KOMENTI/ Merreni seriozisht reformen

KOMENTI/ Merreni seriozisht reformen

182
0
Shares

Nga Ledi Bianku

Një analizë fillestare dhe empirike e reformës në drejtësi në Shqipëri, nën këndvështrimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut.

Titulli i këtij artikulli kujton padyshim atë të një prej kontributeve më me ndikim në filozofinë e së drejtës në shekullin e XX, “Take rights seriosly” nga Ronald Dworkin. Megjithatë Dworkin është shumë larg realitetit shqiptar.

Artikulli ka për qëllim të ngrejë probleme që për mua janë konceptuale dhe sistemike të pushtetit gjyqësor, si dhe të gjithë sistemit tonë shtet-formues dhe kushtetues. Ndaj titulli lidhet me mesazhin që synohet të jepet në lidhje me këto probleme.

Ky artikull, që nga titulli dhe deri në përfundimet e tij iu drejtohet në mënyrë të veçantë kumbarëve të reformës në drejtësi – të huajve – sa në Tiranë edhe gjetiu. Termin “të huaj” nuk po e përdor thjesht në kuptimin juridik, të shtetësisë së tyre, pasi kjo për mua ka rëndësi tejet relative. Unë po e përdor termin “të huaj” në kuptimin figurativ, duke pasur parasysh personazhin e Camus-ë, Meursault-in.

Në fakt evokimi i këtij të fundit mund të jetë i mjaftueshëm për ata që e njohin shumë më mirë se unë letërsinë për të shpjeguar rolin e “të huajve” në Shqipëri në raport me sistemin e drejtësisë dhe sistemin kushtetues në Shqipëri dhe me problemet konceptuale dhe sistemike që ky i fundit ngërthen. Ky evokim është edhe më i vlefshëm kur analizon pasojat, qoftë edhe të përkohshme, të reformës në drejtësi.

Megjithatë, metaforat letrare ua lë atyre që iu takon kjo punë, studiuesve të letërsisë. Unë kam për detyrë intelektuale të bëj analizën juridike, sidomos atë nën këndvështrimin e njërës prej fushave të së drejtës që pretendoj se e njoh mjaftueshëm – sistemin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kjo e fundit duke qenë kushtetuta e kushtetutave në Evropë dhe në Shqipëri (shih përkatësisht nenet 6 TFBE dhe nenin 17 § 2 të Kushtetutës Shqiptare), standardet e saj janë themelore për të vlerësuar problemet konceptuale që sistemi i drejtësisë ka, dhe për pasojë që çdo reformë apo kumbar i reformës duhet të ketë përgjegjësinë që, së pari, të kuptojë, të pranojë dhe pastaj të trajtojë.

Analizën po e bëj thjeshtë dhe tepër shkurtër, të ndarë në dy momente duke i kursyer sa më tepër që të mundem, për arsye lehtësie leximi, referencat dhe analizat jurisprudenciale.

Po përpiqem të mos analizoj reformën që po bëhet, por atë që po ç’bëhet dhe nuk po bëhet. Këto të fundit janë përcaktuese për suksesin e reformës në vazhdim e sipër dhe për fatin e çdo sistemi drejtësie, në Shqipëri dhe kudo.

I. Tek porta e Ligjit

Prej më shumë se 20 vjetësh, herë në këndvështrimin akademik, herë në atë gjyqësor, jam marrë me çështje të ankuesve që kërkonin në Shqipëri apo në Strasburg ekzekutimin e vendimeve të gjykatave shqiptare që iu njihnin të drejta të caktuara, që nga prona e deri te kthimi në punë.

Shihja se si vendimet gjyqësore përfundimtare mund të mos kishin askurrfarë vlere juridike në Shqipëri. Një sërë prej tyre gjetën përgjigje vetëm në Strasburg, që në 2004 e në vijim.

Mund të thuhet se arsyet e pamundësisë për të ekzekutuar një vendim gjyqësor në Shqipëri kanë qenë zvarritja, vonesa, vështirësitë financiare, ose administrata shqiptare. Megjithatë problemi është më i thellë. Shkon në zemrën e reformës në drejtësi.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut në çështjen Ramadhi k. Shqipërisë, i 13 nëntorit 2007 gjen shkelje për mos-ekzekutimin e një vendimi administrativ përfundimtar. Vlera e tij, thuajse unike në gjithë jurisprudencën e Strasburgut, qëndron në një moment tjetër.

Ai konstaton se në Shqipëri nuk ka gjykatë që të jetë mjet efektiv për zgjidhje mosmarrëveshjesh, prandaj një vendim administrativ mund të ankohet direkt në Strasburg pa pasur nevojën e shterimit të mjeteve gjyqësore, sipas nenit 35 të Konventës. Ky konstatim i ra në fakt alarmit për problemin sistemik dhe strukturor të gjyqësorit Shqiptar, por askush nuk e dëgjoi.

Ai vendim, e konfirmuar edhe më vonë nga një sërë vendimesh të tjera nuk thonë asgjë tjetër veçse që gjyqësori – në kuptimin evropian, pra si mjet efektiv për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve – në Shqipëri praktikisht nuk ekziston. Sipas filozofisë së vendimit Ramadhi, i vetmi organ që të zgjidh hallin në Shqipëri është ekzekutivi.

Ligji 133/2015 i miratuar nga Kuvendi në nëntor 2015, ndryshon formulën e kompensimit të pronave. Mënyra se si kompensimi bëhet tani, ku në raste të caktuara për një pronë konkrete pronari merr edhe zero vlerë, në fakt nuk është asgjë tjetër veçse një prishje në themel e qindra e mijëra vendimeve gjyqësore përfundimtare me një akt legjislativ të mëvonshëm. Ky ligj konfirmon në fakt alarmin që ngrinte Gjykata në vendimin Ramadhi që në vitin 2007.

Por ndërsa më parë i zvarrisnim vendimet e gjykatave tani efektet e tyre i fshijmë me ligj. Kjo ndërhyrje nga ligjvënësi, që në jurisprudencë quhet validation législative është ndërhyrja më flagrante e legjislativit, në rastin shqiptar praktikisht e ekzekutivit, ndaj pushtetit gjyqësor.

Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar me dhjetëra herë të papajtueshme me nocionin e procesit të rregullt dhe të shtetit ligjor këtë praktikë (shih Rafineritë greke Stran dhe Strasis Andreadis k. Greqisë, Pressos Compania Naviera k. Belgjikës, Zielinski dhe Pradal dhe Gonzalez dhe të tjerë k. Francës, Scordino (I) k. Italisë, etj, etj) ku, ndër të tjera, Gjykata thotë:

“Gjykata konsideron se rreziku financiar i pretenduar nga Qeveria…, nuk mund të lejojë që ligjvënësi të zëvendësojë … gjyqtarët për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.”

Ndërhyrje të tilla të ligjvënësit ndaj vendimeve gjyqësore përfundimtare janë konsideruar si shkelje e nenit 16 të Deklaratës të të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit, të 1789 që garanton ndarjen e pushteteve (shih Këshillin Kushtetues Francez, Déc. n° 80-119 DC, 22.07.1980, Déc. n° 99-422 DC, 21.12.1999, etj.

Shih gjithashtu Gjykatën Kushtetuese italiane me vendimet binjake (nr. 348 dhe 349 të 22.10.2007), ku vetëm për masën e dëmshpërblimit u konsideruan antikushtetuese disa dispozita të dekret-ligjit nr. 333 të 11.07.1992, të ligjit nr. 662 të 1996 dhe të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 327 të 8.06.2001.

Shih Gjykatën Kushtetuese Federale Gjermane, (BVerfGE, vëll.45, fq. 142 [167]; vëll. 72, fq, 200 [242], vëll. 80, fq. 89 [109s.]), Gjykatën Kushtetuese Spanjolle, vendimi 234/2001, BOE nr. 14 i 16.01.2002, e shumë të tjera.

E drejta e BE e konsideron “pjesë të rendit juridik komunitar”, që në Topfer k. Komisionit, 3.5.1978 dhe si “parim themelor të Komunitetit”, që në Dürbeck k. Hauptzollampt Frankfurt a.M. apo me sagën e vendimeve Mulder dhe Spagl.

Megjithatë ne ende nuk e kemi kuptuar, ose bëjmë sikur nuk e kuptojmë. Këtë element konceptual thelbësor nuk e kanë kapur ose i janë shmangur edhe Gjykata jonë Kushtetuese, në vendimin nr. 1, datë 16.01.2017 edhe Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, me vendimin 00-2018-611.

Ndërkohë që ligji nr. 133/2015, në një sërë situatash, duket sikur po ekzekuton vendimin Manushaqe Puto, në fakt nuk bën asgjë tjetër veçse kason dhe rivlerëson në themel atë që kanë vendosur në mënyrë përfundimtare gjykatat shqiptare dhe administrata shqiptare e kthimit të pronës me një mori vendimesh që në fillim të viteve 1990.

Të huajt e reformës nuk thanë gjë për këtë. A thua se ajo nuk ka të bëjë me drejtësinë!!! Të shohim a do ta “kuptojë” Gjykata e Strasburgut.

Kjo situatë kur qindra shqiptarë kanë pritur dhe ende presin me vite që vendimet gjyqësore që kanë fituar, të ekzekutohen, më kujtonte shpesh pasazhin vijues të përfshirë në Kreun 9 të kryeveprës së Franz Kafka, “Procesi”:

“Tek porta e Ligjit qëndronte një rojë. Një njeri nga rrethinat arrin para tij dhe i lutet ta lejojë të hyjë tek Ligji. Por roja i thotë që nuk mund ta lejojë të hyjë në atë moment.

Njeriu nuk kishte pritur vështirësi të tilla, ai kishte menduar se Ligji duhet të ishte i arritshëm për të gjithë dhe në çdo kohë, por tani, duke vëzhguar më mirë rojën, pallton e tij prej leshi…, ai vendos të presë gjithsesi derisa të lejohet të hyjë.

… [P]orta e ligjit qëndron e hapur, si gjithmonë, dhe roja del nga njëra anë e saj, kështu njeriu përkulet për të parë brenda përmes portës. Kur roja e sheh, qesh dhe i thotë ‘Nëse të tërheq aq shumë, atëherë përpiqu të hysh, ndërkohë që unë të ndaloj. Por ki kujdes: Unë jam i fuqishëm…”

Në Shqipëri vlera formale apo edhe substanciale e një vendimi gjyqësor është zero nëse nuk do ekzekutivi. Nuk po ju lodh me shembuj, që nga vendimet e gjykatave të brendshme, përfshirë kushtetuese, të Gjykatës së Strasburgut, të arbitrazheve ndërkombëtare, ose duke u kthyer në kohë, te vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Kanalin e Korfuzit që e ekzekutuam pas 40 vjetësh.

Juridikisht thelbi është i njëjtë me atë periudhë të historisë sonë që të gjithë duket se rreken zellshëm ta anatemojnë. Ndaj problemi në Shqipëri është Roja, pavarësisht se e imagjinojmë me pallto apo me poture, të veshur si shqiptar, si sovjet apo si evropian. Për këtë u binda përfundimisht nga një çështje tjetër në Strasburg. Kësaj radhe krahasimin po e bëj më poshtë me një shembull amerikan.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY