. Pa paragjykuar këtu nëse sqarimet ishin tërësisht të vërteta dhe përmbanin të tërë të vërtetën. Ndërsa me tenderët në fjalë, qeveria pranon se ka përdorur nenin përjashtimor 6 të ligjit të prokurimit, i cili parasheh “kontrata sekrete”, për të cilat ligjshëm nuk jepet informacion nga shteti dhe si pasojë nuk ka as debat publik, por edhe “kontrata për interesa thelbësorë të shtetit”, me të cilat Ministria e Shëndetësisë mund të mos çelë garë, qoftë edhe afatshkurtër, mund të negociojë çmimet e kushtet direkt me kompanitë që përzgjedh vetë. Qeveria thotë se ka përdorur këtë të dytën. Urgjenca e epidemisë mund të justifikojë axhelenë qeveritare, priret të mendojë Doktor A. tok me mua. Por sado dashamirës e mirëkuptues të bëhemi ne, nuk gjejmë asnjë shkak për mosbotimin e plotë të këtyre kontratave të miratuara nga Këshilli i Ministrave, siç e kërkon ligji i shkruar e siç është praktika shumëvjeçare. Edhe në e paçin harruar gabimisht, pas insistimit të opozitës e provave të saj se çmimi i blerjes për njësi nga shteti te kompania është shumëfish i çmimit për njësi i blerjes nga kompania në tregun botëror do të lipsej me urgjencë ta publikonin. Që të dëftenin, me një moral relativ gjithsesi, se vërtet vjedhin, duke i lënë njerëzit të varfër, por nuk shkojnë aq larg sa që të vjedhin për t’i lënë njerëzit të vdesin. Por, kontratat prapë mbeten sekrete edhe tani që unë po shkruaj këto radhë. I vetmi që u del ballazi për zot aferave të këtilla, është si zakonisht vetë Kryeministri Rama. Ai poston një video ku tregohen tabela e çmime në letra pa firmë e vulë, që nuk lenë gjurmë e nesër harrohen; ose që bëhen hasha kollaj po qe nevoja.

Ndërkohë, nga zonja ministre dëgjojmë refrenin e “opozitës destruktive”, duke shtuar fyerje marroke si “aleatë me virusin”. Jo se më shkon mendja t’i vë në pikëpyetje asaj të drejtën për të polemizuar kësisoj nëse sinqerisht mendon që kritikët janë të pasinqertë. Por jo, ama, pa bërë transparencë sipas ligjit e rregullave, përfshirë edhe botimin e kontratave. Po prej saj dëgjojmë edhe refrenin e dalëboje “çojeni në SPAK e të flasë drejtësia”, duke e ditur fare mirë se stiva e dosjeve për hetim e gjykim është deri në tavan dhe radha për marrje në pyetje mund t’i bjerë asaj kur të jetë në pension të avancuar

HOMAZH ME DIETRICH BONHOEFFER

I njohur është te ne pastori Martin Niemöller, gjermani antinazist me alegorinë e famshme të tij “Në fillim erdhën për…”, pra, se kur erdhën të më arrestojnë, nuk foli kush, pasi të tërë ishin arrestuar më parë, madje pa ngritur zërin kush. Më pak i njohur te ne është miku e bashkëluftëtari i tij, Dietrich Bonhoeffer, gjithashtu pastor luterian i pushkatuar në një kamp përqendrimi një muaj para kapitullimit nazist e autor i shumë librave frymëzues për rezistencën ndaj regjimit dhe formative për brezat e Gjermanisë demokratike të pasluftës.

“Heshtja para së keqes është vetë e keqja, të mos flasësh është si të flasësh; të mos veprosh është si të veprosh”, është një citat i famshëm i tij, që dua t’ua dedikoj atyre punonjësve të shtetit, shumica të punësuar nga kjo maxhorancë, të cilët me plot kurajë civile e me sensin e përgjegjësisë personale, denoncuan heshturazi, por me veprim, atë që e konsideruan si abuzim e vjedhje nga qeveritarët nën petkun e epidemisë. Ata zgjodhën ta bëjnë këtë duke vënë në dispozicion të opozitës kopjet e dokumentacionit origjinal të tenderëve. Ka një ligj për t’i nxitur ata që të denoncojnë zullumet, si dhe të kenë mbrojtje nga zullumqarët, të cilin maxhoranca rilindase miratoi në 2014, duke zëvendësuar pa qenë nevoja një ligj të njëjtë të vitit 2006. Aty denoncuesit emërtohen si bilbilfryrës, një përkthim trashanik i termit anglisht whistleblower. Por te ne, ku hendeku midis procedurës ligjore e besimit të njeriut nuk është i cekët, punonjësit e ndërgjegjshëm gjetën rrugën më të mirë për ta e për shoqërinë.

EPILOG ME PROKURIME EUROPIANE

Prokurimi i Përbashkët i Kundërmasave Mjekësore u përdor në vazhdimësi nga Komisioni Europian që nga shkurti. Sipas të dhënave zyrtare kanë qenë tenderë të hapur, me afate të shkurtuara dhe fatmirësisht me oferta shumë të mira, madje përtej pritshmërive (prej këtej edhe pajisjet për testime cilësore dhuruar Shqipërisë para një muaji). Kontratat e këtyre tenderëve nuk janë sekrete.

*Ish-ministër e deputet

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY