“Aretesi i Durrësit”, filozofi që nuk është njohur më parë

“Aretesi i Durrësit”, filozofi që nuk është njohur më parë

393
0
Shares

Nga *Dorian Hatibi

Qyteti i Durrësit përgjatë historisë është shquar për arkitekturën e spikatur, artin, portin dhe veprat e mëdha inxhinierike, por pak jemi njohur me filozofët e qytetit. “Aretesi i Durrësit” ishte një filozof dhe astronom që mendohet se jetoi në periudhën e antikitetit dhe sipas burimeve historike të zbuluara së fundmi qëndronte pëkrah kolosëve të filozofisë, si Aristoteli dhe Herakliti.

Në vitin 238 të Erës Sonë (e.s.) një autor latin me emrin Censorinus ka shkruar një vepër të titulluar De Die Natali. Në këtë përmbledhje ai i referohet edhe një personazhi që ai e quan Aretes Dyrrachinus (Aretesi i Durrësit). Deri më sot nuk kemi asnjë referim tjetër në lidhje me Aretesin dhe çdo informacion në lidhje me të na vjen nga Censorinusi. Por ndoshta kaq na mjafton për të vizatuar siluetën e këtij mjeshtri të antikitetit.

Më tej në veprën e tij Censorinus është orvatur të bëj një përmbledhje të dijes së deri atëhershme dhe historisë së njerëzimit duke pasur si pikë referimi atë që greket, duke filluar me Esiodin, e quanin Magnus Annus  (Viti i Madh), ndërsa romakët si Ovidi  e quanin Aurea Aetas (Viti i Artë). Ky ishte një konceptim filozofik që e shihte jetën dhe historinë si një cikël i cili përsëritet vazhdimisht, ku një “periudhë e artë” pasohet nga një “periudhë e argjendtë”, pra më pak e shkëlqyeshme.

Aretes gëzonte një reputacion shumë pozitiv ndër inteletualët e kohës, përderisa citohet në mesin e figurave të tilla si Aristarku i Samos, Aristotelit dhe Heraklitit. Ai ka qënë një kronograf, pra një historian i cili e mbështeste punën e tij historiografike mbi idenë filofozofike greke të Magnus Annus.

Pikë së pari pavarësisht se ne nuk e dimë periudhën e saktë kur Aretesi ka jetuar, mund të deduktojmë nga disa të dhëna të tërthorta që jep vetë Censurino. Për shembull ai shprehet se vepra e tij është një “ripunim” i veprave të humbura tashmë të historianëve dhe filozofëve Marcus Terentius Varro (116 Para Erës Sonë [p.e.s] – 27 p.e.s) dhe Gaius Suetonius Tranquillus (69 e.s – 122 e.s). Pra nga këtu mund të mendojmë se edhe Aretesi ka qenë pjesë e veprave të ndryshme historike dhe filozofike të paktën që nga shekulli I p.e.s.

Diçka tjetër mund të na thotë edhe vetë emri Aretes, qartësisht me origjinë helene dhe mbiemri Dyrrachinus, qartësisht romak. Nga këtu mund të dalim në përfundimin se bëhet fjalë për një personazh që ka jetuar pasi Roma nisi sundimin mbi qytetin e Dyrrahut por kur ky ishte ende nën influencën e fortë kulturore helene.

Kështu mund të ngushtojmë periudhën e ekzistencës së tij në qytet nga gjysma e dytë e shekullit II p.e.s deri aty nga fillimi i gjysmës së parë të shekullit I p.e.s, pra midis viteve 150 p.e.s. – 50 p.e.s. Diçka më tepër dhe më të sigurtë ne dimë në lidhje me veprën dhe mendimin e tij, i cili na përcillet nga Censurino më me detaje.

Aretesi kishte arritur në përfundimin se bota kalon nëpër cikle të rregullta ndriçimi dhe degradimi apo shkatërrimi (cataclysmos), të cilat ndodhin çdo 5552 vite.  Ky vit (ose “Viti më i Madh”, siç e quante Aristoteli) niste kur dielli, hëna dhe të gjitha planetet përfundonin kursin e tyre dhe riktheheshin në pikën e origjinës. Dimri i atij viti ishte tmerrësisht i ftohtë dhe i gjatë, ndërsa vera jashtëzakonisht e nxehtë dhe e zjarrtë.  Aretesi pra ishte edhe një njohës shumë i mirë i astronomisë.

Me siguri ai ka qenë autor i ndonjë vepre të njohur për kohën, e cila fatkeqesisht nuk ka arritur të vij deri në ditët tona. Vepër e cila me sa kuptohet duhet të ketë mbijetuar deri në kohën e Censorinos, pra deri në mesin e shekullit të III. Tërmeti i dhunshëm i vitit 345 të Erës Sonë, i cili me siguri shkatërroi bibliotekën e qytetit, dyndja e popujve dhe plaçkitjet që pasuan i dhanë goditjen tjetër. Dyrrahu i rraskapitur mes gjëmash natyrore e rrokopujash politike për pak e harroi filozofin e vet, i cili për nga referimi i qendronte në krah më të medhenjëve të kohës së tij.

*Dorian Hatibi është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti Tiranës. Për më shumë se një dekadë ka ushtruar kompetencën e tij në fushën e çështjeve sociale, duke shërbyer për disa vite edhe si lektor i Psikologjisë Kulturore dhe Sociologjisë, në Universitetin Aleksandër Moisiu Durrës. Aktualisht është fokusuar në zbardhjen e identitetit kulturor dhe social të qytetit të Durrësit përgjatë historisë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY