Shkarkimi i Medvedev, nga anektoda e makinës pa timon te vreshti illegal...

Shkarkimi i Medvedev, nga anektoda e makinës pa timon te vreshti illegal në Itali

112
0
Shares

Vendimi i Vladimir Putin këtë të mërkurë, për të pranuar dorëheqjen e Dmitry Medvedevit, nuk ishte i befasishëm. Prej disa kohësh, pozicioni i Medvedevit brenda qeverisë ruse po fundosej në mënyrë të pandalshme.

Ka pasur momente të sikletshme publike. Medvedevi është vënë re duke mohuar me kokë gjatë fjalimeve presidenciale të Putinit, jo një herë, por në disa raste.

Këto gabime mund të jenë falur. Por janë akuzat për korrupsion personal, që mund ta kenë dobësuar fatalisht Medvedevin, duke bërë që Putini ta zëvendësojë atë si kryeministër me një zyrtar tatimesh të një profili të ulët, Mikhail Mishustin. Në një video të vitit 2017, e parë nga 33 milion njerëz në YouTube, lideri i opozitës, Alexey Navalny, e akuzonte Medvedev se zotëronte fshehurazi pallate, jahte dhe një vresht në Itali.

Medvedevi, sipas akuzave, përdorte një mik për të bërë blerjet e tij në internet. Fotografitë ku shfaqet kryeministri i veshur me një palë atlete të Nike, dukej se e konfirmonin këtë. I njëjti mik dyshohet se ka vepruar si menaxhues i pasurive të fshehura të Medvedevit. Në video thuhet se kryeministri ka përvetësuar 1.2 miliard dollarë. Hetimi ishte bindës dhe argëtues. Ai përfshinte pamjet e Medvedevit që kërcente me miqtë e tij.

Korrupsioni nuk është i pazakontë midis zyrtarëve të lartë të Kremlinit. Medvedevi i ka quajtur akuzat “marrëzi”. Megjitihatë, ato ishin tejet të dëmshme, në një kohë kur standardet e jetesës së rusëve të zakonshëm kishin rënë, si pasojë e sanksioneve perëndimore të vendosura pas aneksimit të Krimesë nga Putini në vitin 2014. Fjalimet e vetë Medvedevit, ku denonconte vjedhjen nuk e ndihmuan aspak.

Shkundja kushtetuese e Putinit të mërkurën duket se sinjalizon fundin e karrierës së Medvedevit në politikën e vijës së parë. Medvedevi ka tashmë një detyrë të re: nënkryetari i këshillit të sigurisë. Ndryshimet sugjerojnë që pushteti do të mbetet tek Putini, pasi të përfundojë mandati i tij i katërt presidencial në vitin 2024, megjithëse tani për tani, roli i ardhshëm i Putinit është i paqartë.

Eshtë një fund poshtërues për Medvedevin, presidenti i tretë i Rusisë pas Boris Yeltsinit dhe Putin. Kur Medvedevi mori detyrën në vitin 2008, vëzhguesit perëndimorë kërkuan më kot për shenja, se ai ishte një figurë më liberale sesa Putini. Pasi u përpoq të rivendoste marrëdhëniet me Moskën, administrata Obama arriti në përfundimin se çdo dallim ishte vetëm stilistik.

Në vitin 2008, ambasada amerikane i dërgoi Departamentit të Shtetit një barcaletë që qarkullonte në Moskë. Putini kishte detyrën e dikurshme të Medvedevit, atë të kryeministrit. Pyetja që ngrinin ekspertët rusë dhe të huaj ishte: cili prej tyre ishte sundimtari aktual i Rusisë? Thuhej se ekzistonte një ekip progresist i Medvedevit brenda Kremlinit. Por nuk ishte e qartë nëse Medvedevi bënte pjesë në të.

Kabllogrami amerikan thoshte: “Medvedevi ulet në sediljen e shoferit të një makine të re, ekzaminon pjesën e brendshme, panelin e instrumenteve dhe pedalin. Ai shikon përreth, por mungon timoni. Kthehet nga Putinit dhe e pyet: “Vladimir Vladimirovich, ku është timoni?” Putini tërheq një telekomandë nga xhepi dhe thotë: “Jam unë që do të ngas”.”

Anekdota ishte mizore, por ajo ilustronte një të vërtetë që e kishin kuptuar rusët e zakonshëm dhe elita e Kremlinit: gjatë një karriere politike të gjatë dhe kryesisht të paspikatur, Medvedev kurrë nuk arriti të shpëtonte nga hija e Putinit. Një tjetër kabllogram konfidencial amerikan e përshkruan atë si Robini i Batmanit të Putinit. Edhe kjo ishte e saktë.

Deri në vitin 2010, shpresat se Medvedevi mund të vihej në krye të një liberalizimi të pjesshëm të shoqërisë ruse, ishin zhdukur. Fjalimet e tij me tingëllimë progresiste, kundër “nihilizmit ligjor” nuk arritën të përkthehen në vepra konkrete politike. Eshtë e qartë se Putini mbeti udhëheqësi de-fakto i Rusisë, duke tërhequr fijet, veçanërisht për një politikë të jashtme që ishte ende anti-perëndimore në tone.

Putini “u kthye” president në 2012. Medvedevi u rikthye në rolin e tij të ish kryeministrit të bindur. Ndërprerja e paprecedentë me traditën shekullore në Rusi dhe Bashkimin Sovjetik, e sundimit të një burri – dhe ndonjëherë një gruaje – kish marrë fund. Jashtë vendit, Putini ishte si gjithmonë një fajkua; në shtëpi vuri në zbatim një shtrëngim të ri mbi shoqërinë civile dhe mbi protestat anti-qeveritare në rrugë.

Rritja politike e Medvedevit ishte pothuajse tërësisht e lidhur me qëndrimin e tij pas Putinit. Të dy erdhën nga Leningradi sovjetik. Ndërsa Putini kishte një fëmijëri të vështirë mes klasës punëtore, edukimi i Medvedevit kish qenë më komod. Ai shfaqi disa tendenca subversive. Ngrinte pesha dhe dëgjonte grupin britanik Deep Purple, të cilët më vonë do të luanin për të në Kremlin.

Medvedev mendoi një herë që të studionte gjuhësi, por në fund vendosi për jurisprudencë, duke u regjistruar në vjeshtën e vitit 1982 në Universitetin Shtetëror të Leningradit. Ishte shoqëria e Medvedevit me Anatoly Sobchak, profesorin e tij të së drejtës civile, që e shtyu drejt një karriere në qeverisje.

Në vitin 1990, Sobchaku ambicioz u kthye nga Moska – ku ishte deputet – dhe iu bashkua këshillit të bashkiak të qytetit të Leningradit, duke u bërë kryetari i tij. Sobchak punësoi Medvedevin si këshilltari i tij – dhe mori gjithashtu një tjetër prej ish-studentëve të tij, Putinin, atëherë një operativ i fshehtë i KGB-së, i kthyer rishtas nga Gjermania Lindore.

Medvedevi u takua fillimisht me Putinin në vitin 1990, kur Putini ishte drejtues i komitetit për marrëdhëniet me jashtë dhe Medvedevi punonte si këshilltar. Komiteti mblidhej dy herë në javë në Institutin Smolny, një ndërtesë neo-klasike që Lenini e përdori si selinë e tij gjatë revolucionit të tetorit 1917. Të dy u bënë miq për kokë.

Putini, tetë vjet më i madh dhe me një botëkuptim sovjetik, ishte figura mbizotëruese e dyshes, një dinamikë që do të vazhdonte për 30 vjet. Medvedevi shërbeu si avokati personal i Putinit, dhe kur Putini u bë kryeministër i Rusisë në vitin 1999, ai mori me vete aleatët kryesorë të Shën Petersburgut në Moskë. Mes tyre edhe Medvedevin, i cili mori një detyrë në administratën presidenciale.

Putini e bëri atë së pari zëvendëskryeministër dhe më pas president. Me largimin e Medvedevit, Rusia mund të presë më shumë Putin – deri në vitin 2024, dhe më tej.

The Guardian – Bota.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY