DETAJE/Çfarë do të ndodhë me fluturimet pas koronës, procedura krejtësisht të reja

DETAJE/Çfarë do të ndodhë me fluturimet pas koronës, procedura krejtësisht të reja

157
0
Shares

Avionët që do të fillojnë fluturimet pas Coronës do të duken krejt ndryshe nga para Coronës. Edhe në aeroporte kontrollet do të jenë më gjata dhe të rrepta. A do të ketë më qejf njeri të fluturojë?

Pandemia e Coronës i ka vënë shoqëritë e transportit ajror jo vetëm para vështirësish ekonomike tani në kohën e kufizimeve të lëvizjes, por edhe para sfidash për mënyrën e organizimit të fluturimeve pasi ato të lejohen përsëri.

Deri tani nuk ka prova për ndonjë infeksion të marrë në avione. Kompanitë e prodhimit të avionëve tërheqin vëmendjen se avionët janë të pajisur me filtra tepër të fuqishëm, se ajri në avion është të paktën po aq i pastër sa në një sallë operacioni dhe se ajri qarkullon nga lart poshtë, gjë që e zvogëlon edhe më tej rrezikun. Megjithatë shumë linja ajrore si Lufthansa apo Eurowings aktualisht po mendojnë të bllokojnë sediljet e mesit. Edhe kompania easyJet thotë se të paktën për periudhën fillestare pas rifillimit të fluturimeve mes udhëtarëve do të ketë sedilje bosh. Kurse shefi i shoqërisë ajrore Ryanair tha se lënia bosh e sediljeve mes dy pasagjerëve nuk sjell asnjë dobi dhe se nëse Irlanda do të vendosë rregulla të tilla për shoqëritë ajrore, atëhere kompania e tij nuk do të fluturojë.

Procedura krejtësisht të reja

Një gjë duket se është e qartë: fluturimet me avion nuk do të rikthehen kaq shpejt në formën që ishin para Coronës, madje ndoshta kurrë. Shashank Nigam, drejtor i firmës për këshillimin e shoqërive ajrore, thotë se “ndryshimet do të jenë të paktën po aq radikale sa pas 11 shtatorit 2001, nëse jo më masive, dhe ato do të jenë të përhershme, sepse kontrolleve të përforcuara të sigurisë do tu shtohet elementi i dezinfektimit.”

Firma Simpliflying ka përgatitur një studim me rekomandime për standardet e reja që priten të vendosen prej aeroporteve dhe shoqërive ajrore në bashkëpunim me OBSH-në. Sipas këtij studimi udhëtarët do të duhet të jenë në aeroport të paktën katër orë para fluturimit. Ndër propozimet e paraqitura përfshihet që bashkë me të dhënat e pasaportës dhe të biletës për të bërë check-in përmes internetit, pasagjerët duhet të paraqesin edhe të dhënat e një lloj pasaporte imuniteti, ku konfirmohet prania e antitrupave kundër COVID-19. Po ashtu para se pasagjerët të shkojnë në sportel për dorëzimin e valixheve dhe për të marrë biletën ata duhet të kalojnë përmes një tuneli dezinfektimi dhe një skaneri që mat temperaturën e trupit.

Ndër rregullat e tjera është mbajtja me detyrim e maskës që në momentin kur pasagjerët hyjnë në bordin e avionit dhe gjatë gjithë fluturimit. Lufthansa dhe shoqëritë e tjera ajrore që i përkasin grupit të Lufthansës dhe që nisin fluturimet duke filluar nga ata 4 maj, e kanë vendosur si kusht që pasagjerët të mbajnë maskë. Kanadaja ka e vendosur tashmë një rregull të tillë, dhe në SHBA këtë e kërkon prej pasagjerëve shoqëria JetBlue.

A do të ketë më qejf njeri të fluturojë?

Me rifillimin e fluturimeve nuk do të jetë më kaq e lehtë për të shkuar tek dalja përkatëse dhe për të hipur në avion. Krahas kontrollit të sigurisë do të ketë kontrolle të mëtejshme shëndetësore. Po ashtu në të ardhmen të gjitha bagazhet, si ato që dorëzohen edhe bagazhet e dorës, do të dezinfektohen përmes një procesi me rreze ultraviolet. Po ashtu edhe hyrja në avion do të bëhet në grupe të vogla duke respektuar distancën e sigurisë. Dhe ndoshta pasagjerët mund t’i nënshtrohen edhe një dezinfektimi të dytë para se të kapërcejnë pragun e hyrjes në avion.

Në bord pasagjerët i presin surpriza të reja: stjuardesat do të jenë të veshura me veshje mbrojtëse dhe sikurse pasagjerët edhe ato to të mbajnë maska dhe doreza. Avionë do të dezinfektohen para çdo nisjeje dhe çdo gjysmë ore stjuardesat do t’u shpërndajnë pasagjerëve dezinfektues për duart. Edhe pasagjerëve që fluturojnë first class ose biznes do t’u shërbehen vetëm ushqime të paketuara. Dhe në bordin e avionëve do të ketë edhe personel special për pastrimin e tualeteve dhe të kuzhinës gjatë gjithë fluturimit.

Modele të reja sediljesh

Masat e lartpërmendura priten të shoqërohen edhe me ndryshime në kabinën e avionit. Kompania italiane Aviointeriors ka ofruar për epokën pas Coronës dy modele Glassafe dhe Janus.

Modeli Glassafe përbëhet nga sedilje që të kujtojnë tharëset e flokëve në parukeri, ose kabinat e dikurshme të telefonit. Kurse në modelin Janus, emri i të cili është huazuar nga perëndia romake me dy fytyra, sedilja e mesit është e kthyer në drejtimin e kundërt dhe mes sediljeve janë vendosur pllaka pleksiglasi.

Deri tani asnjë kompani ajrore nuk ka porositur ende sedilje të tilla. Shoqëria aziatike Haeco ka një ide tjetër më pragmatike. Për shkak se numri i udhëtarëve nuk pritet të jetë i lartë, Haeco propozon që radhët e sediljeve për pasagjerë të alternohen me radhë kutish për transport mallrash. Ky model krijon jo vetëm më shumë distancë, por u siguron shoqërive ajrore edhe një shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve të transportit tani kur kërkesat dhe nevoja për transport mallrash janë më të mëdha se sa për pasagjerë.

Me gjithë këto rregulla dhe dokumente shumë vetë nuk do të kenë më dëshirë të fluturojnë me avion, ose do ti përdorin avionët vetëm për punë ose nga halli. Ingo Wuggetzer, manaxher në kompaninë Airbus na jep të paktën një shpresë e vogël.”Në varësi të kohës kur do të vihet në dispozicion dhe sasisë së vaksinave, disa nga rregullat dhe masat do të ndërpriten, por disa syresh do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.” thotë ai./DW

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY