E Marta e Madhe e zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe shqiptarët

E Marta e Madhe e zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe shqiptarët

83
0
Shares

Nga Ruben Avxhiu

Joe Biden është përsëri në krye të garës, duke ia kaluar Senatorit Bernie Sanders. Dy kandidatë Tom Steyer dhe Pete Buttigieg janë larguar nga gara, duke e thjeshtëzuar pak betejën brenda Partisë Demokrate për të zgjedhur njeriun që do të përballet me Presidentin Donald Trump në nëntor. 3 marsi është E Marta e Madhe që vjn çdo katër vjet, kur 15 shtete e territore votojnë për kandidatët presidencialë të partive.

Në Partinë Republikane, gara është gati sa për formalitet. Asnjë kundërshtar i fuqishëm nuk ka dalë për të rrezikuar Presidentin Trump. Në disa shtete ka pasur përpjekje për të mos lejuar fare një rival. Aty ku janë bërë, Trump ka fituar lehtësisht.
Më interesante është beteja në Partinë Demokrate ku shpejt janë ravijëzuar dy fronte. Në atë qendror udhëheq Joe Biden, i ndjekur së largu tani nga Senatorja Amy Kloubuchar. Në krahun e majtë udhëheq Benie Sanders i ndjekur nga kolegia e tij e Senatit Amerikan, Elizabeth Warren. Dy gratë janë edhe të preferuarat në këtë garë nga “The New York Times”, por që në votimin e fundit, në South Carolina nuk morën asnjë delegat për në Konventën Kombëtare.

South Carolina duket se ka lënë vetëm Biden dhe Sanders si kundërshtarë realë. Ish-Zëvendës Presidenti doli fitues me mbi 48% të votave, duke treguar se kishte një mbështetje masive mes të votuesve të zinj në SHBA. Një seri kishash afrikano-amerikane prefererojnë ish-zv-Presidentin Biden dhe janë shprehur hapur për këtë.
Një faktor i tretë deridiku misterioz është ish-kryebashkiaku Michael Bloomberg, që me një seri reklamash televizive ka fituar simpati e kuriozitet në mbarë vendin. Mirëpo, në dy debate televizive u sulmua kaq shumë dhe u gjend kaq herë në pozita mbrojtëse nga të cilat e pati vështirë të dalë saqë i gjithë investimi i tij shumëmilionësh duket në rrezik.
Bloomberg që ka qenë tre herë kryetar bashkie në New York, duket se u nxit të hyjë në garë nga një rënie e dukshme e shanseve të -ish-zv-Presidentit Biden. Suksesi i këtij të fundit në South Carolina mund të vërë në dyshim synimin e kandidatit Bloomberg, që thotë se është në garë për të ndaluar që Amerika të mbetet me Presidentin Trump apo të përfundojë te një socialist si Bernie Sanders. Tani që gara po precipiton si një dyel Biden-Sanders, Bloomberg ka më shumë shanse që të marrë votues nga Biden duke forcuar Sandersin.

“Kryebashkiaku Pit”

Pete Buttigieg (Pit Butixhixh), kryebashkiaku nga South Bend, Indiana, vetëm 38 vjeç, do të ishte bërë presidenti më ri në historinë e Amerikës po të kishte fituar. Ai bëri gjithësesi histori, si kandidati i parë LGBT për president. I martuar me një burrë, por besimtar i vendosur i krishterë, ai shihej gjithësesi si një kandidat i krahut të moderuar për të mos thënë konservator. Ashtu si shumë afrikano-amerikanë me Senatorin e atëhershëm Barack Obama edhe shumë grupe LGBT ishin shprehur kundër tij në këtë garë.
Buttigieg është një veteran i luftës në Irak, që flet shumë gjuhë të huaja, dhe u tregua një talent i jashtëzakonshëm në mbledhje fondesh. Po ai vuajti nga kundërshtime të forta në komunitetin afrikano-amerikan në vend. Ai fitoi votimin e parë në Iowa (ndonëse votat po rinumërohen, se Sanders është shumë afër në vend të dytë dhe nuk e pranon rezultatin.) Mirëpo, në South Carolina, ai doli në vend të katërt e në Nevada në vend të tretë. Me vetëm 3% të votës afrikano-amerikane në South Carolina, Buttigieg duket se e ka humbur besimin se mund të fitojë mes kandidatëve Demokratë.

E Marta e Madhe dhe shqiptaro-amerikanët

Tani kandidatët ka mbetur (nëse nuk largohet edhe dikush tjetër) po vrapojnë nga California në Texas, nga Virginia, në Alabama. Një e treta e delegatëve që dalin nga zgjedhjet caktohen në të Martën e Madhe.
Edhe demokratët që jetojnë jashtë vendit, në këtë datë votojnë. Këta të fundit mund të zgjedhin 13 delegatë për në Konventën Kombëtare.
Gara e deritanishme ishte në zona të kufizuara ku ka rëndësi takimi sy më sy me votuesit. Në 15 shtete e territore, kandidatët thjesht nuk kanë kohë fare për fushatë as në qiell të hapur e as në salla. Këtu komandojnë reklamat televizive dhe këtu duket se e ka varur shpresën edhe Bloomberg.
Vetëm California mund të zgjedhë 415 delegatë, sa gati të gjitha shtetet e tjera në këtë ditë të marra së bashku. Apo ndosht me përjashtim të shtetit Texas, nga dalin 228 delegatë. Bashkë me New York-un këto janë shtetet më vendimtare kur vjen te numri i delegatëve.

Në Konventën Kombëtare pastaj zgjidhet kandidati i partisë për President.
Të martën do të votohet edhe në Massachusetts. Ky është shtet ku jetojnë shumë shqiptarë demokratë dhe ata do të kenë mundësi që të zgjedhin për Joe Biden që ka qenë nga fillimi një mbështetës i madh i Kosovës dhe i shqiptarëve në Senatin Amerikan.
Po një pjesë e tyre mund të preferojnë Senatoren Elizabeth Warren, e cila ka aty shpresën më të madhe se është shteti që përfaqëson në Senatin Amerikan. Mirëpo, duket se mes demokratëve, sidomos, moshave të reja e studentëve, mbështetja më e madhe është për Bernie Sanders, që prezantohet si Demokrat Socialist. Ndonëse Sanders ka mbështetur hyrjen e NATO-s në Kosovë, në 1999, jo shumë shqiptarë që vijnë nga Shqipëria do të donin një socialist në krye të vendit, por nga ana tjetër, ka plot shqiptarë, sidomos të moshës së re që kanë votuar për Sandersin edhe në 2016 dhe nuk është çudi që ta bëjnë përsëri në 2020.

Shqiptarë ka edhe në shumë shtete të tjera ku votohet këtë të martë, ndonëse jo aq sa në Massachusetts dhe jo aq në Partinë Demokrate. Ka një numër shqiptaro-amerikanësh që janë angazhuar në këto fushata ose janë hapur në favor të ndonjë kandidati. Ashtu si shumë amerikanë që janë kuriozë për politikën, ata do të ndjekin me interes se çfarë do të sjellë 3 marsi, për sqarimin e një gare që duket se ka zgjatur shumë. Për shqiptarët mbështetës të Presidentit Trump, kjo datë nuk sjell ndonjë lajm të madh, ndonëse edhe trampistët në përgjithësi kanë debatin e tyre se cilin kandidat demokrat do të preferonin në zgjedhjet e nëntorit.

/DRONI.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY