7 gjera qe na meson koronavirusi

7 gjera qe na meson koronavirusi

110
0
Shares

Nga Annamaria Testa

Eksperte Komunikimi

Ne mund të pyesim veten se çfarë po na mëson – dhe mbi të gjitha çfarë po na kujton – kjo çështja e Koronavirusit, mbi gjendjen tonë dhe mënyrën tonë për të perceptuar atë që po ndodh rreth nesh.

Po përpiqem të rendis shtatë gjëra.

EFEKTI FLUTUR

Në një sistem kompleks, një ndryshim i vogël në kushtet fillestare mund të ketë pasoja të mëdha. Eshtë efekti flutur, i shprehur në formë poetike në fillimin e viteve gjashtëdhjetë nga teoricienët e kaosit me formulën, “rrahja e krahëve të një fluture në Brazil mund të jetë e mjaftueshme për të shkaktuar një uragan në Teksas”. Kështu, në një botë të globalizuar, komplekse, të ndërlidhur, një koronavirus më pak poetik andej nga anët e Wuhanit, në Kinë, është i mjaftueshëm për të shkaktuar panik në tregjet financiare, të bllokojë një pjesë të konsiderueshme të fluturimeve ndërkombëtare, të ngadalësojë ekonominë globale, të mobilizojë qeveritë në një optikë të reduktimit maksimal të riskut. Dhe për të rrokur vëmendjen e përgjithshme, aq sa të errësojë madje edhe përfundimin depresiv të sezonit të parë të telenovelës Brexit.

Për më tepër, siç kujton “TIME”, duke përmendur institutin global McKinsey, “vendi më i populluar në botë tani është një pjesë integrale e ekonomisë globale. Eshtë prodhuesi më i madh i mallrave. Importon më shumë naftë bruto se çdo vend tjetër. Me 150 milion udhëtime jashtë vendit, me vlerë 277 miliardë dollarë në vitin 2018, kinezët janë në krye të shpenzimeve të turizmit. Dhe Kina është tregu më i madh në botë për shumë kategori produktesh, nga makinat te alkooli, deri tek e gjithë gama e produkteve të luksit”.

TE LIDHUR NGUSHTE

Të gjithë jemi të lidhur, dhe gjithnjë e më të ngjashëm. Siç thekson një artikull i gjerë i “National Geographic”, nga një skaj i botës në tjetrin vishemi gjithnjë e më shumë në të njëjtën mënyrë, hamë gjithnjë e më shumë gjëra të ngjashme, duam të njëjtat produkte, dëgjojmë të njëjtën muzikë, ndajmë (pak a shumë) të njëjtin informacion. Ne infektohemi mes nesh, në një mijë mënyra.

Mundësia e infektimit shëndetësor është një nga pasojat e shumta të lidhjes sonë kaq të ngushtë: sigurisht, më e keqja dhe, në një hapësirë të ngushtë kohe, më e dukshme dhe e më tmerrshme.

Por është pjesë e një pakete pafundësisht më të gjerë që, na pëlqen apo jo, na orienton të gjithëve drejt ndarjes së të njëjtave fate.

VIRUSE EVROPIANE

Gjatë shekujve, ka qenë shumë herë Evropa që ka sjellë infeksione, atje ku zgjeronte pushtimet e veta. Marrim disa të dhëna: kolonizimi i Amerikës çoi në epidemitë e lisë (1518, 1521, 1525, 1558, 1589), tifo (1546), gripit (1558), difterisë (1614) dhe fruthit (1618). Rreth 95 përqind e popullsisë indigjene gjeti vdekjen. Në Australi, kolonizimi solli linë, sifilizin, tuberkulozin, gripin dhe fruthin në mesin e popullsive aborigjene, të cilat kanë mbetur të deformuara. Dhe sërish: me kalimin e shekujve, vetë Evropa është shkatërruar nga murtaja, kolera, lija dhe tifoja.

Nëse gjërat janë më mirë sot, kjo ndodh për shkak se në shumicën e botës ushqimi dhe higjena janë përmirësuar. Dhe sepse ka vaksina. Ekziston një paradoks: sa më shumë sëmundjet ngjitëse kundërshtohen nga vaksinat (ose madje asgjësohen, siç ndodhi me linë e dhenve), aq më shumë perceptimi i rrezikut zvogëlohet, aq më pak njerëzit janë të prirur të vaksinohen. Coronavirusi na shqetëson aq shumë sepse tani nuk ka vaksinë, por, për të thënë të vërtetën, është më pak ngjitës se fruthi. Këtu në Itali kemi pasur një epidemi të fruthit vetëm disa vjet më parë, por nuk mbaj mend që ndokush të dilte në xhiro me maskë. Në vitin 2018, fruthi vrau më shumë se 140,000 njerëz në të gjithë botën dhe veçanërisht në vendet në zhvillim (sipas Organizatës Botërore të Shëndetit).

DEZINFORMIM VIRAL

Përhapja e lajmeve të rreme është jashtëzakonisht e rrezikshme. Që në vitin 2018, një studim i MIT tregoi se lajmet e rreme përhapen më shpejt, më gjerësisht dhe më thellë sesa lajmet e vërteta. Sa për t’ju dhënë një ide: lajmet e rreme kanë 70 përqind më shumë të ngjarë të ndahen (retëeet, share), sesa lajmet e vërteta.

Il Sole 24Ore shkruan: “Në kontekstin e sëmundjeve infektive, siç është parë edhe në Kongo me ebolan, informacioni i rremë përhapet shpejt nëpër rrjetet sociale, duke rritur rreziqet e transmetimit dhe duke i bërë masat parandaluese joefektive. Dezinformimi i viruseve do të jetë një kërcënim në të ardhmen, në shkaktimin e epidemive”.

Tani OBSH ka detyrën t’i kundërvihet edhe Infodemisë: teprica e informacionit për një problem që e bën më të vështirë zgjidhjen e problemit. Me përhapjen e deepfake (videot e falsifikuara) do të jetë edhe më keq. Ne duhet të shqetësohemi edhe për këto infeksione.

TE LAJME GJITHMONE DUART

Frika është ngjitëse. Edhe më ngjitëse është frika nga ngjitja e sëmundjes, që shoqërohet me sjellje plotësisht iracionale. Kam idenë se shumë njerëz që shmangin restorantet kineze, ose që arrijnë deri aty sa sulmojnë fëmijët kinezë të lindur në Itali dhe që kurrë nuk kanë qenë në Kinë, lënë pas dore, për shembull, larjen e duarve me sapun para se të hanë drekë. Ose para se të prekin fytyrën. Ose para se të vendosin gishtat në hundë (në këtë rast, ju lutemi lani duart edhe më pas). Megjithatë, është “gjesti më i rëndësishëm për të parandaluar përhapjen e infeksioneve”. Por është shumë e thjeshtë, dhe pastaj e nënvlerësojmë.

PERJASHTIMI DHE RACIZMI

Gjithmonë ka ca njerëz të mjerë, të gatshëm për të shfrytëzuar në avantazhin e vet. Ndoshta për të justifikuar dhe inkurajuar sjelljen raciste. “L’Avvenire” shkruan shkruan: “Prirja e shfryrjes së zemërimit ndaj emigrantëve, frika që shfrytëzohet për përjashtim dhe diskriminim flet për një Itali të sëmurë, po, për humbjen e pikave të referencës, racionalitetin e gjykimi dhe besimin shoqëror. Pasiguria, hutimi, egoizmi, prirja drejt izolimit prodhojnë monstra ”.

Rreziqet më serioze

Ne jemi një planet i vogël. Emergjencat dhe krizat nuk duan të dijnë për kufijtë. Ato mund të kundërshtohen vetëm përmes transferimit të informacionit dhe bashkëpunimit midis shteteve dhe popujve. Dhe ruajtja e një qëndrimi racional.

Duke folur për racionalitetin, unë do të doja të theksoja se raporti i Forumit Ekonomik Botëror për rrezikun global 2020, botuar disa ditë më parë, pretendon se mes dhjetë rreziqeve më të mundshme globale, pesë të parat janë mjedisore. Ndër dhjetë rreziqet globale me ndikim më të madh shkatërrues, rreziqet mjedisore janë në vendin e parë, të tretë dhe të katërt. Në vendin e dytë janë armët e shkatërrimit në masë. Epidemitë globale janë të pranishme, por me më pak probabilitet dhe më pak ndikim. Problemi është se, për të luftuar rrezikun e klimës (i cili ka shumë më tepër impakt) nuk është e mjaftueshme të zbulosh një vaksinë. Problemi tjetër është se ai na frikëson shumë më pak sesa duhet. / Internazionale – Bota.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY