Ekipi ligjor i Presidentit Donald Trump nisi të shtunën paraqitjen e kundër-argumenteve në Senat, pasi ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve që shërbejnë në proces si prokurorë i dhanë fund të premten tre ditëve të paraqitjes së argumenteve të tyre në gjyqin historik që synon shkarkimin e zotit Trump.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Pat Cipollone tha në mbrotje të presidentit se ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve dështuan në arritjen e objektivit të tyre.
“Nuk besojmë se ata i janë afruar qoftë edhe ndopak përmbushjes së barrës që kanë marrë përsipër, atë që po ua kërkojnë ju ta bëni”, u tha senatorëve zoti Cipollone.
Ai tha se demokratët po përpiqen të zhbëjnë fitoren e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2016 e t’u minimizojnë amerikanëve mundësinë që u takon për të zgjedhur, përpara garës presidenciale të nëntorit.
“Ata janë këtu për të kryer ndërhyrjen më masive në zgjedhje në historinë amerikane dhe ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë“, tha zoti Cipollone.
“Ky do të ishte një veprim që shkelte Kushtetutën, do të nëpërkëmbte historinë dhe detyrimet tona për të ardhmen. Ai do të shkelte besimin e shenjtë që populli Amerikan ka tek ju“, shtoi ai më tej duke iu drejtuar senatorëve.
Argumentet e ekipit mbrojtjes të presidentit do të paraqiten më në detaje gjatë javës së ardhshme.
Gjatë fjalës së tij, zëvendës-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Michael Purpura u paraqiti senatorëve pamje filmike të ligjvënësit demokrat Adam Schiff që siç tha ai e “ndryshonte” bisedën që zoti Trump zhvilloi me homologun e tij më 25 korrik, bisedë kjo në qendër të procesit për shkarkimin e Presidentit Trump.
“Kjo është e rreme. Kjo nuk është në të vërtetë biseda telefonike, kjo nuk është prova“, tha zoti Purpura në përpjekje për të diskredituar zotin Schiff dhe demokratët e tjerë.
Pas seancës dëgjimore zoti Schiff pranoi se komentet e tij mbi bisedën telefonike i ishin përshtatur “asaj që presidenti po përpiqej të përcillte” me fjalët e tij, siç tha ai.
Zoti Trump është akuzuar se i ka bërë presion Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy gjatë një bisede telefonike më 25 korrik për të hapur një hetim për korrupsion ndaj ish-zëvendës Presidentit Joe Biden, një nga rivalët kryesorë të tij për garën presidenciale dhe djalit të tij Hunder Biden, i cili ka punuar për një kompani energjitike në Ukrainë. Po asnjë provë nuk është ofruar se Joe Biden apo djali i tij kanë kryer ndonjë shkelje.
Presidenti dyshohet se ka penguar ndihmën ushtarake për Ukrainën duke e kushtëzuar me njoftimin publikisht nga zoti Zelenskiy të nisjes së hetimeve.
Gjatë telefonatës zoti Zelenskiy i tha zotit Trump se Ukraina kërkonte më shumë ndihmë ushtarake amerikane. Zoti Trump iu përgjigj duke thënë: “do të doja që ju të na bëni një favor” e pas kësaj i kërkon zotit Zelenskiy të hetojë Joe dhe Hunter Bidenin si dhe të hapë hetimet rreth pretendime të pafaktuara se Ukraina dhe jo Rusia ka ndërhynë në zgjedhjet amerikane 2016-s.
Ndihma amerikane për Ukrainën u ndal zyrtarisht më 25 korrik. Embargoja ndaj saj u hoq në shtator dhe Jason Crow tha gjatë argumenteve përmbyllëse të akuzës se kjo ndodhi pasi “presidenti Trump u kap”.
Por zoti Purpura tha të shtunën se Ukraina nuk ishte në dijeni se zoti Trump po e pengonte ndihmën ushtarake të paktën deri në fund të gushtit, shumë kohë pas telefonatës së 25 korrikut.
“Nuk mund të ketë kërcënim nëse një person nuk e di se po kërcënohet“, tha zoti Purpura. “Nuk mund të ketë ofrim të një favori në këmbi të një favori, nëse favori nuk egziston”.
Dhoma e Përfaqësuesve e akuzon Preisdentin Trump për abuzim me detyrën si dhe për pengim të përpjekjeve të Kongresit për të hetuar veprimet e tij në lidhje me Ukrainën.VOA
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/