Si ekzekutohen ne Athine grupet malazese te droges

Si ekzekutohen ne Athine grupet malazese te droges

271
0
Shares

Nga Samir Kasojevic

Përleshjet mes bandave rivale të trafikut të drogës mendohet se ishin shkaktarët e vdekjes së dy personave në një restorant të Athinës të dielën në darkë. Viktimat dyshohet se ishin anëtarë të të ashtuquajturit Klani Skaljari.

Stevan Stamatovic dhe Igor Dedovic, që të dy 43 vjeç, u ekzekutuan me më shumë se 20 plumba në sy të fëmijëve të vet ndërsa po hanin darkë në një tavernë greke. Media greke raportoi se kamerat e sigurisë kishin regjistruar katër persona të maskuar që hynë në tavernë për të bërë krimin.

“Atentatorët dukej se ishin profesionistë. Ata i goditën viktimat saktë dhe me qetësi, duke zbrazur 20 fishekë kundër vetëm dy personave. Ata shkuan drejtpërsëdrejti te tavolina ku gjendeshin Stamatovic dhe Dedovic dhe hapën zjarr pa shkaktuar viktima të tjera,” raportoi Eonoe.gr duke cituar një burim policor.

Përplasjet mes bandave rivale të drogës nga Mali i Zi kanë shkaktuar edhe më herët viktima përtej kufijve të vendit. Në dhjetor 2018, një anëtar i klanit Kavac, Vladimir Roganovic, u vra në moshën 32 vjeçare në një restorant në Vienë. Një malazez tjetër, Stefan Vilotijevic, 23, mbeti i plagosur në këtë ngjarje.

Lufta mes bandave në Malin e Zi ka alarmuar sakaq autoritetet në Serbinë fqinje. Presidenti i vendit Aleksandar Vuçiç tha se ishte e rëndësishme që ata të ndalonin hyrjen në Serbi të çdokujt që kishte lidhje me rrethet kriminale në Malin e Zi.

“Festa e përgjakshme që ndodhi në Athinë mbrëmjen e kaluar mund të kishte ndodhur në Beograd, nëse ne nuk do të kishim marrë masa,” deklaroi Vuçiç për agjencinë Tanjug.

Gjatë vitit të kaluar, shumë qyteza në Malin e Zi janë përfshirë nga vrasjet mafioze, përfshirë vrasjet me bomba – të cilat në përgjithësi kanë mbetur pa autorë.

Situata duket më keq në qytezën bregdetare të Kotorrit, ku 30 persona janë vrarë që nga viti 2013, në ato që duken se janë përplasje mes bandave rivale. Këto banda njihen si Skaljari dhe Kavac. Emrat e tyre i referohen lagjeve të ndryshme në qytet.

Kotorri është një qytezë mesjetare me vetëm 20 mijë banorë dhe është në listën e trashëgimisë botërore të Unieskos. Qyteti tërhoqi vëmendjen një dekadë më parë kur u mësua se një baron droge, Darko Saric, pati investuar shuma të mëdha në turizëm.

Gjykata speciale e Servisë e dënoi Saricin me 20 vjet burg në korrik 2015 për trafik kokaine nga Amerika Latine, bashkë me 30 të tjerë. Ata konsiderohen përgjegjës për trafikimin e së paku pesë tonëve kokainë mes viteve 2008 dhe 2009. Por 14 nga të dënuarit janë aktualisht në arrati.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY